E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT "heq dorë" nga Ushtaraku, do të ketë traumën e vet

Është gjetur e mesmja e artë. Spitali "Nënë Tereza" ka hequr dorë nga zhvendosja e traumës nga Ushtaraku te civili. Lajmin e mirë që qendra universitare civile do të ketë shërbimin e saj të traumës e ka dhënë vetë kreu i Shëndetësisë, Nard Ndoka. Ndërsa ka sqaruar se spitali më modern, masterplani i QSUT-së do të përfundojë vitin tjetër. Sipas projektit të ri, në këtë qendër do të investohen 14 milionë dollarë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB) dhe 7.4 milionë dollarë nga qeveria shqiptare. Në përfundimin e fazës së parë të projektit ku bën pjesë ndërtimi i një ndërtese të re spitalore me 5 kate, ku do të vendosen shërbimet e ekzaminimeve të imazherisë dhe diagnostikimit, qendra e sterilizimit, urgjenca, mjekësia e përgjithshme, laboratorët klinikë, hematologjia, si dhe laboratori histologjik. Brenda saj do të jenë 115 shtretër për trajtimin e të sëmurëve. Ministria ka parashikuar financimin e pajisjeve të reja mjekësore dhe deri në mesin e vitit 2009 spitali do të jetë tërësisht i pajisur e në dispozicion të qytetarëve.

"Qendra e traumatologjisë që do të ngrihet në godinën e re, pranë sëmundjeve të brendshme (6 katëshit) do të jetë më e specializuar", tha Ndoka. Sipas tij, pajisjet mjekësore do të financohen nga qeveria shqiptare në masën prej rreth 8 milionë eurosh. "Në këtë spital të ri me pesë kate, i cili pritet të përfundojë brenda viti 2009, shërbimi i traumatologjisë në QSUT do të jetë më i specializuar. Kjo do të thotë që edhe QSUT do të ketë shërbimin e saj", deklaroi Ndoka, duke shtuar se ndërtimi i spitalit më të ri në Tiranë (me sipërfaqe prej 75 mijë metrash katrorë) u vlen të gjithë spitaleve, mjekëve dhe qytetarëve, pasi përqendrimi i disa shërbimeve si ai i urgjencës, imazherisë, laboratorëve dhe i mjekësisë interne do të ndihmojë në mbarëvajtjen dhe efektivitetin e punës së spitalit.

Ndërtimi i deritanishëm i spitalit të ri në QSUT i takon fazës së parë. Në katin e nëndheshëm do të funksionojë departamenti i imazherisë, diagnostika funksionale dhe sterilizimi qendror. Në katin e parë të spitalit do të vendoset departamenti i urgjencës mjekësore nr. 1 dhe departamenti i urgjencës mjekësore nr. 2, (përfshirë 18 shtretër me qëndrim observim afatshkurtër). Në katin e dytë do të ketë pavijone të mjekësisë së përgjithshme (2 x 30 shtretër), ndërsa kati i tretë do të jetë reanimacioni me 15 shtretër dhe laborator kimik. Kati i katërt do të përfshijë Departamentin e Hematologjisë (me 16 shtretër standard, 6 shtretër të specializuar dhe 14 vende për kujdes ambulator). Kati i fundit i spitalit të ri do të ketë shtatë salla operacioni, dhoma e zgjimit pas operacionit (8 shtretër) dhe laboratori histologjik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›