E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët, kalime në Shengen edhe me karta të skaduara

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj Itali, gjatë udhëtimit të tyre për festat e fundvitit në atdhe, do të kenë mundësi që të udhëtojnë edhe tranzit në "Zonën Shengen" apo të përdorin asi kufijtë ajrorë, detarë dhe tokësorë. Lajmi i mirë vjen nga përtej detit, pasi autoritetet italiane bëjnë të ditura lehtësirat e miratuara. Por këto procedura do të jenë të vlefshme vetëm për ata emigrantë të cilët janë të pajisur me leje qëndrimi. Gjithashtu, në listën e përfituesve hyjnë të gjithë ata persona që kanë filluar procedurat e ripërtëritjes së kësaj lejeje qëndrimi. Specialisti për Emigracionin në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Durim Hatibi, shprehet se gjatë lëvizjeve për festat emigrantët shqiptarë, në pritje të ripërtëritjes së lejes së qëndrimit, mund të vijnë dhe të largohen, duke kaluar tranzit nëpër "Zonën Shengen". Ai sqaron më tej se deri më 31 mars të vitit 2008 tranziti i lejuar do të përfshijë të gjitha llojet e kufijve, ata ajrorë, detarë dhe tokësorë. Por duhet pasur kujdes sepse kjo procedurë, vijon më tej Hatibi, vlen vetëm për ata, që kanë kërkuar dhe dokumentojnë kërkesën për ripërtëritjen e lejes aktuale të qëndrimit.

Ndërsa të gjithë emigrantët shqiptarë në pritje të marrjes së lejes së parë të qëndrimit mund të vijnë rregullisht në Shqipëri, por pa kaluar tranzit në shtetet e "Zonës Shengen".

E gjithsesi duket se ky është një lajm i mirë për një kategori të posaçme të emigrantëve shqiptarë. Të paktën, ata nuk do të shtrëngohen të bëjnë "akrobacira" të pamerituara, që të gjejnë një fluturim të drejtpërdrejtë Itali-Shqipëri, apo të sigurojnë një biletë trageti, në morinë e kërkesave pranë agjencive të udhëtimit. Të gjitha këto, pa qenë të shtrënguar në ankthin e afateve kohore të ngushtuara. Pra, duke nisur nga sot dhe deri në fund të marsit, ata që dëshirojnë të rikthehen pranë familjeve dhe që janë në pritje të ripërtëritjes së lejes së qëndrimit, mund të kalojnë tranzit nëpër shtetet e tjera të "Zonës Shengen", duke paraqitur në kufijtë, vetëm dëftesën ("la ricevuta") të kërkesës për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit të skaduar dhe pasaportën.

Hatibi kujton se ashtu siç ndodhi edhe verën e shkuar, nga Brukseli u "hap drita e gjelbër" për kalimin tranzit në "Shengen" të personave, që zotërojnë "cedolino"-n, por kësaj here, përveç kalimeve aeroportuale, tranziti do të jetë i lejuar edhe nëpër të gjithë kufijtë detarë dhe tokësorë. Kështu në rast se një emigrant shqiptar, në pritje të ripërtëritjes së lejes së qëndrimit dëshiron, apo i volit të kthehet në shtëpi me autobus, apo makinë, mund të kalojë i qetë nëpër rrugët e shtetit të Austrisë, apo Hungarisë. Në "Zonën Shengen" tashmë bëjnë pjesë Italia, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Belgjika, Holanda, Portugalia, Spanja, Austria, Greqia, Suedia, Danimarka, Finlanda, Norvegjia dhe Islanda, por më 21 dhjetor do "të bien" edhe kufijtë e Estonisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Republikës Çeke dhe Maltës. Këto lehtësira përfshijnë vetëm ata që kanë kërkuar ripërtëritjen e lejes së qëndrimit dhe jo që presin lejen e parë, meqë kanë ardhur në Itali me flukset e zyrtarizuara dhe rregullisht, apo në kategorinë e ribashkimeve familjare. Në këto raste, lejohet rikthimi në Shqipëri, por pa kaluar tranzit në shtetet që bëjnë pjesë në "Zonën Shengen", duke kaluar si në vajtje, ashtu edhe në rikthim në Itali nga e njëjta pikë e kalimit kufitar dhe duke treguar dëftesën e kërkesës, së bashku me pasaportën dhe vizën, nga ku kuptohet motivi i qëndrimit në Itali.

Ministria e Brendshme italiane sqaron:

Jo kalime tranzit me leje qëndrimi për herë të parë

Në Qarkore shtjellohet se të huajt, që zotërojnë dëftesën ("la ricevuta") të lëshuar nga Zyrat Postare italiane, pra që vërteton kërkesën për lëshimin e lejes së parë të qëndrimit, si punëmarrës, të vetëpunësuar, apo për motive të ribashkimit familjar, mund të shkojnë në vendin e origjinës dhe të rikthehen në Itali me kusht që: dalja dhe rihyrja në Itali të bëhen nga e njëjta pikë e kalimit kufitar. Udhëtimi nuk duhet të parashikojë tranzitin përmes vendeve të tjera të "Zonës Shengen". Emigranti duhet të tregojë pasaportën, apo dokumentin e barasvlefshëm të udhëtimit, së bashku me vizën e hyrjes, nga ku kuptohet motivi i qëndrimit (me motive si punëmarrës, i/e vetëpunësuar, ribashkim familjar), si dhe dëftesën e Zyrave Postare italiane. Personeli i ngarkuar me kontrollin e kufirit duhet të procedojë me vulosjen e dokumentit të udhëtimit dhe të dëftesës të paraqitura nga mbajtësi i tyre gjatë daljes dhe rihyrjes në Itali. Kjo Qarkore i referohet një tjetre, të 27 qershorit 2007, dhe rikonfirmon se të huajt, me qëndrim të rregullt, që zotërojnë dëftesën e cila provon paraqitjen e praktikës për ripërtëritjen, apo azhornimin e titullit të qëndrimit, shprehimisht edhe regjistrimin e "fëmijëve të mitur" mund të kërkojnë një leje qëndrimi të përkohshme, prej letre me vlefshmëri të kufizuar dhe sipas kërkesave të parashikuara. Ky lehtësim do t‘u mundësojë edhe pasardhësve të mitur që të largohen përkohësisht nga territori kombëtar italian dhe të rikthehen atje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›