FOKUS – Trump dhe Xi diskutime për një marrëveshje të mundshme për TikTok-un dhe luftën tregtare

PEKIN, 19 shtator /ATSH-DPA/ – Kina konfirmoi se biseda telefonike midis presidentit Xi Jinping dhe homologut TE TIJ amerikan, Donald Trump do të zhvillohet sot, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve “Hsinhua”.
Ndërsa nuk u publikua asnjë axhendë zyrtare, të dy udhëheqësit pritet të diskutojnë një marrëveshje të mundshme – që do t’ua shiste investitorëve amerikanë shumicën e aseteve amerikane të platformës kineze të mediave sociale TikTok.
Biseda e tyre ka të ngjarë të përfshijë edhe tregtinë dypalëshe.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë aktualisht në një pauzë në mosmarrëveshjen e tyre për tarifat, e cila filloi në prill kur të dy vendet kërcënuan të vendosnin tarifa prej më shumë se 100% për mallrat e njëri-tjetrit.
Në gusht, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të mbajtur pauzën e tarifave në fuqi deri më 10 nëntor. Pekini njoftoi gjithashtu një zgjatje të afatit për mbylljen e TikTok-ut. //a.i/