Mrekulli në Betlehem;Rikthehen pelegrinët
Pelegrinët kthehen në tokën e shenjtë: të motivuar, të zhurmshëm, në ndjekje të guidave dhe në duar qirinj. Pas periudhës së heshtur, që pasoi Intifadën e dytë palestineze, kamikazët, ndërtimin e murit ndarës mes Izraelit dhe Cisjordanisë, rrugët e Betlehemit, Jerusalemit, Nazaretit, janë rimbushur tani nga të huaj të devotshëm. E për këtë ka ndikuar jo pak edhe vala e afrimit mes izraelitëve dhe palestinezëve, që kulmoi tre javë më parë në Anapolis, si edhe një rizgjim i besimit global, kryesisht antipolitik. Ministri izraelit i Turizmit, Jitzhak Aharonviç, thotë plot kënaqësi: "Gjashtëdhjetëmijë turistë të krishterë, dyfishi i 2006-ës". "Po, e pranoj. Ka më shumë njerëz dhe kjo është pozitive", pohon Mustafai, pronar i një dyqani të vogël suvenirësh përgjatë rrugës Manger, në Betlehem, pak metra larg Kishës së Lindjes së Krishtit. Por, gjithsesi, mbeten Krishtlindje të hidhura: "Janë të paktë ata që drekojnë apo darkojnë në Betlehem dhe akoma më të paktë ata që flenë këtu, brenda murit. Këtu tek unë blejnë statuja të vogla, kryqe etj., gjëra që shkojnë maksimumi në 15 euro". Por, pavarësisht nga kjo, krahasuar me vitet e shkuara, situata është ndjeshëm më e mirë. Për këtë po ndihmon edhe i dërguari për paqen në Lindjen e Mesme, ish-kryeministri britanik, Toni Bler, që mbështet zhvillimin ekonomik si mënyra më e mirë për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Ai ka qëndruar këto ditë në Betlehem, ka fjetur në një hotel në qytet, duke përhapur kështu mesazhin se qyteti ku lindi Krishti është tani një vend më i sigurt. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, ka folur në anën tjetër për një pikë kalimi të rezervuar për pelegrinët që shkojnë drejt Betlehemit, një llok korsie të posaçme për të kaluar pikat e kontrollit pa vështirësi të mëdha. "Kisha është burimi ynë kryesor ekonomik", komenton Viktor Batarseh, kryebashkiaku kristian i Betlehemit, i zgjedhur nga një listë civile bashkë me Hamasin. Është një mjeshtër i ruajtjes së ekuilibrave. Që nga koha kur ai u vu në qeverisje, bashkë me partinë islamike, radikale, ka punuar shumë për dialogun ndërfetar e madje janë sheshuar dukshëm ndasitë mes palestinezëve myslimanë dhe palestinezëve kristianë, mazhorancë absolute e popullatës së Betlehemit në 1948-ën, por që sot përbën pothuajse një të dhjetën. "E ardhmja e qytetit është e lidhur me kthimin e pelegrinëve", thotë ai. E sigurisht, këta të fundit nuk janë fort të kënaqur nga kontrollet në pikat e kalimit, por që, gjithsesi, vazhdojnë të vlerësojnë zërin e muezinëve që ndihet në qendrën mitike të krishterimit. "Krishtlindje të veçanta, por ama shoh përreth shumë xhami dhe shumë gra të mbuluara me shami", thotë një pelegrin. Gjatë kryengritjes palestineze, militantët palestinezë dhe ushtarët izraelitë luftuan nëpër rrugët e Betlehemit, por dhuna ka rënë ndjeshëm këto dy vitet e fundit dhe bisedimet për paqe, të mbështetura nga SHBA-ja, duket se kanë inkurajuar shumë turistë të vizitojnë Betlehemin. Gjithsesi, Betlehemi ka edhe pamjen e tij të zymtë, të ndryshme nga ajo që shihet në kartolinat e Krishtlindjeve. Qyteti është i rrethuar nga pika kontrolli të policisë dhe muri i betontë, që ndan territorin palestinez me atë izraelit, është gjithashtu i frikshëm. Izraeli thotë se muri i mban kamikazët larg, por palestinezët pretendojnë se ai frikëson turistët dhe dëmton ekonominë, duke gllabëruar tokën që atyre u nevojitet për shtetin e ri. Më tej, në Gaza, shumë kristianë nuk kanë mundur të udhëtojnë drejt Betlehemit dhe janë detyruar të kalojnë festën më të varfër se kurrë. Hamasi ka marrë kontrollin e Gazës në qershor dhe tani Izraeli e ka shpallur atë një entitet armik, duke mbyllur kufijtë.
Në qytetin në Bregun Perëndimor, që adhurohet si vendlindja e Jezu Krishtit, këtë vit është shënuar prania më e madhe e turistëve në shtatë vitet e fundit, me më shumë se 60 mijë të huaj të ndalur në Betlehem vetëm gjatë këtij muaji