E Diel, 1 Nëntor 2026

Forca e trashëgimisë sfidon asfaltin

Që sot, ajo pjesë e rrugës nga kinema "Millenium 2" e deri te busti i Fan Nolit para selisë së Akademisë së Shkencave ku janë gjetur kullat e një kalaje të vjetër nën muret e kalasë së Toptanasve, do të jetë monument kulture. Vendimi u mor dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, drejtuar nga ministri Ylli Pango që është njëherësh dhe kryetar i këtij këshilli. Me një vendim zyrtar, KKR vendosi të shpallë monument kulture rrënojat e zbuluara, duke ia bashkangjitur këtë vendim atij të vitit 1973, kur kalaja e Tiranës u shpall monument kulture. Gjithashtu, do t‘i propozohet Këshillit të Ministrave që ajo zonë të shpallet dhe si zonë arkeologjike.

Me këtë vendim, ajo copë rrugë nuk do të jetë më siç ka qenë dhe flitet për një devijim të mundshëm dhe sigurisht janë autoritetet bashkiake ato që do të vendosin për projektin e ri të rrugës që është në rikonstruksion. Ky problem është diskutuar këto ditë mes ekspertëve nga dy institucionet dhe nuk ka asnjë mospërputhje mes tyre rreth idesë për devijimin ose jo të rrugës. Kjo pasi zbulimi konsiderohet i përmasave gjigante dhe si një eveniment i veçantë në zhvillimet kulturore të viteve të fundit, për sa i përket trashëgimisë.

Zbulimi

Ditë më parë, teksa po gërmohej në nënshtresat e rrugës gjatë punës për rikonstruksionin e saj, kazmat e punëtorëve hasën në disa blloqe gurësh që pak nga pak duke u zbuluar, u pa se ishin muret e një kalaje të vjetër. Menjëherë u lajmëruan specialistët, ndërsa punimet u bllokuan. Sakaq nisën të jepen versionet për zbulimin; ç‘fshihej në të, madhësinë apo datimin. Shumë prej të dhënave që jepeshin nga një specialist, nuk përputheshin me të tjetrit, por e rëndësishme ishte që zbulimi provokoi debat dhe pothuajse të gjithë njëzëri e kanë pranuar se ato rrënoja janë një dëshmi adekuate e një qyteti madhështor që ekziston poshtë atij që shohim sot.

Vendimi

Me vendimin e djeshëm të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve për shpalljen e zbulimit monument kulture, çështja futet në një fazë të re dhe që i hap rrugë avancimit në fushën zbuluese, studimore dhe restauruese. "Do t‘i shkohet deri në fund", tha koordinatori me median pranë këtij këshilli, Behar Gjoka. Dhe më këtë, Gjoka tha se nga stadi i një zbulimi fillestar, tashmë do të nisë puna për shpërfaqjen tërësore të të gjithë ansamblit të kalasë që ndodhet nën tokë. Kjo punë voluminoze dhe gjigante, sipas tij, do të ketë si objektiv riformulimin tërësor të të gjithë elementeve përbërëse: ndërtimet e brendshme dhe pjesën e fasadës. "E meriton një iniciativë kaq të pazakontë ky zbulim, pasi një ndër pikat ku qendra historike e Tiranës dëshmohet me të gjithë hershmërinë e saj", shprehet Gjoka. Për të, gjykimet e deritanishme që janë dhënë mbi zbulimin kanë të nxituara edhe pse deri diku mund të jenë të sakta. Deri më tani, sipas Gjokës, ka qenë një situatë e pamjaftueshme për të dhënë gjykime, po të kihet parasysh dhe fakti tjetër se që të gjithë janë përfshirë në debat, edhe ata që nuk janë specialistë specifikë të fushës. Ndërsa më fazën e re ku ka hyrë çështja pas vendimit të KKR-së, krijohet komoditeti i duhur për studime të avancuara dhe rrjedhimisht, gjykime më të sakta.

"Fillimisht, thotë Gjoka, do të bëhet një rivlerësimi situatës dhe një rregullim në aspektin e kompetencave, pasi zona e atyshme është në varësi të trefishtë tashmë; nga bashkia, nga Instituti i Monumenteve dhe Instituti Arkeologjik". Aspekt tjetër i rëndësishëm, është ai financiar; gjetja dhe përcaktimi i fondit për ndërhyrjen në rrënoja. "Tashmë një gjë është e sigurt dhe e pakthyeshme: që ato gjurmë nuk do të mbulohen më", thotë koordinatori Gjoka edhe pse sipas tij, 7 vjet më parë, në 2001, në afërsi të një prej portave të kalasë së Tiranës, ku sot ndodhet policia bashkiake, janë evidentuar të njëjtat gjurmë, por që u mbuluan. "Fjala ishte për një kullë katrore, ndërsa ato që janë gjetur këto ditë janë kulla rrethore atraktive", shprehet ai.

Legjislacioni

Ministri Pango ka kërkuar dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve amendimin e ligjit mbi trashëgiminë në disa pika. Dhe shkak është bërë pikërisht zbulimi i kullave të kalasë së vjetër të Tiranës. Ky zbulim, është trajtuar si një realitet i ri jo vetëm për atë zonë të Tiranës, por për gjithë trashëgiminë në përgjithësi, e cila konsiderohet si më e dëmtuara nga ndërtimet e shumta. Dhe, për t‘u prerë rrugën abuzimeve mbi trashëgiminë, si dhe për t‘iu përgjigjur një realiteti të ri pas zbulimit në qendër të Tiranës e zbulimeve të tjera të kësillojshme, ministri Pango ka kërkuar disa amendime në ligj.

Kryebashkiaku Rama: Dalja në sipërfaqe e rrënojave të kalasë së Tiranës, ridimensionim i historisë së kryeqytetit

Zbulim rrënqethës!

Kryebashkiaku Rama ka parë nga afër zbulimin e kullave të kalasë së vjetër në rrugën "Luigj Gurakuqi". "Prej disa ditësh jemi në kontakt me specialistë të Monumenteve të Kulturës lidhur me këtë ngjarje shumë të rëndësishme për historinë e kryeqytetit. Ne kemi sot përpara një fakt i cili është rrënqethës për sa i përket prejardhjes së Tiranës, të historisë së saj që me këtë zbulim ridimensionohet", tha Rama. Ai tha se "duhet të koordinohet puna me të gjithë ekspertët e jo vetëm të monumenteve të kulturës, por edhe të trafikut për të kuptuar se cila mund të jetë zgjidhja optimale, në mënyrë që kjo vlerë e re, por njëkohësisht edhe e vjetër e Tiranës, të jetë në sytë e të gjithëve dhe që nga ana tjetër, Tirana të jetë një qytet i jetueshëm dhe i qarkullueshëm në zemër të saj, ku është dhe pozicioni më i madh i trafikut". "Kjo është një sfidë, tha qytetari "numër një" i Tiranës, të cilën duhet ta trajtojmë dhe ta zgjidhim duke gjetur rrugën më të arsyeshme për të plotësuar detyrimet tona ndaj së shkuarës, por njëkohësisht edhe ndaj atyre që e jetojnë sot qytetin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›