E Diel, 1 Nëntor 2026

Invalidët: "Urbanët" po na keqtrajtojnë

Shoqata e Invalidëve të Punës ka denoncuar dje moslejimin e tyre për të udhëtuar falas në transportin publik, si dhe trajtimin fyes e poshtërues nga ana e personelit të linjave urbane të autobusëve në kryeqytet. Ata kanë paralajmëruar edhe një protestë para Bashkisë së Tiranës. Në një konferencë për shtypin në ambientet e lëvizjes "Mjaft" Këshilli Kombëtar i Shoqatës së Invalidëve të Punës, i cili përfaqëson mbi 37 mijë invalidë të tillë në të gjithë vendin, shfaqi shqetësimin lidhur me zbatimin e ligjit të transportit urban dhe interurban për invalidët. Ata fajësojnë kryesisht dhe veçanërisht Bashkinë e Tiranës, por dhe institucione të pushtetit qendror, për moszbatimin e ligjit "Për statusin e invalidëve të punës", në lidhje me transportin urban dhe interurban, mbi taksat vendore, ngritjen e pensioneve, trajtimin me ndihmë paaftësie të invalidëve të punës me sëmundje profesionale dhe aksidente në punë. Ky grupim synon të sensibilizojë publikun, Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë mbi kushtet e trajtimit të invalidëve nga drejtuesit e transportit publik, mosreagimin e institucioneve përgjegjëse, si dhe mungesën e përgjithshme të kushteve në trajtimin e kësaj kategorie në nevojë. Sipas tyre, të pazbatuara kanë mbetur dispozitat ligjore që sanksionojnë heqjen e pagesës së 100 lekëve të recetës për invalidët e pjesshëm, punësimin e invalidëve të punës, të cilët janë me të drejtë pune të përcaktuar, si dhe caktimin e vendeve për parking të automjeteve të invalidëve të tjerë. "Bashkia e Tiranës është institucioni që nënshkruan kontratat me operatorët e transportit publik dhe si e tillë është direkt përgjegjëse dhe fajtore për mosndëshkimin e firmave, kur ato shkelin ligjin dhe kontratat, duke trajtuar në mënyrë çnjerëzore grupe në nevojë, siç janë edhe invalidët e punës", deklaruan dje përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve. Sipas tyre, një sjellje e tillë, sidomos nga ana e operatorëve të transportit urban në kryeqytet, ku entitet përfaqësues ligjor është Shoqata e Transportit Urban në Tiranë, është e turpshme dhe absurde, ndaj kërkohet ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës, e cila me mosreagimin e saj rrezikon të pozicionohet në krah të atyre që shkelin ligjin, për të minimizuar kostot në kurriz të kategorive të pambrojtura. Invalidët e punës kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Punës, asaj të Financave, Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacioneve, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të shkelë ligjet e shtetit shqiptar dhe në veçanti ligjin për invalidët e punës. Në deklaratën e tyre theksohet se: "Nuk do të lejojmë askënd të nëpërkëmbë dhe të diskriminojë identitetin tonë, duke përdorur dhunë psikologjike dhe fizike në linjat e transportit urban në Tiranë. Nuk duhet të neglizhohen nga askush të drejtat ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për invalidët e punës". Këshilli Kombëtar i Invalidëve të Punës ka përgënjeshtruar deklaratën e përfaqësuesit të Shoqatës së Transportit Urban në Tiranës, Ferdinand Ibrahimi, i cili deklaron se vetëm në kryeqytet janë rreth 40 mijë invalidë të punës, në një kohë që në krejt vendin llogariten rreth 37 mijë syresh. Përfaqësuesit e invalidëve i bëjnë thirrje atyre "të mos spekulojnë me shifrat e invalidëve të punës dhe me fatkeqësinë që i ka pllakosur". "I bëjmë thirrje Shoqatës së Transportit të gjejë rrugë të tjera për zgjidhjen e problemeve të saj, jo në kurriz të invalidëve", u shprehën ata. Përfaqësuesit e invalidëve të punës u kanë bërë thirrje autoriteteve qeverisëse qendrore dhe vendore që licencojnë shoqëritë e transportit publik, që të zbatohen kushte dhe standarde për personat me aftësi të kufizuara, në bazë të normave ndërkombëtare për transportin publik. Shoqata e Invalidëve të Punës, mbështetur nga shumë organizata e shoqata të shoqërisë civile, njofton se do të organizojë protesta masive dhe të fuqishme, deri në mburoja njerëzore për mbrojtjen e të drejtave të individëve që përfaqëson. Si rrjedhojë, ditën e hënë, datë 17/12/07, në orën 10:00, do të zhvillohet protesta e parë e invalidëve të punës para Bashkisë së Tiranës, e cila do të vijojë në protesta të tjera para këtij institucioni. Lëvizja "Mjaft" Ka mbështetur përpjekjen e invalidëve të punës për mbrojtjen e të drejtave të tyre duke deklaruar se do të përfshihet plotësisht në mbrojtje të këtij grupi dhe grupeve të tjera me aftësi të kufizuara apo në nevojë, përmes protestave të përbashkëta para çdo institucioni përgjegjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›