Reforma, ikin mësuesit me pedagogjike
MASH u përsërit drejtorive arsimore se nuk duhet të largojnë mësuesit e vjetër që janë diplomuar para vitit ‘83 edhe pse janë me shkollë të mesme
Reforma në arsim ka zbritur në periferi të kryeqytetit. Mësuesit e fillores janë njoftuar se do të lënë së shpejti vendet e punës. Ky urdhër i dalë nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës, ku përfshihen gjithë komunat dhe Bashkia e Vorës ka për qëllim të zëvendësojë mësuesit me arsim të mesëm, me ata me arsim të lartë. Kështu, të gjithë mësuesit aktualë, që kanë kryer shkollën e mesme pedagogjike do të ikin nga puna. Statusi i tyre sapo ka ndryshuar nga "definitiv" në "provizor", që do të thotë në momentin më të parë bëhet zëvendësimi i tyre. Ministria e Arsimit bëri të ditur për "Shqip" se në bazë të udhëzimit të ministrit të Arsimit të vitit 2006 për "reformën në arsim" çdo drejtori arsimore ka të drejtë të nxjerrë vendime zbatuese". Për rastin konkret, Drejtoria e Arsimit në Tiranë, nisur nga numri i shumtë i aplikantëve për mësues ka vendosur të reformojë arsimin fillor. Kjo do të thotë se mësues të rinj me shkollë të lartë, që janë aktualisht në listat e pritjes për punë do të zëvendësojnë mësuesit e vjetër me shkollë të mesme pedagogjike. Gjithsesi, MASH, shprehet se drejtoritë arsimore duhet të bëjnë një reformë selektive dhe jo të shkarkojnë mësuesit në masë. Përpos kësaj, urdhri i ministrit thotë të mos preken mësuesit, që kanë mbaruar shkollën para vitit ‘83. E para, sepse ata janë në prag pensioni dhe e dyta në atë kohë shteti këtë lloj shkolle ofronte, nuk kishte studime të larta për Cikël të Ulët siç ka tani. "Kemi udhëzuar drejtoritë arsimore që ta realizojnë reformën me faza", bën të ditur zyra e shtypit. Sipas saj, fillimisht duhet të hiqen mësuesit që kanë mbaruar shkollën me korrespondencë, më tej në fazën e dytë ata që janë jashtë profilit të tyre, pra që kanë një diplomë që nuk përputhet me lëndën që japin dhe faza e tretë është largimi i mësuesve me arsim të mesëm pedagogjik. Këta të fundit duhet të zëvendësohen gradualisht me mësues të diplomuar, pra me fakultet për Cikël të Ulët. Duke u ndalur në këtë kategori mësuesish, MASH u përsërit drejtorive arsimore se nuk duhet të largojnë mësuesit e vjetër që janë diplomuar para vitit ‘83 edhe pse janë me shkollë të mesme.