"Lëvizja Progresiste", PS-ja krijon KOP-in para zgjedhjeve
Thuajse në të njëjtën kohë, në një situatë të ngjashme. Socialistët po ngrenë struktura politiko-organizative për të përgatitur programin politik të partisë në vitin e fundit të këtij mandati të mazhorancës aktuale. Me "bekimin" e kryetarit të PS-së, Edi Rama, kanë hedhur rrënjë disa organizma që kanë ngjashmëri me KOP-in e dikurshëm të Partisë Demokratike, por në formë dhe përmbajtje më evolutive, të cilat kanë nisur punën e hedhjes në projekt të premtimeve dhe bocetat e ofertës elektorale të së majtës në zgjedhjet e ardhshme. Një nga këto organizma, që ka një vit që është krijuar dhe pritet të promovojë punën e saj në fillim të 2008-ës, është "Lëvizja Progresiste", një organizatë ku marrin pjesë ekspertë të të gjitha fushave, të cilët punojnë si drejtorë apo menaxherë të rëndësishëm në shumë institucione financiare të vendit, banka prestigjioze, apo kompani të mëdha. Saimir Dashi, është drejtuesi i "Lëvizjes Progresiste" (www.levizjaprogresiste.com), e cila aktualisht ka dhe një sit të sajin në internet ku shpalos alternativat e saj dhe debatet mbi zhvillimin e vendit. Një vit më parë, në konstituimin e kësaj lëvizjeje pranë selisë rozë, kanë qenë prezentë kreu i socialistëve Edi Rama dhe drejtues të tjerë. Në prezantimin e "progresistëve", në faqen e internetit theksohet se "Organizata e Progresistëve është një ndër organizatat më të reja të Partisë Socialiste, por krijimi dhe lindja e saj nuk ka ardhur në mënyrë të rastësishme, sepse ideja e një organizmi të tillë ka vite që projektohej dhe punohej nga ideatorët e kësaj organizate. Disa nga anëtarët e organizatës kanë pasur angazhime të rëndësishme rinore në shkolla, universitete dhe forume partiake. Pjesa më e madhe e anëtarëve të kësaj organizate janë persona që punojnë në institucione bankare, kompani private, njerëz të larguar nga administrata etj. Deri më sot janë anëtarësuar 100 vetë, por kreu i lëvizjes, Saimir Dashi, thekson se "numri do të jetë në rritje të vazhdueshme nga ana sasiore dhe cilësore e kontribuuesve të rinj dhe me vlera profesionale për aplikimin e platformave të politikës së re, e cila është një domosdoshmëri e aktualitetit absurd shqiptar".