Nicolas Sarkozy: Problemi i një Presidenti
Ai tentoi pallatin "Elize" duke premtuar një Francë të re të shekullit XXI, por tetë muaj pasi ka marrë mandatin, popullariteti i Nikolas Sarkozisë ka rënë dukshëm dhe jeta private i është shndërruar në një telenovelë. A po e kryen ai si duhet detyrën?
Parafytyroni për një çast Presidentin Çarls de Gol me një palë syze të zeza e xhinse teksa qëndron i ulur në një kafene në Versajë në shoqërinë e gruas së re këngëtare. Përfytyroni, më pas po të njëjtin gjeneral me një këmishë kopsazbërthyer tek shëtit në rërën e Egjiptit krah për krah të dashurës, e cila s‘është tjetër veçse ish e dashura e Mik Xhekerit. I biri që e ka pasur me një tjetër person jashtë martese qëndron mbi shpatullat e "babait" të kombit. Tani përfytyroni sërish ish-presidentin Zhak Shirak në Vatikan që ndërsa pret Papën të vijë në audiencë luan vazhdimisht me butonat e celularit dhe flet me të herë pas here. Tani përfshini në përfytyrimin tuaj një tjetër President, të ndjerin Fransua Miteran që ndërsa pret vizita zyrtare në "Elize" njërën këmbë e mban mbi tavolinë. Gjatë tetë muajve të tij në pushtet, Nikolas Sarkozi ka bërë gjërat që përmendëm më sipër, por edhe shumë të tjera të ngjashme me to. Zakonet dhe traditat janë ngatërruar e bërë lëmsh dhe gjithçka është kthyer në një konfuzion të plotë. Pikërisht një vit më parë, Presidenti Sarkozi u premtoi bashkatdhetarëve për një Francë të re të shekullit të 21, që do të bënte përpara duke ruajtur edhe vlerat e vjetra. Në vend të kësaj republika është shndërruar në një paradë non-stop mikrofonash, syzesh të errëta, jahtesh, celularësh, orësh "Rolex", xhinsesh, pantallonash të shkurtra, divorcesh dhe grash modele. Nikolas Sarkozi është shndërruar në një lloj Presidenti që qeveris me pasqyrën në të njëjtën dorë dhe që kërkon në mënyrë të vazhdueshme vëmendjen dhe vlerësimin e publikut. Gjatë dy javëve të fundit, duket se ngjarjet kanë dalë jashtë kontrollit për një njeri që ka nevojë të vazhdueshme ta tregojë veten se është në kontroll të plotë të gjërave. Nëse keni humbur episodet e fundit të telenovelës Sarko mund të gjeni më poshtë një përmbledhje të shkurtër:
Jo më larg se 4 muaj pas divorcit spektakolar nga bashkëshortja e tij, Sesilja, që ishte edhe gruaja e dytë, Presidenti që kërkon të vendosë "vlerat katolike" ka vënë kurorë me një këngëtare-modele tepër liberale e shumë bukuroshe, një grua që disa kohë më parë ishte shprehur se e urrente monogaminë. Sipas një reviste franceze me reputacion dhe serioze, "Le Nouvel Observateur", Presidenti Sarkozi i dërgoi ish të shoqes një mesazh tetë ditë para se të vinte kurorë me Brunin në të cilin i thoshte se nëse ajo do të kthehej, ai do ta anulonte lidhjen e Brunin dhe martesën që kishte parashikuar së afërmi. Të jetë e vërtetë, apo e rreme, pak rëndësi ka. E rëndësishme është se detaje të tilla pikante e tepër personale janë bërë lajm i përditshëm për Sarkozinë. Ecim më tej. Kontrolli i Presidentit Sarkozi ndaj Partisë së tij të qendrës së djathtë, i cili thuajse dy muaj më parë ishte i plotë, ndodhet në rrezik të madh. Sërish politika e tij jo e zakontë dhe familja janë shkaktarët e gjithçkaje. Presidenti u përpoq që të katapultonte shefin e tij të shtypit, David Martinon në kreun e bashkisë së lagjes së pasanikëve parisienë Neuilly-sur-Seine. Martinon, një mik i afërt i ish-gruas së Sarkozisë, Sesila dështoi trupshëm në tentativën duke u cilësuar si aspak popullor dhe i paaftë për detyrën. Por telenovela nuk përqendrohet vetëm te Sarkozia. Ajo përfshin thuajse çdo ditë konflikte me ish-bashkëshortet, miqtë e ish-bashkëshorteve dhe fëmijët nga martesat e mëparshme. Sipas disave, pallati "Elize" ka nisur t‘i ngjajë familjes Euing të serialit të famshëm, Dallas. Fillimisht edhe disa nga kundërshtarët e Sarkozisë i cilësuan mënyrat e tij të hapura e të shpenguara të komunikimit me njerëzit si të "qëllimshme" dhe si një pjesë e një taktike për të ndryshuar mentalitetin e vjetër francez të të bërit të gjërave dhe të mënyrës përmes së cilës Franca mendon për veten: krijimin e një kulti suksesi, thyerjen e barrierave të vjetra mes popullit dhe elitës qeverisëse. Tani, madje edhe shumë nga mbështetësit e Presidentit dje aleatët e tij druhen se mos stili-Sarko nuk është aspak një stil, por një tentativë për të qenë i tillë, një lloj vulgariteti prej pasaniku të ri, një besim arrogant se zyrtari është më i rëndësishëm se pozicioni që ai mban. Vërejtje jo të pakta ka marrë Presidenti edhe nga ish-bashkëshortja e tij, Sesilja, përmes librit të saj të fundit. Ajo e konsideron Sarkozinë koprac, të pamoralshëm, njeri që nuk di të dojë as fëmijët e tij. Sharjet apo akuzat e ndërsjella mes ish-bashkëshortëve duhen marrë me shumë rezervë, por ka raste që thënieve u duhet kushtuar vëmendje. Një e tillë është edhe deklarata e Sesiljes, e cila thotë se Nikolasi nuk është i denjë për President të Francës, pasi ka probleme shumë të rënda të sjelljes dhe dikush duhet t‘ia vërë në dukje një gjë të tillë. Të gjitha këto kanë bërë që në sondazhe popullariteti i Presidentit sa vjen e bie gjithnjë e më shumë. Përmasat dhe shpejtësia e rënies së popullaritetit të Sarkozisë te francezët mund të krahasohet vetëm me ato të provuara nga ish-presidenti Shirak. Ka nga ata zgjedhës që fushatën e Sarkozisë kanë nisur ta konsiderojnë si një fushatë mashtrimesh. Presidenti po humbet terren sidomos në radhët e atyre zgjedhësve që i hoqën fitoren nga duart rivales së tij socialiste, Royal. Pikërisht ata votues janë shprehur se nëse do të mbaheshin votimet, sot Segolenë do të ishte fitimtarja. Njerëzit thonë se ata mund të "gëlltisnin" divorcin e Sarkozisë, por një martesë e shpejtë dhe me një person me vlera të dyshimta është me të vërtetë një tejkalim i çdo parashikimi. Shkaqet e rënies janë dy. Së pari është zhgënjimi nga dështimi i premtimit të pambajtur elektoral për "goditjen e besimit" që do t‘i kishte dhënë nxitje të mëtejshme ekonomisë dhe të ardhurave për frymë. Së dyti, ka një distancim sa vjen e më të madh të francezëve nga mënyra private e jetesës së Sarkozisë. Në fakt, nuk ka asgjë të keqe me ndryshimin e stilit presidencial. Ligji i vjetër Miteran-Shirak: "Jam më i fuqishm, por jo gjithmonë më i përgjegjshmi", funksionon ende, por jo në mënyrën se si kërkon ta verë në jetë Sarkozia. Ai ka shkelur rëndë disa nga rregullat e vjetra të lojës dhe tani po përballet me pasojat. Edhe presidentët e sipërpërmendur kishin mëkatet e tyre: Miterani kishte një familje paralele, pos asaj zyrtare, ndërsa Shirak ishte zhytur kokë e këmbë në korrupsion, por Sarkozia ka një mënyrë vulgare të të bërit të gjërave dhe vulgariteti në këtë rast është pazgjidhshmërisht i lidhur me energjinë e tij. Edhe pse e ka kaluar jetën e tij mes pasanikëve, ai nuk është përfaqësues i klasës tradicionale aristokratike të Francës. Sarkozi përfaqëson një francez të ri mediatik dhe reklamues të vetvetes dhe çdo gjëje personale, reklamues të të mirave materiale dhe të parave. Shoqëria në të cilën ai bën pjesë është një shoqëri plot me ide të reja, me besim në vetvete edhe pse jo në të gjitha rastet janë ide të mira. Nuk ishte një aksident që dëshmitarët në martesën e tij të tretë ishin përfaqësues të botës së luksit dhe pasanikëve, përfaqësues të botës së modës dhe të muzikës. Sipas disa analistëve politikë, presidenca e Sarkozisë është pjesërisht e pakontrollueshme, për shkak të mënyrës se si vetë Sarkozi është ndërtuar. Sarkozi është një nga ata persona që kërkon të duket i zakonshëm dhe i jashtëzakonshëm njëherazi. Ai do të jetë një pragmatist, një politikan me jetën e një idhulli roku. Ai beson se në këtë mënyrë do të bëhet popullor në një botë në të cilën politikanët janë të mërzitshëm, ose në më të keqen e rasteve mediokre, apo të pafuqishme. Sarkozi kërkon dëshpërimisht që të ketë një përgjigje dhe një zgjidhje për gjithçka. Politikanët e tjerë të qendrës së djathtë besojnë se ata kanë çelësin e kësaj pjese të personalitetit të Sarkozisë. Presidenti është i vendosur që të sillet në mënyrë të tillë që të tjerët ta konsiderojnë antitezën e Zhak Shirakut, i cili dikur ishte edhe mentori e njeriu që e zgjodhi, e mbështeti dhe e ngriti në pozitë. Aty ku "ish-ati" i tij" nuk kishte një ide të qartë, Sarkozi kërkon që të jetë një mendimtar politik. Aty ku Shirak ishte një plak, Sarkozi kërkon të jetë një riosh dhe një njeri që ndjek modën dhe tendencat e jetës moderne. Po ku po shkon Sarkozia? Reformat e trumbetuara me aq zell ende nuk duken deri më tani. Duke mos pasur rezultate konkrete, Sarkozi është munduar që të mbajë fjalime vizionare. Kështu ka folur për Afrikën, për fenë dhe vlerat e besimit, për nevojën e një "politike të re civilizimesh". Në këto deklarata e fjalime ka aspekte të cilat mund të konsiderohen inteligjente, por edhe pjesë të tjera krejtësisht kaotike dhe të rrëmujshme. Dy ditë pas celebrimit të martesës së tretë, Sarkozi doli në periferi të Francës dhe gjatë takimit me punëtorët u premtoi atyre se shteti nuk do të lejonte që bizneset e tyre të mbylleshin. Po atë ditë fluturoi për në Bukuresht, kaloi disa orë në Rumani, duke nevrikosur të zotët e shtëpisë për t‘u rikthyer sërish më pas. Miqtë dhe aleatët e Presidentit, Sarkozi shpresojnë se martesa do ta qetësojë paksa Sarkon dhe do t‘ia largojë jetën private nga faqet e para të gazetave. Ata mendojnë se marrja e presidencës së BE-së nga ana e Francës në gjysmën e dytë të vitit do ta kënaqë oreksin e Sarkozisë për punë dhe për ndjesinë e të qenit në qendër të vëmendjes. Pasi e zbuloi se nuk mund të kishte rezultate të menjëhershme, Sarkozi është përgatitur të hyjë në një periudhë më të qetë e më reflektive. Ndarja nga bashkëshortja e dytë e shqetësoi shumë dhe i krijoi shumë probleme besimi një njeriu që pikërisht besimin në vetvete e kishte ndër armët më të forta. Lidhja me Karlën do ta qetësojë dhe ekuilibrojë. Një nga shenjat e kësaj është edhe ideologjia e re e Presidentit "politika e civilizimit" - një thirrje për një përballim më ekologjik, më njerëzor të problemeve dhe të së ardhmes së planetit. A mos është ky ndikimi i parë që ka pasur tek ai bashkëshortja e re e njohur për prirjet e majta? Në Evropë dhe më përtej gjendja shpirtërore e njerëzve sa vjen e po kthehet kundër tiranisë së rritjes së tregut në favor të vlerave më të "gjelbra" dhe më humane. "Nuk mund të shpresojmë që të ndryshojmë mënyrën tonë të të bërit të gjërave dhe mënyrën tonë të të menduarit nëse përcaktimi i pasurisë mbetet i njëjti me atë që është tani. Duhet të marrim për bazë cilësinë, jo sasinë për të promovuar një mënyrë të re rritjeje", ka thënë Sarkozi muajin e kaluar. Çështja është se Presidenti Sarkozi i ka premtuar edhe më parë Francës që "të punojë më shumë për të fituar më shumë" për t‘u shndërruar në vendin me rritjen më të madhe ekonomike të Bashkimit Evropian. Por një politikan që merret me jahte, orë "Rolex", unaza fejese "Dior", bashkëshorte modele nuk është ndoshta kandidati i duhur për të predikuar faktin se lumturia nuk mund të arrihet përmes pasurive materiale. Kontradiktat kanë qenë gjithmonë pjesë e karakterit të Sarkos. Ajo çka dikur dukej origjinale, tani është shndërruar në një gjë të kotë. Kur i bëri një vizitë Papës dhjetorin e kaluar, Presidenti mbajti një fjalim që ende jehon në veshët e politikanëve francezë. Në kundërshtim me mendimin dhe frymën shekullare që ka dominuar në Francë, Sarkozi tha se Franca kishte nevojë për një "mendim moral të frymëzuar nga bindjet fetare". Të ketë qenë një tjetër lojë fjalësh? Sipas njerëzve të tij të afërt, Sarkozi është thellësisht një njeri jobesimtar. Ai shkon në kishë shumë rrallë. Pra të ketë qenë fjalimi një tjetër gënjeshtër? Politikanët e partisë së Sarkozisë përfshi edhe Kryeministrin e Francës po përpiqen që të mbajnë nën fre zigzaget e Sarkozisë. Mosqëndrueshmëria e Presidentit është kthyer tashmë në një normë. Një tjetër aspekt i Sarkozisë është anashkalimi që ai i ka bërë pozicionit të Kryeministrit duke marrë mbi vete pjesën e dukshme të pushtetit dhe duke e bërë institucionin e Presidencës më të fuqishëm se kurrë. Një sociolog i famshëm francez që ka publikuar një libër në lidhje me Francën e sotme ka thënë se "hedhja nga një dosje në tjetrën, nga Disnejlandi në Vatikan, nga bota e politikës në atë të jetës luksoze tregon një moskujdesje për reputacionin e Presidentit të Francës. Sarkozi u zgjodh pas premtimit që bëri për rivendosjen e vlerave morale të vendit, të cila ishin nëpërkëmbur që nga revolucioni i vitit 1968. Në vend të kësaj, sjellja e çuditshme e Sarkozisë ka ndarë edhe më vendin dhe e ka shtuar ndjesinë e çorientimit. Kur Sarkozi gëzonte popullaritet, ana e tij kontradiktore i ishte toleruar nga mbështetësit dhe deri në një farë mënyre edhe nga shtypi francez. Por që kur u "rrëzua" në sondazhet publike të gjithë i janë ngritur kundra. Që nga krijimi i presidencës ekzekutive në vitin 1958, Kryeministri zakonisht ka qenë një figurë jopopullore dhe i ka qëndruar si burojë institucionit të Presidentit. Hiperaktivi Sarkozi i ka këmbyer pozicionet. Ai po fundoset në sondazhe, ndërsa Kryeministri sa vjen e po bëhet më popullor dhe kjo është e paprecedentë në politikën franceze. Për t‘iu rikthyer jetës private të Sarkozisë tani të gjithë po bëhen gati të shohin Zonjën e re të Parë të Francës gjatë vizitës shtetërore zyrtare të çiftit presidencial në Britaninë e Madhe. Ndër dy bashkëshortët ndoshta deklarata më pak e bujshme pritet nga Zonja Sarkozi, ndërkohë që nëse Sarkozi do të dështojë kjo do të jetë një gjë shumë e keqe jo vetëm për Francën. Ai ua shiti veten francezëve si një person energjik, pragmatist, demokratik dhe antidot i ekstremeve të djathtë dhe të majtë. Nëse Sarko dështon, përveç Kryeministrit Fillon nuk ka asnjë alternativë në të djathtën franceze që të ngrejë moralin e Partisë. Mbreti Luigji XV, mbreti i parafundit para Revolucionit Francez tha: "Apres moi le deluge" (pas mej, shtrëngata). Nëse Sarkozia do të dështojë Franca do të përballet me të njëjtën perspektivë post-sarkoziane.