E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjithë çmenden pas Çanit, në garë edhe Mançester Siti

Edgar Çani është bërë tashmë një prej emrave më të lakuar të merkatos italiane të janarit. Sulmuesi i Peskarës, autor i tre golave në kampionat me fanellën e kësaj skuadre, duket se shumë shpejt do të kalojë në një skuadër të nivelit elitar. Pas tij janë vënë në ndjekje disa nga emrat më të njohur të futbollit italian, si Interi, Palermo, Xhenoa, Udineze dhe Siena, ndërsa dje, në garë ka hyrë edhe Mançester Siti, pasi Erikson ka kërkuar me ngulm futbollistin e talentuar shqiptar. Vetë lojtari preferon të qëndrojë në Itali, por oferta e duhur mund ta bëjë të ndryshojë mendje.

Kjo është ndër rastet e rralla kur vërshojnë kaq shumë oferta për një futbollist shqiptar. Edgar Çani, i cilësuar si "Vieri i ri" në Itali, ka tashmë luksin e zgjedhjes me cilën skuadër dëshiron të vazhdojë karrierën e tij, pasi ka shpërthyer te Peskara me paraqitje të jashtëzakonshme. Sulmuesi ka shënuar vetëm tre gola deri tani në Serinë C, por ka bindur me teknikën e tij dhe mënyrën se si ndihmon skuadrën. Në fakt, futbollisti sapo ka firmosur rinovimin e kontratës me Peskarën, një lëvizje e kërkuar me ngulm nga klubi që rrezikonte ta humbiste me parametër zero në fundin e sezonit. Megjithatë, skuadra është shprehur e gatshme ta nxjerrë menjëherë në merkato futbollistin shqiptar, nëse ka një ofertë të rëndësishme, duke hapur një ankand të vërtetë mes ekipeve që e kërkojnë atë. Ekipi i parë në listë është Interi, i gatshëm të blejë 1 milion euro gjysmën e kartonit të futbollistit. Por Çani do të luajë me skuadrën e të rinjve derisa të bindë Mançinin, një zgjidhje që nuk i pëlqen aq shumë futbollistit dhe Peskarës, e cila kërkon të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij e menjëhershme. Interesim të vazhdueshëm kanë shfaqur edhe Xhenoa, Palermo, Udineze dhe Siena, skuadra të cilat u besojnë shumë talenteve të reja dhe që mund t‘i garantojnë Çanit hapësirat e nevojshme për të debutuar brenda vitit 2008 në Serinë A.

Por në garë nuk janë vetëm skuadrat italiane, pasi futbollisti tashmë kërkohet edhe nga Anglia. Sipas mediave italiane, drejtuesit e Peskarës janë takuar me ata të Mançester Sitit, që drejtohet nga Sven Goran Erikson. Ky i fundit kërkon lojtarë të rinj, të cilët mund të gjejnë hapësira në turnetë e shumtë në të cilët marrin pjesë skuadrat angleze. Megjithatë, vetë Çani është i bindur të qëndrojë në Itali, ndërsa duket se e ka refuzuar fillimisht një hipotezë transferimi në kampionatin anglez. Si rrjedhojë, Peskara ka thjeshtësuar gjithçka, duke u kërkuar atyre që dëshirojnë lojtarin se ai mund të largohet për një shumë më të madhe se 1.5 milionë euro. Peskara do t‘u propozojë blerësve që ta lënë huazim Çanin te kjo skuadër deri në fundin e sezonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›