E Diel, 1 Nëntor 2026

Bariu sarandjot i dënuar me "ngordhje"

Të gjendesh këto ditë dhjetori në stanin e bariut Sefedin Hadëri, është njësoj si të kesh vajtur në një shtëpi morti. Ai ta hap derën e vathës dhe ti i zgjat dorën, siç e do zakoni të bësh në një vaki të vërtetë. Përpara syve të shfaqen qengja kërthi dhe dele që janë shtrirë përdhe për të mos u ngritur më, ndërkohë që të tjera marrin frymën e fundit. Ai lidh duart si në zi, rrudh sytë me vështrim të tretur nga dhimbja dhe thotë se tufa me 300 dhen, në pak ditë i ka zbritur në 272 krerë dele. Zëri i tij meket edhe më shumë kur i duhet të thotë se qengjat e vegjël e të bukur janë më shumë se dyfishi i deleve të ikura në sytë e tij. "Çdo mëngjes, thotë Sefedini, gjej qengja apo dele që "janë ndarë nga tufa", sepse nuk kanë pasur të hanë. Zia e urisë ka rënë në stanin që ndodhet jo më shumë se 6 kilometra nga Saranda, për në fshatin e Berdeneshit. Stani i ngulur këtu i ngjan më shumë një "varreze", pasi te lesa e tij dhe mbi kasolle, por edhe buzë kanaleve përreth të zë syri trupa qengjash që nuk kanë frymë, apo dele që janë bërë ushqim i qenve të stanit. Mbi këtë "varrezë" të gjësë së gjallë që nuk gjallon më, kalon rruga nacionale që të çon në Ksamil e Butrint. Poshtë saj është fusha, ku nuk të zë syri një fije bari që të mund të gjuhet nga tufa e dhenve. Ato që të mbeten në sy në këtë peizazh fushor janë pellgjet me ujë shiu, apo të filtruar nga liqeni i Butrintit. Në rripat e tokës që i kanë shpëtuar përmbytjes çukisin ndonjë fije si të ishin pula, delet e Sefedin Hadërit. Në rrugë, një faqe mali duket që së largu që është kullotë e mrekullueshme për blegtorinë. Dhe të vjen çudi që zia e urisë dhe ushqimi i bagëtive janë kaq pranë. Menduam se midis tyre ka bërë vend mosha e thyer e bariut të lënë nga takati, që ka rënë si një kosë e vërtetë mbi delet dhe qengjat e Sefedinit. Epo, thamë me vete, nuk ia ka fajin njeri, derisa kërkon të bëjë prokopi, duke kullotur delet atje ku është vendi i rosave, pasi nuk ka gjunjë t‘i çojë në kullotë. Por ai që nuk e jep veten edhe për ‘60-të, na e tregon fill e për pe atë që ka bërë vaki me një bari që brinjave me bagëti i ka ikur jeta.

Ngre edhe ai kokën për andej nga kullota dhe thotë se 15-16 vjet atje i ka kullotur delet e tij, por sivjet nuk iu përtëri kontrata e kullotës dhe u bë fusharak, si asnjëherë në jetën e tij që i ka shkuar maleve dhe staneve.

- Kam ndezur keq me një drejtor të Pyjores së Sarandës - qahet ai. - Nuk e di ku e pati hallin, te xhepi im apo te feja ime, por Jani Babi nuk ma firmosi kontratën këtë vit. Kisha dëgjuar të dënohesh me vdekje, por jo me ngordhje", - flet bariu tërë dëshpërim. Për 15 vjet me radhë ai thotë se paguante qiranë e kullotës dhe detyrimet e tjera në shtet, i bëja dhe ndonjë peshqesh drejtorit, siç ia ka shpirti bariut dhe në rregull ishte. "Por me të ardhur ky drejtori i ri, - tregon Sefedini, - e ka bërë siç bëhet në ata tenderët, ka dalë me thes e mbledh para në dynja". Dhe sipas mendjes së tij, i ka dalë më mirë hesapi ta japë kullotën e të imtave për të kullotur lopët fshatarëve të Berdeneshit. "Kuptohet, ka hequr dorë nga mishi i hollë dhe u është sulur viçave", - thotë ai me humorin që nuk i shteron edhe në gjendje të tilla dëshpërimi.

I pres të ngordhin, nuk kam çfarë të bëj. Por aty për aty sikur ndërron mendje dhe thotë se nuk do të rrijë kështu, po nuk pati zgjidhje. Atë do ta gjejë vetë, duke vënë nën mëngë të kapotës cekurën e vogël. Dhe siç pret gjethet e shkurreve për të pastruar kullotën, do të vendosë të "pastrojë" edhe pengesat njerëzore, që ia kanë nxirë shpirtin me atë kontratën e anuluar. Me vetëdijen e moshës, ai shpreh vendosmëri në zgjidhjen që i vjen në kokë në çast. "E di që do të më dënojnë pas asaj që do të bëj, - flet ai - por nder do të më bëjnë, duke më dënuar 25 vjet, se më zgjasin jetën. Unë kështu, në mes të këtyre gjoleve ku më shihni, nuk do të mundem të rroj më gjatë se kaq", - thotë i sigurt bariu Sefedin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›