Bashkia miraton buxhetin më të madh të 17 viteve
Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar në mbledhjen e djeshme projektbuxhetin për vitin 2008, që kap shifrën e 954 milionë lekëve të reja. "Ky projektbuxhet është hartuar duke u fokusuar në përmirësimin e shërbimeve të investimeve në infrastrukturë, me qëllim menaxhimin e mirë të fondeve publike, zhvillimin ekonomik të qytetit, shpërndarjen e shërbimeve tek çdo qytetar", - ka pohuar mes të tjerash kreu i kësaj bashkie, Qazim Sejdini. Ndërkohë, ai ka ftuar të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak të miratojnë këtë projekt dhe nuk ka lënë pa përshëndetur edhe qeverinë shqiptare, e cila ka akorduar edhe transfertën e pakushtëzuar për Bashkinë e Elbasanit, duke dhënë një fond prej 303 milionë lekësh. "Është një buxhet ambicioz, i cili kërkon punë efikase nga administrata e bashkisë për realizimin e tij", tha Sejdini. Sipas tij, është hera e parë në këto 17 vjet që qeveria shqiptare jep një fond kaq të madh për bashkinë e Elbasanit.