E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikonstruksioni, Rama i kthen "borxhin" Laprakës

Lapraka nuk do të jetë më ai "fshati" i madh me gardhiqe e rrugë të përbaltura. Një projekt prej afro 3 milionë eurosh ka nisur të investohet për t‘i ndryshuar pamjen njërës prej lagjeve më të mëdha të kryeqytetit, ku jetojnë rreth 60 mijë banorë. Bashkia e Tiranës ka tri ditë që prish ndërtimet pa leje anash rrugëve, prish gardhet para pallateve dhe i hap rrugë ndërtimit të veprave publike. Për të çelur siparin e rikonstruksionit, ishte i pranishëm dje edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Ai u shpreh se "më në fund, pas disa vitesh pritjeje për të konfirmuar projektin me qeverinë italiane, është dita për t‘i kthyer Laprakës borxhin dhe për të krijuar edhe këtu një oaz të Tiranës evropiane". Rama ka pranuar se e ka lënë pas dore këtë zonë mjaft të populluar me banorë të hershëm dhe të rinj, ndonëse nuk ka dhënë ndonjë arsye se pse Lapraka ka qenë jashtë vëmendjes së tij për këto 7 vite që ai drejton Bashkinë e Tiranës.

Kjo lagje gjendet në pjesën perëndimore të qytetit Tiranës dhe është njëkohësisht edhe nyje lidhëse e qendrës së Tiranës me qytetin e Durrësit, si dhe me gjithë qytetet veriore të vendit. Si e tillë, është e zhvilluar tregtia, ku anës rrugës janë ngritur dyqane, kryesisht me pjesë këmbimi për makina dhe produkte industriale për ndërtim. Ndërkohë, në qendër të Laprakës është i vendosur Spitali Ushtarak. Pikërisht prezenca e kësaj qendre të madhe shëndetësore ka bërë që t‘i kushtohet vëmendje rrugës kryesore të lagjes, e cila është projektuar të jetë e gjerë dhe me një korsi të veçantë për urgjencën.

Pas aksionit të Inspektoratit Urbanistik Ndërtimor për prishjen e ndërtimeve të paligjshme, ka nisur rehabilitimi i rrugëve lidhëse të zonës. Por jo vetëm kaq, do të rehabilitohen edhe biblioteka dhe kinemaja e lagjes që i kanë munguar qytetarëve për 15 vjet me radhë.

Projekti i financuar nga Kooperacioni Italian synon të ndryshojë rrënjësisht të gjithë infrastrukturën e kësaj njësie bashkiake. Ai konsiston në rikonstruksionin e të gjitha segmenteve kryesore, rrugore në këtë zonë. Janë rreth 7 kilometra rrugë, të cilat do të rehabilitohen, si në rrugën "Gjergj Legisi", "Lord Bajron", "Pandi Dardha", "Vangjeli Noti", "Marin Barleti", "Riza Kuka", "Gjergj Kastrioti", "Rexhep Preze".

Gjithashtu, rehabilitimi do të përfshijë edhe rreth 5 kilometra kanale të ujërave të zeza dhe të kullimit të ujërave të shiut në rrugë, ndërtimin e 2 kilometrave ujësjellës të ri. Një element tjetër i rëndësishëm i projektit është ndërtimi i dy parqeve rekreative në zonat e lira midis pallateve, për të cilat janë parashikuar dy hektarë sipërfaqe të gjelbra. Në total, në të gjithë Laprakën rikonstruksioni përfshin rreth 46 hektarë sipërfaqe dhe kushton 3 milionë euro. Projekti është hartuar nga një kompani italiane.

Në takimin e djeshëm me banorët e zonës, që ishin prezent kur Rama inspektoi punimet, deklaroi edhe njëherë se "nuk do të lejohet asnjë ndërtim pa leje". Sipas kreut të bashkisë, kush vë edhe një tullë pas deklarimit për legalizim do të përballet me ligjin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›