E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli merr mbështetjen e Bullgarisë për në NATO

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur dje në një takim ambasadorin e Bullgarisë në Shqipëri, Theodor Roussinov. Nga zyra e shtypit të Kuvendit bëhet e ditur se Roussinov i ka përcjellë Topallit përshëndetjet e përzemërta të kryetarit të Kuvendit të Bullgarisë, Pirinski, i cili zhvilloi një vizitë në Shqipëri pak kohë më parë. Ambasadori bullgar, në emër të kryetarit Pirinski, i ka shprehur mirënjohjen për mikpritjen gjatë kësaj vizite dhe dëshirën që bashkëpunimi dhe dialogu të nxiten edhe më tej me shkëmbime të delegacioneve nga komisionet parlamentare reciproke. Kryetarja Topalli e ka falënderuar Roussinov për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria, si një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, i jep Shqipërisë për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Nga ana e tij, ambasadori Rousssinov shprehu bindjen se Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit. Bullgaria, tha ambasadori Roussinov, është ndër ata grup vendesh, që beson se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do t‘i shërbejë paqes në rajon e më gjerë. Lidhur me çështjen e Kosovës, ambasadori i Bullgarisë u shpreh se Bullgaria ashtu si Shqipëria, e vlerëson Paketën "Ahtisari" si zgjidhje të vetme për paqe e stabilitet. Ai konfirmoi se Bullgaria në çdo takim të strukturave të Bashkimit Evropian thekson faktin se çështja e statusit të Kosovës është një çështje evropiane dhe BE-ja duhet të flasë me një zë për këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›