Belgjikë, qeveria e re nis punën
Ndjesia e çlirimit është e dukshme në Parlamentin belg. Deputetët kanë votuar në mbështetje të qeverisë së përkohshme të Gai Verhofshtad, i cili ka detyrën të hedhë pas shpine gjashtë muaj paralizë politike. "Ne jetojmë në një vend që unë besoj se është fantastik. Një vend pa shovinizëm, mbi të gjitha, një vend njerëzish të ndjeshëm që punojnë shumë. Le të bëjmë edhe ne të njëjtën gjë", apeloi ai. Përveçse duhet të përballet me çmimet në rritje të ushqimit dhe naftës, ekipi i Verhofshtad duhet të vazhdojë edhe negociatat për reformat rajonale që kanë ndarë grupet frëngjisht dhe holandishtfolëse. Ata ishin aq të ndarë, saqë vetë Mbreti u detyrua të merrte situatën në dorë dhe të apelonte për kompromis dhe kjo administratë e përkohshme duhet të kryesojë Belgjikën të paktën për tre muajt e ardhshëm. Pasiguria ka çuar edhe në shfaqjen e frikës se Belgjika mund të ndahet përgjatë vijave linguistike. Veriu i pasur flamand kërkon më shumë autonomi, çka do të rëndonte mbi Valoninë e varfër në jug. Por, pavarësisht kërcënimeve, sondazhet dhe marshimet e protestave kanë treguar se shumë belgë duan që vendi i tyre të qëndrojë i bashkuar.