Posta: 95 mijë pensionistë kanë marrë shpërblimin
Edhe dje ka vijuar shpërndarja e pensioneve dhe shpërblimeve për moshën e tretë në të gjitha sportelet e Postës Shqiptare. Kjo pavarësisht faktit se e diela është një ditë pushimi. Një urdhër i Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare ka njoftuar të gjithë punonjësit e saj se do të vazhdojnë të qëndrojnë në shërbim edhe në ditët e fundjavës, në mënyrë që të gjithë pensionistët të mund të tërheqin përpara festave të fundvitit shpërblimin e akorduar nga qeveria prej 5 mijë lekësh. Deri tani numri i të moshuarve që kanë mësyrë në dyert e sporteleve të postës ka arritur në 95 mijë veta. Ndërkohë që drejtuesit e postës bëjnë të ditur se puna do të vazhdojë edhe pas Vitit të Ri. "Posta Shqiptare informon qytetarët se shpërndarja e shpërblimit të pensionistëve po vazhdon normalisht edhe ditën e shtunë dhe të diel në të gjitha zyrat postare të Shqipërisë", pohojnë burimet zyrtare të këtij institucioni. Sipas tyre, deri tani janë shpërndarë shpërblimet për rreth 95 mijë pensionistë në të gjithë Shqipërinë dhe po vazhdon të punohet për shpërndarjen në pjesën tjetër të moshës së tretë. "Posta Shqiptare garanton se shpërndarja e shpërblimeve të pensionistëve do te vazhdojë edhe pas festave të fundvitit si dhe gjatë muajit janar me po të njëjtat ritme dinamike. Në këtë mënyrë ne u bëjmë apel të gjithë qytetarëve dhe në veçanti moshës së tretë, të mos shqetësohen për marrjen e shpërblimeve të tyre, pasi ky proces do të vazhdojë në mënyrë konstante derisa shpërndarja të kryhet plotësisht", shprehen përfaqësuesit zyrtarë të Postës Shqiptare. Ndërkohë që garantohet edhe shpërndarja në shtëpi e pensioneve dhe shpërblimeve të fundvitit për ata persona të moshuar të cilët për arsye nga më të ndryshmet e kanë të pamundur që të paraqiten pranë sporteleve. Posta ka njoftuar se për të gjithë qytetarët e tjerë që kanë nevojë për shërbime, garantohet një punë korrekte nga përfaqësuesit e saj në të 541 zyrat postare në të gjithë vendin.