Korrupsioni, "Fiks Fare" kap mat prokurorin
"Prokurori më kërkoi pesë mijë euro që të kërkonte një dënim minimal për djalin tim". Kjo është akuza që ngriti dje në emisionin "Fiks Fare" Zagoll Muça.
Djali i tij, Selam Muça, është arrestuar disa muaj më parë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë Kavajë ka filluar hetimi gjyqësor. Dy ditë përpara dhënies së konkluzioneve të organit të akuzës në këtë proces, i cili përfaqësohej nga prokurori Musa Mërkurti, ky i fundit i kërkon babait të njërit prej të pandehurve, që të paguajë 3500 euro, kundrejt një pretence me sa më pak vjet burg.
Sipas qytetarit Zagoll Muça, prokurori nëpërmjet avokatit të të birit, i kishte kërkuar fillimisht pesë mijë euro për t‘i kërkuar gjykatës një dënim minimal. Babai i të pandehurit nuk kishte mundësi të gjente shumën e mësipërme dhe i jep fillimisht dy mijë euro prokurorit.
Në bisedën e regjistruar, që u transmetua dje në "Fiks Fare", prokurori Musa Mërkurti pranon se ka marrë prej Zagoll Muçës dy mijë euro. Në këtë moment, qytetari i jep edhe pesëqind euro të tjera. Më pas fillon pazari se edhe sa euro të tjera duhet t‘i paguante qytetari prokurorit që ai të kërkonte një dënim jo më shumë se tetë vjet burg për të pandehurin.
Duke i lënë takim një ditë përpara seancës gjyqësore, gjatë së cilës do të jepeshin konkluzionet e akuzës, prokurori i kërkon dhe një mijë euro të tjera Zagoll Muçës.
Pa e ditur se e gjithë biseda mes tyre regjistrohej, prokurori pranon se do të kërkojë shtatë vjet e pak vite burg për të birin e plakut që po i dorëzonte paratë. Megjithatë, ai thekson disa herë gjatë bisedës se vendimin përfundimtar do ta jepte gjykata. Ndërkohë që i kujton disa herë qytetarit se djali i tij, i cili sot është ulur në bankën e të akuzuarve akuzohet për katër vepra penale dhe dënimi që parashikon ligji në këto raste është shumë i madh, rreth 15 vjet burg.
Biseda e qytetarit me prokurorin
Qytetari: Unë do të kisha ardhur me Pjetrin, avokatin, por ai kishte gjyq në Fier. Në orën 10.00 e kishte gjyqin tjetër dhe... U mundova dhe erdha vetë, se u turpërova atë ditë... Se unë një 2 mijëshe mblodha atë ditë. Tani jam gati, më thuaj!
Prokurori: Në ç‘kuptim?
Qytetari: Se 2 mijë t‘i dhashë
Prokurori: Po!
Qytetari: Tani sa do të tjera?
Prokurori: Çfarë? Se unë i thashë atij sa mund të kërkoj unë, sa mund të kërkoj masë dënimi.
Qytetari: Unë erdha për minimum.
Prokurori: Jo, nuk e bëj, 7 vjet e një çikë do të kërkoj...
Qytetari: Ti ke fëmijë vetë tani, unë...
Prokurori: O Zagoll, ti e ke çun, unë kam 12 muaj që 12 herë a 200 herë që e sjell nëpër mend, si me qenë vëllai im. Këtë a e beson?
Qytetari: Po.
Prokurori: Por nuk i bihet murit me kokë. Çfarë nuk e përmban ligji. Me e thy ligjin, unë nuk e thyej dot. Ti ke avokatin tënd. Unë nuk jap dënim, unë kërkoj dënim. Unë jam prokuror. Në emër të shtetit, them, që filani ka bërë këtë vepër penale, i ka katër vepra penale do të kërkoj një çikë më tepër se... me sakrifiku punën time, rreth 8 vite... Fol me avokatin, fol me gjykatën, se e ka 15 vjet, se nuk e ka prokurori...
A ke folur me njeri deri më sot, a ke folur me njeri? Të hënën është kërkesa që do të bëj unë. Kam bërë një etiketim, atë që i thashë Pjetrit atë ditë, rreth 8 vjet.
Qytetari: Nuk ka mundësi te 7?
Prokurori: Jo te 7 fiks nuk e bëj dot.
Qytetari: Ku te 8?
Prokurori: Te 8. Nuk bëhet Zagoll. Do të prishet çështja prapë? Që ta bëjë dikush tjetër e me t‘i dhënë 15 vjet. Me 4 vepra penale dhe me gjithë atë gramaturë droge, e ka 15-shi... Unë sadopak të kërkoj... me rrezik për veten time. Vendimin përfundimtar e jep gjykata. Duhet me shku me fol, sepse për 9 gramë Zagoll janë marrë 9 vjet burg. Këta kanë 300 gramë njëri, 500 tjetri, rreth 1 kile drogë t‘i japin 15 si duke qeshur...
Qytetari: E di, ma ke thënë edhe një herë...
Prokurori: Unë me sakrificë do të përpiqem me i kriju mundësinë gjykatës, mos me kërku unë shumë, me kërku sa të mundem më pak, por jo te 7-shi...
Qytetari: Por të paktën te 7 e gjysma...
Prokurori: Dakord, aq besoj, aq po munda, aq do marrë.
Qytetari: Më dha një porosi çuni, më tha se... Unë e kam vënë në shitje makinën dhe nesër, të shtunën në mëngjes, marr pagesën. Dy t‘i kam dhënë, urdhëro edhe një pesëshe, të tjerat i do të shtunën apo të dielën, se marr nga makina?
Më thuaj sado ti? Apo mirë të hënën?
Prokurori: Jo, të hënën, se unë të shtunë dhe të diel punoj në dosje...
Qytetari: Më thuaj ti...
Prokurori: Jo, nuk të them, nuk fliten tani këto muhabete... Nuk di gjë për gjykatën, nuk kam asnjë punë, zgjidhe me avokatin, çfarë të marr përsipër...
Qytetari: Ma thuaj, 2500 u bënë t‘i dhashë, e sa të tjera?
Prokurori: Edhe një njëshe.
Qytetari: Edhe një. Mirë faleminderit!