E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani-Topit: Të falen 100 të dënuarit në Greqi

Të dënuarit shqiptarë në Greqi që janë ekstraduar në vendin tonë, mund të lirohen nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ideja është hedhur nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i cili ka hartuar edhe listën përkatëse, sipas të cilit janë gati 100 emra për t‘u falur. Sipas Dobjanit, të burgosurit ankohen se në masat e dënimit ndaj tyre ka arsye të bazuara për të menduar se kanë ndikuar konsideratat negative të gjykatave greke për racën dhe fenë e shqiptarëve të gjykuar. Sipas tyre, kur në të njëjtin proces janë akuzuar shtetas grekë si bashkëpunëtorë me shqiptarët, grekët janë favorizuar duke u dhënë pafajësi ose dënime mjaft të ulëta në krahasim me shqiptarët. Më tej deklaron se gjatë gjykimeve në Greqi ka pasur raste të rënda të shkeljes së të drejtave të njeriut, si mungesë të përkthyesve që njohin gjuhën shqipe (rasti Vavacula), apo që avokatët grekë nuk i kanë ndihmuar realisht për të bërë mbrojtje profesionale, apo nuk kanë bërë ankim në gjykatat e shkallëve më të larta, me mendimin se nuk do t‘ju lejohet ekstradimi në Shqipëri, apo se do t‘u ngrihet dënimi. "Dënimet për trafikim të lëndëve narkotike kryesisht, kanabis sativa (që është një nga drogat më të lehta dhe në disa shtete evropiane nuk dënohet, p.sh. në Holandë), janë tepër të rënda, krahasuar edhe me dënimet e zbatuara për raste analoge në Shqipëri", thuhet në kërkesën e Avokatit të Popullit drejtuar kreut të shtetit.

Dobjani pohon se të dënuarit në Greqi që janë ekstraduar në Shqipëri nuk kanë pasur mundësi të apelojnë vendimet e njohjes së vendimeve të gjykatave greke në gjykatat shqiptare të Apelit apo në Gjykatën e Lartë. Duke pasur edhe më parë ankesa të të dënuarve për këto probleme, mendimi ynë është që i vetmi institucion që mund t‘i japë një zgjidhje pozitive ankesave që do të rezultojnë të drejta është aplikimi nga Presidenti i Republikës i të drejtës së faljes së pjesshme apo të plotë ndaj çdo kërkese të dënuari në mënyrë individuale. "Që të realizohet kjo, duhet patjetër që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të studiojë vendimet e plota të çdo të dënuari në Greqi për të konstatuar sa qëndrojnë pretendimet e mësipërme për çdo të dënuar. Pas këtij verifikimi individual të vendimit gjyqësor grek mund t‘i propozohet Presidentit të Republikës falja pjesore ose e plotë e dënimit për ata të dënuar në Greqi që do të vlerësohet se duhet të aplikohet falje", thuhet në kërkesën e Dobjanit drejtuar Topit. Avokati i Popullit deklaron se komisionerët e tij kanë tërhequr nga burgjet disa vendime të të dënuarve në Greqi dhe që aktualisht vuajnë dënimin në Shqipëri për shqyrtimin rast pas rasti nëse pretendimet e tyre kanë bazë ligjore. "Në këtë çështje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka qenë shumë i mirë. Por ka pengesë se nga Greqia Ministrisë së Drejtësisë i janë dërguar ekstrakte të vendimeve të gjykatave të Apelit dhe jo vendime të gjykatave të shkallës së parë, nga ku mund të mësohet më shumë rreth pretendimeve të të dënuarve", thuhet në kërkesën e Dobjanit. Sipas tij, që të realizohet ndihma për këta të dënuar duhet patjetër ndërhyrja e ligjeve ndërkombëtare dhe greke nëse ekzistojnë kushtet ligjore për të bërë propozime për falje. "Pas këtij verifikimi individual të vendimit gjyqësor grek mund t‘i propozohet Presidentit të Republikës falja pjesore ose e plotë e dënimit për 100 të dënuar në Greqi që do të vlerësohet se duhet të aplikohet falje", deklaron Dobjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›