E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja: Emigrantët, të drejtat dhe përfitimet e pensionit

Rreth 360 mijë shqiptarë që aktualisht ndodhen në Itali do të kenë mundësi të marrin informacionin paraprak lidhur me përfitimet që u takojnë. Shumë prej 360 mijë shqiptarëve, të cilët aktualisht ndodhen në vendin fqinj e që kanë emigruar pas viteve 1990, gjatë kohës së punësimit në Shqipëri kanë mbushur dhe një vjetërsi pune. Por, nëse ata nuk plotësojnë 15 vjet vjetërsi, nuk kanë mundësi të marrin as një pension minimal. Kështu për të dhënë informacionin e detajuar lidhur me mënyrën se si do të përfitojnë, ku duhet të paguajnë, shumën që duhet të derdhin apo të tjera si këto, shqiptarët do të kenë mundësi t‘i marrin nga agjentët e lëvizshëm të Institutit Kombëtar Italian, INAS, të cilët janë të shpërndarë në të gjithë vendin.

Për të gjithë emigrantët, që kanë nevojë të jenë të informuar mbi të drejtat dhe mbrojtjet, që ligji parashikon për ta dhe që tani mund të kenë mbështetjen e rrjetit të asistencës së krijuar nga sportelet territoriale të Institutit Kombëtar Italian të Asistencës Sociale (INAS), falë Protokollit të Bashkëpunimit që Instituti Mbrojtës (Patronati) i sindikatës italiane CISL ka nënshkruar me Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë (ISSH). Një marrëveshje që merr një rëndësi edhe më të madhe, ashtu sikurse kanë nënvizuar si presidenti i INAS-it, Giancarlo Panero, ashtu edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, po të merret parasysh fakti që deri më sot ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë nuk ekziston një marrëveshje dypalëshe në fushën e mbrojtjes sociale, që të sigurojë ruajtjen e të drejtave

që u takojnë shtetasve që kanë emigruar nga njëri vend në tjetrin. Delegacionet ranë dakord për të zhvilluar veprimtaritë institucionale përkatëse në kuadrin e emigracionit, duke shkëmbyer për këtë qëllim informacione, ekspertë, njohuri teknike, si edhe të bashkëpunojnë në frontet e informimit dhe të formimit. Do të realizohen fushata për shtetasit shqiptarë, të cilët shumë shpesh janë nisur dhe nisen edhe sot, pa pasur të qartë se cilat janë të drejtat e tyre, se si mund t‘i kërkojnë ato dhe për të mos humbur të drejtat që tashmë u përkasin. Kjo me qëllimin që të përhapen njohuritë mbi mbrojtjen dhe asistencën sociale të parashikuara nga kuadri ligjor italian dhe shqiptar dhe që të përsosen shërbimet e ofruara nga Instituti i Mbrojtjes INAS dhe nga CISL në përgjithësi. Njëkohësisht, do të përpunohet, në mënyrë të përbashkët, një program i përshtatshëm formimi për operatorët e sporteleve të të dy instituteve, me qëllim që të dinë të përmbushin me efektshmëri dhe me kompetencë kërkesat e shtetasve shqiptarë që ndodhen tashmë në Itali ose që kanë ndërmend që të shkojnë atje për arsye pune. "Me këtë marrëveshje, INAS-i, i cili është angazhuar fuqishëm që më përpara për t‘iu ardhur në ndihmë emigrantëve, duke u mbështetur në legjislacionin italian në fuqi dhe në protokollet e nënshkruara me Ministrinë e Brendshme italiane", tha presidenti Panero.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›