E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga Korçë-Qafë Plloçë ecën, kompensimet mbeten në vendnumëro

Ndërtimi i autostradës Korçë-Plloçë, edhe pse ka nisur nga puna, rrezikon që të mos përfundojë brenda afatit si projekt, për shkak të problemit të pazgjidhur të shpronësimeve. Punimet për ndërtimin e këtij aksi rrugor kanë filluar, por nuk është zgjidhur çështja e shpronësimeve të tokës. Ndonëse janë përcaktuar sipërfaqet e tokës dhe pronat që preken nga ndërtimi i kësaj autostrade, nuk është saktësuar se cilat toka do të vlerësohen si arë dhe cilat si truall, për sa i përket shpronësimeve . Zgjerimi i rrugës nga ku do të kalojë kjo superstradë deri në qafën e Plloçës ka nxjerrë deri më tani në të dyja anët e saj të paktën 3500 pasuri shtetërore dhe private. Të gjitha këto sipërfaqe tokësore, edhe pse pjesa më e madhe me pronarë privatë dhe një pjesë pasuri shtetërore, pritet të shpronësohen për ndërtimin e rrugës. Por, sipas kreut të Hipotekave në Korçë, Dhimitraq Çyfeku, shpronësimet do të vlerësohen me kriterin tokë arë, që çmohet më pak, dhe tokë truall, që ka një vlerë më të lartë. Ai sqaroi se procesi i shpronësimeve ka dy momente kyçe, nëpërmjet të cilit do të kalojnë të gjitha dokumentet mbi pronësinë deri në zbatimin e shpronësimeve të planifikuara për të gjitha pasuritë si shtetërore, ashtu edhe private. "Së pari do të bëhet dërgimi i hartës për çdo parcelë që ndodhet buzë rrugës ku do të kalojë edhe superstrada sipas projektit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Regjistrimit të Pasurive dhe së dyti pritet që pas këtij procesi të kryhet edhe pajisja me certifikata pronësie për të gjithë ata që preken në pronën e tyre nga ndërtimi i rrugës. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e banorëve të zonave rurale që kanë tokat e tyre në anë të rrugës nacionale, edhe pse janë pronarë, nuk kanë kaluar përmes procesit të regjistrimit të pronës së tyre" tha Çyfeku. Sipas tij, nga ana e komunave nuk ka ende një evidentim të saktë se cilat sipërfaqe toke që do të shpronësohen janë vlerësuar si tokë arë apo truall. Për këtë është kërkuar që komunat të përgatisin listat me personat që do të shpronësohen nëse tokën në pronësi e kanë arë apo truall. Pas viteve ‘90-të, në të dyja anët e rrugës nacionale Korçë-Pogradec janë kryer ndërtime të shumta në tokat bujqësore, por jo të gjithë banorët e fshatrave buzë kësaj rruge kanë siguruar dokumentacionin që vërteton nëse toka konsiderohet si arë apo truall. Punimet për autostradën kanë filluar, por procesi i shpronësimeve që duhej t‘i paraprinte këtij investimi është ende i pa zgjidhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›