E Diel, 1 Nëntor 2026

Prag tragjedie në Verona, digjet avioni shqiptar

Rreth 100 shqiptarë kanë shpëtuar për mrekulli dje në Verona, kur avioni me të cilin udhëtonin drejt Tiranës u përfshi nga flakët.

Media italiane njoftoi dje në mbrëmje se një avion shqiptar i linjës Verona-Tiranë është përfshirë nga flakët në aeroportin italian të qytetit të Veronës, ndërsa ishte duke u ngritur nga pista për të fluturuar drejt Tiranës.

Mediat vendase, që u referohen burimeve zyrtare të autoriteteve italiane të fluturimit, raportojnë se avioni me 109 pasagjerë në bord pati probleme me njërin nga motorët, në të cilin zjarri shkaktoi dëme të mëdha, por fatmirësisht pa viktima në njerëz.

Mjeti fluturues shqiptar i tipit MD-80 ka dhënë alarmin menjëherë dhe forcat e zjarrfikësve kanë mundur të evitojnë tragjedinë në aeroportin "Vilafranka" të Veronës.

109 pasagjerët, të cilët ishin nisur drejt Tiranës, janë evakuuar menjëherë nga avioni së bashku me ekuipazhin. Pasagjerët kanë qëndruar në pritje të një avioni tjetër për të udhëtuar drejt kryeqytetit të Shqipërisë.

Ndërkohë, agjencia italiane për sigurinë e fluturimit ka hapur një hetim në lidhje me incidentin e ndodhur, që për pak mund të shkaktonte një katastrofë në pistë.

Sipas zjarrfikësve, zjarri mund të jetë shkaktuar nga një rrjedhje vaji, nëpërmjet një çarjeje në një tub hidraulik.

Edhe për shkak të numrit të kufizuar të fluturimeve, avionët e linjave shqiptare nuk kanë pësuar ndonjëherë aksidente të rënda. Aksidenti më i rëndë për sa i përket aviacionit civil në Shqipëri, ka qenë dalja e një avioni nga pista e Rinasit, disa vite të shkuara. Në vitin 2006, një avion i "Turkish Airlines", që udhëtonte nga Tirana në Stamboll, u mor peng nga një person i paarmatosur dhe u detyrua të ulej në Brindisi të Italisë.

Ndërsa në vjeshtë të vitit 2007, një avion turk, që fluturonte edhe në linjën e Tiranës, u rrëzua gjatë një fluturimi brenda Turqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›