Rritet me 200 lekë bileta për Tiranë
Udhëtimi drejt Tiranës me autobusë të linjës, tani kushton më shtrenjtë. Prej disa ditësh për 300 km udhëtim nuk mjafton 1 mijë lekëshi. Çmimi i biletës ka pësuar rritje prej 20%, duke u bërë nga 1 mijë në 1 mijë e 200 lekë të reja. Aplikues të parë të kësaj rritjeje janë bërë pjesëtarë të Shoqërisë së Transportit të Tiranës, për t‘u përfshirë në të edhe autobusët e Sarandës. Pronarë të autobusëve që qarkullojnë në këtë linjë e lidhin këtë rritje në mënyrë të drejtpërdrejtë me rritjen e çmimit të naftës. Ndërkohë, mësohet se ka ndryshuar edhe çmimi i udhëtimit në linja ndërqytetëse. Kështu, udhëtimi për në Gjirokastër tani kushton 300 lekë nga 200 që ishte më parë. Rritje të çmimit të transportit të udhëtarëve ka pasur më herët këtë muaj në rrethet e veriut të vendit. Kështu, në Peshkopi, Kukës dhe Shkodër, çmimet e biletave të udhëtimit me furgon janë shtrenjtuar me të paktën 15 për qind që nga fillimi i muajit, ndërsa autobusët kanë bërë rritje më të vogla të çmimeve.