Bashkia mbjell 1500 pemë në Unazën e Re të Tiranës
Plot 1500 pemë të reja kanë filluar të mbillen në zonën e Unazës së Re, një iniciativë kjo e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës. Ky aksion i lokalëve ka filluar dje, për shtimin e kurorës së gjelbër të kryeqytetit, ndonëse vetëm me 1500 pemë në këtë zonë. Unaza e Re njihet për dendësinë e madhe të trafikut dhe smogut e ndotjes, që ngrihet prej automjeteve. Përfaqësuesit zyrtarë të bashkisë u shprehën se ky aksion synon rritjen e përmasës së gjelbër në këtë zonë. Ndërkohë që, vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili ishte i pranishëm gjatë këtij aksioni të Ndërmarrjes së Punëtorëve 1 të kryeqytetit theksoi se: "Janë 1500 pemë që këtë vit, në këtë sezon të ri mbjelljesh i shtohen përmasës së gjelbër të kryeqytetit, e cila pa pikën e dyshimit duhet shtuar dhe forcuar edhe më shumë në vitet që vijnë, por jam gjithsesi, besimplotë që këta hapa sistematikë të hedhur në rritjen e kësaj përmase të gjelbër shtojnë aftësitë e kryeqytetit për të përballuar dhe për të ekuilibruar zhvillimin në planet e tjera. Sigurisht që për sa i takon rritjes së përmasës së gjelbër në tërësi, në këtë vend ka ende shumë për të bërë në të gjithë territorin e atdheut tonë".
Tirana mbetet një ndër kryeqytetet më të ndotura në Evropë, ku të dhënat statistikore si pasojë e monitorimeve të ndryshme tregojnë parametra gati të frikshme të ajrit të mbushur me elemente të rrezikshme për shëndetin human. Aktualisht, zonat dikur të gjelbëruara të kryeqytetit janë pushtuar nga blloqet e betonit dhe ndërtimet e shumta, që nuk kanë bërë tjetër veçse kanë ulur cilësisht pastërtinë e frymëmarrjes së përditshme të gjithsecilit në kryeqytet. Ndërkohë që, nuk ndihet ende, asnjë shenjë pozitive e ndonjë politike të ndërmarrë për këtë çështje, nga ana e Ministrisë së Mjedisit.