Futet të ndajë sherrin e të birit, vritet babai
Babai vritet në përpjekje për të ndarë sherrin e të birit adoleshent. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 13.00 në qytetin e Vlorës. Pak metra larg spitalit të qytetit, një 54-vjeçar është qëlluar disa herë me thikë. Gjithçka ka nisur si një sherr fëmijësh, pranë një dyqani, në lagjen "Partizani", ku babë e bir tregtonin byrekë e sufllaqe. Piro Gishti, 54 vjeç, ndodhej brenda në dyqan, kur i biri, Eltoni, 17 vjeç, i cili po luante në rrugë me disa shokë, u ngatërrua me një djalë në moshën e tij, Indrit Hoxhën. Në lojë e sipër, djemtë janë grindur me njëri-tjetrin dhe më pas nga fjalët kanë kaluar në goditje me grushte. Me të parë skenën, babai i Eltonit ka dalë nga dyqani me nxitim, për të shuar sherrin. Por, kur Indrit Hoxha e ka parë 54-vjeçarin që po afrohej, ka menduar se ai kishte ardhur për ta rrahur dhe ka nxjerrë një thikë, që e mbante në xhepin e xhupit. Sapo u gjend mes dy të rinjve që ziheshin, Piro Gishti është qëlluar disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke marrë plagë të rënda e shumë të thella.
Menjëherë pas goditjes me thikë, 17-vjeçari Hoxha ka vrapuar nëpër rrugicat e ngushta të lagjes "Partizani", për t‘i shpëtuar ndjekjes së policisë apo të ndonjë të afërmi të viktimës.
Piro Gishti ka rënë përtokë dhe është transportuar menjëherë nga kalimtarët e rastit për në sallën e reanimacionit të spitalit rajonal të Vlorës, që ndodhet vetëm 20 metra larg vendit të ngjarjes. Mjekët e kanë futur menjëherë në operacion, por Piro Gishti nuk ka mundur të mbijetojë. Një mjek i spitalit të Vlorës tha dje për gazetën, se burri 54 vjeç kishte marrë shumë plagë. I ishin prekur organet jetike, ndërkohë që kishte humbur edhe sasi të mëdha gjaku.
Policia e Vlorës, e sinjalizuar pak minuta pas krimit, është vënë menjëherë në kërkim të autorit të vrasjes. Disa postblloqe u ngritën në hyrje-daljet e qytetit, për të bërë të mundur kapjen e autorit të krimit, ndërkohë që për ngjarjen dhe të dhënat e autorit të krimit iu shpërndanë komisariateve të rretheve fqinje. Banorët e lagjes "Partizani", që u pyetën nga policia, treguan se kishin parë djalin 17 vjeç të vraponte në drejtim të stacionit të taksive për Fier. Pas këtij informacioni, policia e Vlorës është vënë menjëherë në lëvizje, në drejtim të rrugës Vlorë-Fier. Në pak minuta janë ndaluar të gjitha taksitë që lëviznin në këtë drejtim. Në aksion është vënë edhe policia e Fierit, e cila ka blinduar hyrjen perëndimore të qytetit, duke mos lënë shteg kalimi për 17-vjeçarin vrasës. Indrit Hoxha është gjetur në Levan të Fierit, brenda një furgoni pasagjerësh, që ishte nisur nga Vlora rreth 15 minuta pas ngjarjes. Adoleshenti u është dorëzuar policëve nga Vlora, para të cilëve ka pranuar krimin dhe ka treguar gjithë ngjarjen sipas versionit të tij. Një oficer i policisë së Vlorës tha dje se Indriti tregoi edhe ku e kishte hedhur thikën, me të cilën kreu vrasjen.