Gjermania dhe Austria njohin Kosovën, sot e bën edhe Italia
Shtohen orë pas ore vendet e mëdha perëndimore që po njohin Kosovën si shtet sovran dhe kanë shprehur vullnetin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Gjatë ditës së djeshme kanë qenë tri nga vendet kryesore të Evropës që kanë mirëpritur Kosovën si një nga partnerët më të rinj të bashkësisë ndërkombëtare. Bëhet fjalë për Gjermaninë, Austrinë dhe Italinë, të cilët me anë të zyrtarëve të lartë bënë të ditur pranimin e pavarësisë së Kosovës. Qeveria e Gjermanisë e ka njohur dje Kosovën si shtet të pavarur. Pas këtij vendimi të qeverisë gjermane, Presidenti Horst Koehler do t‘i dërgojë një notë diplomatike Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. "Qeveria u pajtua për njohjen e Republikës së Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe për fillimin e marrëdhënieve diplomatike", tha zëdhënësi i qeverisë, Urlih Vilhelm. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Valter Steinmeier, të hënën pati thënë se Gjermania do ta njihte Kosovën. Edhe qeveria e Austrisë dje ka njohur pavarësinë e Kosovës. "I rekomandova qeverisë që të ndërmarrë hapat e domosdoshëm për njohjen e Kosovës", tha ministrja e Jashtme, Ursula Plassnik, në një kumtesë. "Sipas ligjit austriak, qeveria i propozon Presidentit që qeverisë së Kosovës t‘i dërgohet letra e njohjes", thuhet më tutje në njoftim. Ministri i Jashtëm italian, Masimo D‘Alema, tha se në mbledhjen e sotme të qeverisë mund të miratohet vendimi për njohjen e Kosovës. Gjatë një interviste për radion italiane, D‘Alema tha se pavarësia e Kosovës "ishte e pashmangshme". Sipas tij, "Kosova nuk mund të jetë gjithmonë nën administratën ndërkombëtare dhe shtoi se "kosovarët nuk dëshirojnë më të jenë nën dominimin serb".
Nga Osloja raportohet se njohjen e Kosovës e ka paralajmëruar edhe Norvegjia. "Mund të shpall se Norvegjia do ta njohë pavarësinë e Kosovës si shtet të pavarur", thuhet në njoftimin e ministrit të Jashtëm, Jonas Gahr Stoere. Kështu, Norvegjia, që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, iu bashkua fqinjëve të saj, Danimarkës, Finlandës dhe Suedisë, që tashmë kanë deklaruar se do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
BE
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (EUSR) në Kosovë, Peter Feith, filloi dje punën në misionin e tij në Prishtinë, me një takim me Presidentin e Republikës, Fatmir Sejdiu. "Synimi i BE-së është të vendosë misionin civil dhe atë të policisë dhe drejtësisë në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe Veriun", theksoi Feith. Ai shtoi se bashkë me qeverinë e Kosovës, misioni i BE-së "do të përpiqet t‘u japë sinjale serbëve se ky është vendi ku ata duhet të jetojnë dhe se janë të mirëpritur të punojnë për të ardhmen e Kosovës". Presidenti Sejdiu ritheksoi se Kosova e mirëpret misionin e BE-së, që do ta ndihmojë atë në tranzicion dhe në procesin e integrimit. Kosova është pjesë integrale dhe e mbështetur ndërkombëtarisht dhe është shumë e rëndësishme që ne kemi vizion për të ardhmen, kemi mbështetjen edhe të misionit ndërkombëtar, po edhe të misionit të ri në gjithë veprimet e përbashkëta që do të bëhen për sundimin e ligjit dhe për sukses në qeverisje", theksoi Sejdiu. Peter Feith u emërua përfaqësues special i Bashkimit Evropian në Kosovë më 4 shkurt. Mandati i tij vazhdon deri më 28 shkurt 2009 dhe parashikon dhënien e këshillave dhe mbështetjen nga BE në procesin politik dhe në kultivimin e bashkërendimit të përgjithshëm politik të BE-së në Kosovë. Ai do të udhëheqë zbatimin e objektivave politike të BE-së në Kosovë, të cilat përfshijnë zbatimin e marrëveshjes që përcakton statusin e ardhshëm të Kosovës, duke pasur synim Kosovën me siguri të qëndrueshme, funksionale, paqësore, demokratike dhe shumetnike. Përfaqësuesi i BE-së do të punojë në Kosovë në bashkëpunim të ngushtë me misionin e BE-së në fushën e ligjit, EULEX-KOSOVA dhe në këtë fushë EUSR do t‘i ofrojë udhëzime politike shefit të misionit EULEX, duke përfshirë dhe aspekte politike të çështjeve që lidhen me përgjegjësitë ekzekutive.