Barnat e shtrenjta, pacientët do paguajnë gjysmën e parave
Propozimi më i fundit i Institutit të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2008 është shtimi i një liste të re barnash. Ideja më e re e Sigurimeve Shëndetësore është rimbursimi i plotë dhe rimbursimi i pjesshëm. Sipas propozimit të bërë dje në analizën vjetore të Institutit mendohet të ketë dy lista barnash, një me ilaçet bazë që do të rimbursohen plotësisht nga shteti dhe një tjetër me barna alternative, që gjysma do të paguhet nga pacienti dhe gjysma nga Kujdesi Shëndetësor. Propozimi ende nuk është miratuar përfundimisht, por drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, ka argumentuar se kjo do të sjellë më pak abuzime dhe njëkohësisht do të jetë një zgjidhje më e mirë. Për sa i takon listës së re të barnave, në 2008 presupozohet të mos ketë ilaçe të reja.
"Ne tashmë kemi përfunduar draftin dhe që në mbledhjen e radhës të komisionit të listës së barnave të rimbursueshme do të bëjmë propozimin tonë konkret për të pasur më shumë se 1 listë barnash", tha drejtoresha Hana.
Propozimi
Projekti i bërë publik dje është një propozim që ISKSH-ja ka marrë zyrtarisht nga Banka Botërore. "Ideja është që të jetë një listë barnash bazë, e cila do të mbulohet 100 për qind nga ISKSH për shtresat në nevojë dhe të ketë një listë alternative, e cila të jetë me bashkëpagesë mes ISKSH-së dhe pacientit. Kjo do të mundësojë për së pari, një kontroll shumë të mirë të skemës dhe do të ulë ndjeshëm abuzimet, pasi bashkëpagesa dihet që ndihmon jashtëzakonisht në këtë drejtim", sqaroi drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, kjo mënyrë do të krijojë mundësi për futjen e më shumë barnave të reja dhe cilësore në listë, të cilat do të bashkë paguhen, por kësisoj do të krijojnë më shumë mundësi për pacientët. Megjithatë, vendimin përfundimtar do ta marrin instancat më të larta, pasi kompetenca e ISKSH-së është të propozojë.
Ndryshimet e listës
"Aktualisht, lista që kemi është mjaft e gjerë, mos harrojmë që ajo mbulon 94 për qind të sëmundshmërisë kronike dhe me fondet që kemi në dispozicion, e mbulojmë këtë listë, por e shoh të vështirë mbulimin e barnave të reja me këto fonde", theksoi Hana.
Vlera e rimbursimit për vitin 2007 ka qenë 3.9 miliardë lekë të reja, të cilat kanë shkuar kryesisht për kategorinë e pensionistëve (mbi 80 për qind). Gjatë vitit 2007 u futën 14 barna të reja në listën e rimbursimit, nga të cilët bari Deferasirox (për talaseminë) kushtoi rreth 162 milionë lekë të reja. Lidhur me kontributet shëndetësore të parashikuara në ligjin e ri të ISKSH, që pritet të shkojë së shpejti në qeveri e më pas në Kuvend, drejtoresha e ISKSH-se u shpreh se propozimi është që ato të rriten nga 3.4 për qind të pagës që janë aktualisht, në 7.5 për qind. Ideja e Sigurimeve Shëndetësore është që të shihet mundësia në mënyrë që të bëhet një rregullim brenda taksimit që mbledh shteti në tërësi, nga të cilat një pjesë më e madhe të shkojë për sigurime shëndetësore.
Ndërkaq, dje në analizën vjetore të ISKSH-së një nga treguesit raportonte një numër të lartë të recetave me rimbursim si për sëmundjet kronike ashtu edhe për ato akute.
"Sëmundshmëria kronike e trajtuar me recetë të rimbursuar në fund të muajit dhjetor 2007 rezulton të jetë 190.614 raste në total, ndërsa sëmundshmëria akute gjithashtu e trajtuar me rimbursim është 143.505 raste gjithsej".
2008
Karta e shëndetit, sërish prioritet
Karta e shëndetit, një projekt ambicioz i Institutit të Sigurimeve Shëndetësore në bashkëpunim me Bankën Botërore mendohet se do të përfundojë këtë vit. Një nga prioritetet e vitit 2007 do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në vitin 2008. Ende nuk bëhet publik afati përfundimtar se kur do të përfundojë ky projekt, por gjatë këtij viti do të përfundojë puna për pajisjen e qytetarëve shqiptarë me këtë kartë. Aty do të shënohen të gjitha proceset e rimbursimit të secilit pacient, që ka paguar sigurimet shëndetësore. Ky dokument shëndetësor do të jetë edhe shpëtimi i madh për abuzimet, por edhe një dëshmi për të gjitha shërbimet e përfituara nga pacienti. Ndërsa, në vitin 2007 pritej të përfundonin procedurat tenderuese, puna për realizimin e këtij projekti do të vazhdojë edhe përgjatë 2008-ës.