E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia Kamëz, shpërblime luksoze për festa

Plot 110 mijë lekë të reja është shpërblimi për festat e fundvitit që kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, ka firmosur për veten e tij. Ai ka marrë gjithashtu edhe bekimin e këshillit bashkiak me shumicë të djathtë, sikundër edhe i zgjedhuri në krye të pushtetit vendor të kësaj zone. Një shpërblim të tillë duket se do ta kishte zili edhe vetë Presidenti, Kryeministri, madje edhe Kryetarja e Kuvendit. Kjo pasi për të gjithë administratën shqiptare, pavarësisht nga posti i gjithsecilit, me një vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar që shpërblimi për festat e fundit të vitit të jetë në shumën 10 mijë lekë të reja. Ndërkohë që është shfuqizuar vendimi i mëparshëm për rrogën e trembëdhjetë në fund të vitit. E megjithatë Bashkia e Kamzës duket se nuk ka lidhje me pjesën tjetër të shtetit. Ajo i mbështet vendimet e saj në ligjin "për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore", që për fat të keq nuk ka të shkruar gjëkundi që kryetari i bashkisë, pavarësisht decentralizimit të kompetencave, nuk mund të bëjë si të dojë me paratë e taksapaguesve.

Të qenit i punësuar në Bashkinë e Kamzës nuk ka dalë keq vetëm për kryetarin e saj të zgjedhur me vota elektorale, por edhe për administratën e tij. Në projektvendimin e Bashkisë Kamëz, që mban datën 14 dhjetor 2007, kërkohet nga ana e Këshillit Bashkiak fondi prej 3464442 lekë të reja nga të ardhurat e bashkisë për shpërblimin e punonjësve të administratës. Ky shpërblim është i barabartë me një pagë mujore. Dhe natyrisht duke qenë se kompetencat e bashkive dhe komunave tashmë janë decentralizuar, nuk ka se si të mos jenë fort të lakmueshme edhe pagat e tyre mujore. Kështu, në listën bashkangjitur projektvendimit të bashkisë për shpërblimet gjenden emrat e 84 punonjësve të administratës së saj. Shumat variojnë nga 83 mijë lekë të reja, deri në 25 mijë lekë, që duket se është edhe rroga më e vogël që jep ky institucion për punonjësit e tij.

Në relacionin që drejtori i financës së kësaj bashkie ka përgatitur për "të bindur" këshillin bashkiak që t‘i miratojë këto shuma shpërblimesh, justifikimi që përdoret është: "Në mbështetje të ligjit ‘për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore‘, neni 19, pika 3, ‘mbi mënyrat e përdorimit të fondeve të veta buxhetore‘ të vendimit të Këshillit Bashkiak nr.15 dt 06.04.2007 ‘mbi detajimin e buxhetit të Bashkisë Kamëz për vitin 2007‘, si dhe duke qenë se kemi një rritje të të ardhurave të vetë bashkisë, të realizuara për vitin 2007, kërkojmë nga këshilli bashkiak miratimin e fondit prej 3464442 lekësh nga të ardhurat e bashkisë për shpërblimin e punonjësve me një pagë mujore".

E ndërsa në një vendim të mëparshëm me kërkesë të vetë bashkisë, po ky këshill bashkiak ka miratuar eliminimin e shpenzimeve për dekor për festën e Vitit të Ri (duke i kaluar fondet për blerjen e një makine prej 5 milionë të kryebashkiakut), tashmë ka miratuar mbi 34 milionë e gjysmë lekë të vjetra si shpërblime për punonjësit e institucionit.

Gjithashtu, një fond prej 1434616 lekësh është kërkuar edhe për shpërblimin e punonjësve të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve. Një tjetër fond prej 1681639 lekësh është kërkuar për shpërblimin e punonjësve të ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit e treg.

Nga ana tjetër, Bashkia e Kamzës, ku vetëm në zonën e Bathores numëron mbi 60 mijë banorë dhe që klasifikohet si e shtata në Republikë për nga numri i popullsisë (e natyrisht dhe jo i pak problemeve), përdor një fond prej 1893000 lekësh për ndihmën ekonomike. Më të varfrit e kësaj bashkie, plot 1359 familje, vetëm në muajin dhjetor presin që të marrin dy muaj me vonesë pagesat nga 5 deri në 8 mijë lekë, që i takojnë tetorit. Duket se për këta të fundit, Viti i Ri më parë do të ikë se sa do të vijë.

Po kështu në projektvendimin e datës 10 dhjetor 2007 kërkohet edhe miratimi i fondit të muajit tetor për pagesën e paaftësisë që kap shumën e 9487885 lekë për 1397 persona.

Me një llogari të thjeshtë rezulton se 18 milionë e 900 mijë lekë të vjetra do të marrin këtë muaj 1359 familjet e varfra të Kamzës, dhe pothuajse dyfishin e shumës do ta marrin si shpërblim vetëm 84 punonjës të kësaj bashkie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›