E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo premton: Shkolla e re garanton 30 nxënës në një klasë

Një shkollë e re me vlerë prej 650 mijë eurosh sapo ka filluar nga ndërtimi në qytetin e Korçës. Kjo godinë po ngrihet në një lagje të populluar rishtas në këtë qytet. Ajo do të ketë një kapacitet prej 500-600 nxënësish të ndarë në 4 klasa, dhe do të jetë e pajisur me palestër, laboratorë, bibliotekë, terrene sportive dhe sistem ngrohjeje qendror. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, i pranishëm në inaugurimin e punimeve të kësaj shkolle u shpreh se synimi i përbashkët është që kjo shkollë të jetë e përfunduar dhe e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2008-2009.

Sipas ministrit Pollo, qëllimi kryesor i ndërtimit të shkollave të reja është që të arrihet ambicia për një normë të pranueshme për klasën, pra 30-35 nxënës për klasë. "Kjo, në mënyrë që të heqim mbingarkesën e shkaktuar nga lëvizjet migratore brenda Shqipërisë", theksoi kreu i dikasterit të Arsimit.

Në rrethin e Korçës numërohen gjithsej 61 shkolla bazë me 15.000 nxënës dhe 22 gjimnaze me 6200 nxënës dhe ndërtimi i kësaj shkolle të re premtohet se do të ndihmojë në uljen e nxënësve për klasë dhe arritjen e numrit të tyre në 30-35 nxënës për klasë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›