E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, në alarm për zhdukjen e një fëmije

Një fëmijë 10 vjeç nga Tirana, i cili rezulton i zhdukur prej tri ditësh, po kërkohet në Korçë. Burime të Drejtorisë së Policisë së Korçës kanë thënë se në të gjitha pikat kufitare janë shpërndarë fotografitë e vogëlushit Leonard Hysenaj, që mendohet se është destinuar për trafik. Kërkimet për gjetjen e fëmijës së humbur janë shtrirë edhe në juglindje, për faktin se që këtu fëmija mund të çohet drejt shtetit grek. Prindërit e 10-vjeçarit e kanë denoncuar humbjen e djalit në kryeqytet, në datën 12 dhjetor, por në pamundësi për të gjetur gjurmë të tij, janë hedhur dyshime se fëmija mund të jetë rrëmbyer për qëllime trafikimi. Kërkime, sipas të dhënave nga ana e Policisë së Shtetit, janë kryer në disa komisariate, krahas Tiranës.

Prej tri ditësh është mbuluar me mister fati i 10-vjeçarit, i cili nuk është kthyer në shtëpi pas mësimit, ndërsa kanë qenë prindërit ata të cilët, pasi kanë kontaktuar edhe me shokët e tij, janë detyruar t‘i drejtohen policisë. Kjo situatë ka bërë që në të gjitha vendkalimet kufitare, policia e Korçës të kërkojë për gjetjen e Leonardit, nëpërmjet pajisjes me foto të tij të të gjitha sporteleve. "Për faktin se ka vendkalime të shumta në këtë zonë, për të parandaluar trafikimin e 10-vjeçarit të humbur, për qëllime fitimi drejt shtetit grek apo atij maqedonas, menjëherë pas sinjalizimit të marrë nga ana e policisë së Tiranës, kemi kryer edhe kërkimet tona në këtë zonë. Por, nuk ka ende të dhëna për 10-vjeçarin Leonard Hysenaj. Për këtë jemi detyruar të vendosim fotografitë e tij në të gjitha pikat kufitare, për të bërë të mundur gjetjen në rast se është marrë nga ndonjë person, që ka për qëllim ta trafikojë", ka thënë zëdhënësja e policisë së Korçës, Eda Mërkuri. Fakti që bëhet fjalë për një fëmijë me ngjyrë ka shtuar dyshimet se fëmija mund të jetë destinuar për shitje në shtetin grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›