E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti që rrëzoi zgjedhjet e 18 shkurtit

Raporti më i rëndësishëm i ndërkombëtarëve për vitin 2007 ka qenë padyshim dokumenti vlerësues për zgjedhjet vendore të 18 shkurtit, i cili fatkeqësisht ka qenë ndër më të ashprit që janë dhënë prej vitesh, por edhe më i qarti. Raport i cili rëndon edhe sot kur Shqipëria është shumë afër anëtarësimit në NATO në Samitin e Bukureshtit. Vetëm një ditë pas votimeve të 18 shkurtit, më datën 19 në mesditë, kreu i monitorëve të OSBE-ODIHR-it, diplomati danez Jorgen Grunet, në mes të kryeqytetit shqiptoi fjalinë e tmerrshme për gjithë politikën shqiptare: "Zgjedhjet ishin zhgënjyese dhe një shans i humbur në arritjet e standardeve ndërkombëtare.

Raporti

Shefi i misionit vëzhgues të ODIHR-it, Jorgen Grunet, duke bëtë të ditur konkluzionet e monitorimit të zgjedhjeve theksoi se ndërsa zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005 u cilësuan si më të mirat të zhvilluara deri tani, për ballafaqimin elektoral të 18 shkurtit nuk është thënë e njëjta gjë. Vlerësimi i ashpër dhe në një farë mënyre "pak tolerant" i ndërkombëtarëve për zgjedhjet lokale të 18 shkurtit, ishte një qëndrim koherent i thuajse të gjithë faktorëve rilevantë perëndimorë, si Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE-ODIHR-i, Këshilli i Evropës, të cilët e kanë bërë të qartë disa herë shumë kohë para se të zhvillohen zgjedhjet lokale /////////se kuti me të cilin do të maten këto zgjedhje, do të ishte pikërisht zbatimi i standardeve ndërkombëtare. Dhe sipas misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, vendi ynë jo vetëm që ka humbur një shans, por edhe ka zhgënjyer në një proces që edhe pse u zhvillua përgjithësisht i qetë, u shënua prej mangësive procedurale dhe në disa vende nga tensioni. Deklarata e dhënë nga diplomati danez, i cili drejtoi "armatën" e më se 400 monitorëve të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, është bërë vetëm pak orë më pas se Kryeministri Sali Berisha, i cili i ka versuar zgjedhjet si konform standardeve ndërkombëtare. Konferenca e shtypit e shefit të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, është ndjekur dhe nga dyshja e ambasadorëve që përfaqësojnë Bashkimin Evropian në Shqipëri, përkatësisht kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, dhe ambasadori gjerman, Hans Peter Anen, i cili përfaqësonte Presidencën e radhës së BE-së. Dy gjermanët, që ishin mëkëmbësit e zërit të Brukselit në Tiranë, janë konsultuar me diplomatin danez, Jorgen Grunet, përpara se ky i fundit të jepte konkluzionet e ekipit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it. Dhe duket se qëndrimi i dhënë zyrtarisht është një konvergjencë e plotë e të gjithë faktorit ndërkombëtar, i cili nuk ia ka falur autoriteteve shqiptare vonesën e përgatitjeve të zgjedhjeve.

Kërkesat

OSBE-ODIHR-i ka kërkuar menjëherë hartimin dhe miratimin e një reforme zgjedhore përfundimtare, e cila duhet përfunduar shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe duhet të jetë e miratuar me konsensusin e palëve. Qëndrimin e Zyrës për të Drejtat e Njeriut të OSBE-së e kanë mbajtur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian, të cilët reformën zgjedhore e kanë cilësuar si një nga shtyllat e standardeve që duhet të plotësojë Shqipëria. Konkretisht dy janë thelbi i kërkesave të ndërkombëtarëve për ndryshimet në infrastrukturën zgjedhore shqiptare: Regjistrimi i saktë i zgjedhësve, si dhe administrimi i ndershëm i votës së qytetarëve. Në lidhje me regjistrimin e zgjedhësve është kërkuar hartimi i regjistrit përfundimtar të qytetarëve dhe pajisja e tyre me kartat e shumëpremtuara të identifikimit. Kjo do të zgjidhte një herë e mirë problemin e listave të dubluara dhe kontestimit të punës së gjendjeve civile apo të Ministrisë së Pushtetit Vendor, siç ndodhi më 18 shkurt. Në lidhje me administrimin e votës së qytetarëve, është kërkuar hartimi i një ligji zgjedhor të qartë që do të eliminonte fenomenin "Dushk", si dhe braktisjen përfundimtare nga komisionerët politikë zgjedhorë dhe kalimin te komisionerët teknikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›