Fier, policia tatimore kërkon makina
Policia tatimore e Fierit ndihet në vështirësi funksionimi si shkak i mungesës së logjistikës. "Nuk kemi asnjë mjet. Të gjithë punonjësit e tatim-taksave të Fierit kanë në funksion të tyre vetëm një automjet furgon me kapacitet 7 persona. Të gjithë agjentët tatimorë duhet t‘i kryejnë kontrollet në këmbë. Duke parë se Fieri ka një shtrirje të gjerë dhe një zhvillim të madh ekonomik si shkak i numrit të lartë të bizneseve të mëdha e të vogla e kemi të pamundur të kemi të gjithë ata nën kontroll. Kemi bërë kërkesë të vazhdueshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në Tiranë, por është premtuar që në vitin 2008 mund të vijë", thotë për "Shqip", Agron Selimaj, kreu i policisë tatimore. Por, logjistika e munguar nuk ka ndikuar edhe aq shumë në plotësimin e objektivave që ka marrë ky sektor i rëndësishëm i Degës së Tatim-Taksave në Fier. Kreu i policisë tatimore, Agron Selimaj, thotë se përveç mbështetjes që i është bërë Task-Forcës së Tiranës, një numër i lartë kontrollesh është ushtruar edhe nga vetë ky sektor. Gjatë ditëve të fundit duket se Task-Forca e Tiranës ka gjetur strehim në rrethin e Fierit. Vetëm gjatë javës së fundit prej saj janë ushtruar kontrolle në Ballsh e në Roskovec dhe gjatë ditëve në vijim kontrolli do të vazhdojë në Fier. Prej kreut të policisë tatimore të Fierit, Agron Selimaj, mësohet se Task-Forca ka pasur si qëllim kryesor goditjen e mallrave pa pullë fiskale dhe që vinin kontrabandë. Kështu, në rrethin e Ballshit Task-Forca ka ndëshkuar me gjoba 7 subjekte të biznesit të madh, ndërsa në Roskovec numri i gjobave është më i lartë. Në Fier, vetëm gjatë ditës së djeshme, numri i subjekteve të ndëshkuara nga Task-Forca është 10 dhe sipas burimeve të tatimeve mësohet se grositët e cigareve dhe ata të pijeve alkoolike janë bërë objekt ndëshkimi. Gjoba e prerë prej Task-Forcës ka qenë 500 mijë lekë dhe mbërritja e tyre në Fier komentohet si një mbështetje e mirëpritur nga punonjësit e Tatim-Taksave. Agron Selimaj, kreu i policisë tatimore shprehet për "Shqip" se janë prerë plot 153 gjoba gjatë tre muajve të fundit. Në këtë periudhë janë bllokuar 75 leje drejtimi mjeti. 53 bizneseve u është dhënë urdhër bllokimi, pasi kanë qenë të paregjistruara, ndërsa janë bllokuar 521 steka paketash dhe 223 litra pije alkoolike".