Një terrorist adoleshent rrëfen historinë e tij
Ishte e mërkura e pak javëve më parë, kur Dija Muhamed Husein u nis për të vrarë ushtarë amerikanë. Kishte kaluar ora një e natës dhe nëpër rrugët e Ravahut, qytet në perëndim të Irakut, nuk kishte këmbë njeriu. Dija shkoi në shtëpinë e vëllait dhe pranë një peme mori eksplozivin, të cilin e kishte përgatitur tri ditë më parë.
E mori eksplozivin me vete dhe e fshehu nën tokë në një rrugë aty afër. Më pas i vuri bateritë pajisjes së komandimit në distancë në një karikues që e kishte lidhur me baterinë e makinës. Ndërkaq, u fsheh dhe priti.
Ishte natë e ftohtë, kujton 16-vjeçari teksa qëndron i ulur në kolltukun e shefit të policisë së qytetit. Pas disa orësh pritjeje, një patrullë marinsash amerikanë kaloi pranë tij, por Dija nuk ia doli të vendoste në kohë bateritë në pajisjen e komandimit në distancë. Marinsat kaluan të pashqetësuar.
Janë djemtë e adoleshentët si Dija ata që po përgjakin Irakun. Janë ata që përgatisin bombat dhe ngrenë kurthet ku vriten ushtarë e civilë. Dija e konsideron veten muxhahedin, luftëtar për liri. Qeveria e Irakut, trupat e koalicionit dhe popullata, e terrorizuar nga vitet e tëra të dhunës, i cilësojnë si terroristë. Bomba e Dijës mund të kishte vrarë shumë njerëz thonë marinsat.
Djaloshi prej 18 ditësh mbahet në një prej qelive të rajonit të policisë së Ravahut, një qytet i vogël në provincën Al-Anbar të Irakut. Fillimisht qe i vetëm në qeli, por dalëngadalë ajo u mbush, pasi Dija nisi të tregonte duke i çuar policët irakianë dhe marinsat amerikanë te bashkëpunëtorët e vet dhe te vendet ku fshehin armët.
Nuk donte të vriste bashkatdhetarët
Gjashtë prej tyre janë në pritje të gjykimit, i cili për herë të parë do të zhvillohet në qytetin e tyre; deri së fundmi, të dyshuarit për terrorizëm gjykoheshin nga trupa nën drejtimin e koalicionit të kryesuar nga amerikanët. Kjo detyrë tashmë u është kaluar gjykatësve irakianë, si pjesë e përpjekjeve për kalimin e pushtetit në duart e autoriteteve irakiane.
Dija kishte dashur përsëri të shpërthente bombën, një ditë pas përpjekjes së parë, por kur pa se në patrullën e marinsave gjendeshin edhe policë irakianë, vendosi të mos e shtypte butonin. Tha se nuk donte të vriste bashkatdhetarët e vet. Pak orë më pas qe ulur bashkë me shokun e tij, Ahmetin, në një internet kafe dhe qe shumë nervoz. Njeriu që e kishte nxitur të kryente atentatin e kishte quajtur burracak gjatë komunikimit që kishin pasur përmes postës elektronike. Dija nuk mund ta dinte se policia kishte nisur t‘i monitoronte komunikimet në internet të të rinjve të zonës. U arrestua me të dalë nga internet kafeja për të luajtur futboll me Ahmetin. Kishte ende në xhep pajisjen e komanduar në distancë që duhej të shpërthente bombën.
Janë një numër arsyesh për të cilat shefi i policisë së Ravahut i lejoi gazetarët e "Spiegel" të intervistonin Dijën. Së pari, një gjë të tillë ia kërkuan marinsat amerikanë, të cilët e mbështesin policinë e Irakut me një program të posaçëm trajnimi, si edhe me të gjitha nevojat e tjera, që nga ajri i kondicionuar e deri te pajimet bazë. Kur miqtë amerikanë shfaqin një dëshirë, zor se nuk u përmbushet nga ana e irakianëve.
Por shefi i policisë është krenar për arrestimin e kryer nga vartësit e tij. Dija mund të duket si gjithë adoleshentët e tjerë teksa përgjigjet i qetë me duart e vendosura në sqetulla, por arrestimi i tij shmangu vdekjen e shumë njerëzve. Dija e shpuri policinë te një arsenal shumë i madh armësh, të mbyllura në fuçi plastike e të varrosura nëpër bahçe shtëpish. Në to fshiheshin një numër i madh pajisjesh shpërthimi, një duzinë detonatorë, dy armë të precizonit të lartë për snajperë, disa kallashnikovë, tri granata, 10 predha antitank, 3 bazuka, sasi e konsiderueshme TNT-je, si dhe 100 granata dore.
Dija ka kaluar përmes asaj që shumë e përshkruajnë si karriera klasike e një rebeli irakian. Përpara një viti, i ati vendosi të largonte bashkëshorten dhe 11 fëmijët nga dhuna në rritje në Ravah dhe e dërgoi familjen në një zonë rurale të vendit. Atje, në një fshat të vogël të Hasahut, Dija u njoh me Maadin, një luftëtar me përvojë. Burri arriti të fitonte besimin e Dijës dhe nisi t‘i tregonte se si amerikanët qenë pushtues të pafe. I kishte thënë se lufta kundër tyre është detyrë për çdo irakian.
Testi fillestar
Dija e kishte lënë veten të bindej, dëshironte të bëhej pjesë e luftës. Si test fillestar i qe kërkuar nga një grup muxhahedinësh lokalë të shpërthente një bombë. Kujton se i kishin thënë që një ditë mund t‘i kërkohej të kryente një sulm kamikaz kundër marinsave amerikanë, por nuk e kishte marrë kërkesën shumë seriozisht. "Si koncept më dukej i çuditshëm, madje më bëri për të qeshur", tregon.
Kur nisi të përgatiste misionin e parë, kishte një rrjet të madh ndihmësish në dispozicion. Ravahu është një qytet si shumë të tjerë në Irak - që të gjithë njihen, dhe të gjithë e dinë kush është i përfshirë në luftën kundër pushtuesve. Zor se gjendet ndonjë familje që nuk ka pasur të paktën një bir apo një kushëri të përfshirë në degën lokale të "Al-Kaedës së Irakut", apo në grupe të tjera terroriste.
Ishte vëllai i Ahmedit ai që u kish treguar djemve për arsenalin e fshehur, pak përpara se të arrestohej si rebel. Dija mësoi si të përdorte detonatorët nga Anas Faik, një tjetër ish-luftëtar. Emri i tij gjendet në listën e gjatë të anëtarëve të Al-Kaedës irakiane e përpiluar nga shtabi qendror i komandës së marinsave amerikanë.
Dija ka qenë me fat në një pikë. Ndërtesa ku mbahet i burgosur shërben edhe si shtab i kompanisë së marinsva të Ravahut. Që të gjithë gjenden në të njëjtin kat: marinsat amerikanë, policët irakianë, si edhe të burgosurit. Prania e amerikanëve u garanton të burgosurve të paktën minimumin e trajtimit njerëzor. Por askush nuk mund ta mbrojë Dijën nga ata me të cilët ndan qelinë. Ditë e natë, shokët dhe bashkëpunëtorët e akuzojnë si shkaktarin e shkatërrimit të gjithçkaje. "Më fajësojnë që u arrestova. Më thonë se jam veç një kalama budalla dhe jo luftëtar".
"I urrejmë amerikanët"
Nëse do të ketë fat, në një pikë do ta lënë rehat e do ta drejtojnë mërinë te trupat amerikane. "I urrejmë amerikanët. E vërteta është që askush nuk i do. Iraku nuk është i lirë, prandaj duhet ta vazhdojmë luftën", thotë Dija.
Ǒdo të ndodhte sikur nesër t‘i jepnin një vizë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Dija përgjigjet pa u lëkundur as edhe për një çast se do ta merrte. I pyetur nëse e kupton sa kontradiktore është kjo përgjigje, ai buzëqesh me druajtje dhe i zhyt duart edhe më thellë nën sqetulla. Është ironi e fatit që vëllai i Dijës u bë polic pak ditë pas arrestimit të tij. Zor se kanë qenë ndonjëherë më të afërt nga ç‘janë tani. Dija qëndron pas derës së hekurt teksa i vëllai ruan jashtë saj. "M‘u hakërrua sapo më pa këtu", tha Dija. I kishte thënë gjithashtu se babai po priste që të lirohej. "Më tha edhe që babai ishte shumë i nxehur nga e gjithë kjo histori dhe se do të më ndëshkonte rëndë".
Pyetjes se ç‘do të bënte pasi të lirohej, Dija iu përgjigj: "Dua të punoj në policinë e Irakut". Pyetjes nëse vërtetë mund t‘i ofronin një punë të tillë ai i përgjigjet duke parë ngultas përkthyesin: "Ndoshta".