Mjeshtrit e barërave të mira
Nëse Galileo do ta kishte studiuar
astronominë duke
i hedhur më parë një sy
astrologjisë, nëse kimia do
të kishte lindur nga alkimia dhe nëse
mjeku do të kishte një origjinë artizani
me detyrën për të "dëgjuar, inspektuar
dhe për të dënuar", nuk ka asgjë për t‘u
çuditur me përdorimin e bimëve të ndryshme,
me qëllim kurimin e sëmundjeve.
Gjatë viteve të zhvillimit të farmaceutikës
dhe kërkimeve të reja, dy
farmaceutikë në tre e kanë prejardhjen
e tyre nga një specie e caktuar bimore.
Veç kësaj, metodat e kurimit bimor i
kanë rrënjët që në mjekësinë e lashtë
kineze. Në fakt, të realizosh një ilaç të
gjeneratës së re mund të kushtojë deri
në një miliard dollarë shpenzime dhe
afro dhjetë vjet kërkime. Por malaria,
një nga sëmundjet më vdekjeprurëse
që prek çdo vit 300 milionë persona,
sa vjen dhe bëhet më pak rezistente
përballë artemisininës. Kjo substancë,
që merret nga një bimë e quajtur "artemisina"
u zbulua në fillimin e viteve
70‘ nga një grup shkencëtarësh kinezë,
të cilët ishin angazhuar në këtë kërkim
nga vetë Mao në mes të revolucionit
kulturor. Skuadra që u vu kundër malaries,
e njohur ndryshe edhe si "Skuadra
523", u kthye te timonieri i madh
me "sesquiterpene lactone", emri
shkencor i "artemisinës". Historia e raportit
ndërmjet njerëzve dhe bimëve
është pra një pjesë e historisë së kulturës.
Meqë kultura pasqyrohet edhe
në vepra të shkruara, edhe për mjekësinë
bimore nuk kanë munguar këta të
fundit. Lindin nga substancat e thjeshta
që merren nga bimë të ndryshme.
Kështu ka filluar tregtia, shkëmbimi
i ideve, i njohjeve që "lundronin" në
Detin Jon, ose të quajtur ndryshe nga
arbanët Deti i Bardhë. Fjalori i parë i
bimëve mjekësore në Ballkan, që ishte
i përshtatshëm edhe për mësimdhënie
(Leber pandectarum medicinae) është
botuar nga Mateo Silvatico, në një datë
të papërcaktuar atëherë nga viti 1300.
Libri përmblidhte rreth dymijë emra,
për gati njëmijë e pesëqind bimë,
emra të cilët përdoreshin në latinisht,
arabisht dhe hebraisht. Sigurisht që
praktikuesit e këtyre metodave kuruese
nuk e kishin pamjen e mjekëve
të sotëm modernë dhe as më pak të
profesorëve universitarë. Ishin të specializuar
në teknikat e kurimit. As art
e as artizanat, puna e tyre konsistonte
në "të dish, të bësh" në bazë të një metode,
një teori që niste nga një bimë e
vetme, por që shkufizohej në konceptimin
dhe arsyetimin e njeriut. Ndoshta
kaligrafitë e tyre nuk ishin po aq
të kuptueshme sa ato të mjekëve modernë,
por komunikimit me pacientin
i jepnin tepër rëndësi dhe kujdes. Në
fakt, recetat shkruheshin në rreshta
dhe aforizma. Dhe kështu këto receta,
ose libra të shkruar nga mjeshtër
të këtyre bimëve mjekësore, pasuroheshin
me kalimin e viteve. Modifikoheshin,
përmirësoheshin, shtoheshin
këshilla të reja, bëheshin kërkime dhe
gjendeshin bimë të reja "çudibërëse".
Dhe ishte populli ai që i zbatonte i
pari, fshatarët që i njihnin mirë bimët
dhe duke u bazuar në këshillat e këtyre
mjekëve popullorë zbatonin kurime
që dukeshin si mrekulli. Veç këtyre recetave
kuruese, këto lloj metodash japin
edhe shumë këshilla për të jetuar
mirë, në të keqe dhe në të mirë. T‘i kushtojmë
kujdes vetvetes, na mësojnë,
madje mund ta evitojmë mjekun. Me
një kujdes korrekt edhe sot mund
të arrijmë të gëzojmë një shëndet të
mirë, edhe pse privohemi nga shumë
faktorë, që shekuj më parë nuk ekzistonin.
Dhe nëse nuk mund të arrijmë t‘i
kurojmë të gjitha sëmundjet me barëra,
atëherë mirë do të ishte të ndiqnim këto
këshilla: nëse do të jetosh shëndetshëm
dhe të shërohesh nga sëmundjet: /limitoje
verën dhe darko sa më thjesht, bëje
moto/pasi të kesh ngrënë, evitoje gjumin
e pasdrekes. /Çlirohu nga ankthi
dhe mos mbaj mëri/duke vepruar
kështu ti gjatë do të jetosh". (Këshillë e
vjetër nga mjekësia popullore).
Kufiri i pasigurt ndërmjet shëndetit dhe shpëtimit
Pse përballë një mjekësie gjithmonë e më
shumë të teknologjizuar, më shkencore
dhe precize, ka një referim gjithmonë e
me frekuent drejt mjekësisë, që sot e quajmë
"alternative", por që kohë më parë kjo ka qenë
mjekësia zyrtare, ajo e Hipokratit, e Galenos,
veprat e të cilëve u përkthyen në arabisht e më
pas në latinisht dhe kanë arritur të ndikojnë
deri në ditët tona? Këto kultura, gjatë vitit
njëmijë e deri në vitin njëmijë e gjashtëqind
përhapën njohuritë e tyre mbi "trupin njerëzor",
mbi shëndetin dhe sëmundjen si alternativë
me kulturën e "organizmit". Prej vitit njëmijë
e gjashtëqind, trupi u vu në "dispozicion"
të mjekësisë dhe rrjedhimisht në disavantazh u
gjend psikologjia e pacientit, i cili kur sëmurej
dhe shtrohej në spital perceptohej si një përfaqësues
i thjeshtë i organit dhe është organi i sëmurë
ai që "bie dakord" me pacientët, rreth të
cilëve nuk ka më asnjë botë jetese, por ekziston
vetëm bota e ngushtë e sëmundjes dhe e shëndetit
të organizmit, i perceptuar jo më si "mjet
jetik", por si pengesë, e cila duhet kaluar për të
qenë në këtë botë. Për të kuptuar diferencën
ndërmjet "trupit" në të cilin ne jetojmë dhe
"organizmit" që shkenca akoma po e studion,
mjafton të shohim kur shkojmë për një vizitë
te mjeku, për shembull vizita tek okulisti. Kur
hyjmë në studion e tij i konsiderojmë sytë tanë
si diçka që na lejon të takojmë një person, një
"ti" në botë, të arrijmë ta shohim; por kur jemi
të detyruar të bëjmë një vizitë të tillë, i perceptojmë
si diçka që dikush tjetër i percepton si
çdo gjë tjetër. Në këtë moment syri nuk është
më për ne një "mundësi" për të qenë në këtë
botë, por thjesht një "organ". E njëjta eksperiencë
përjetohet edhe nga mjeku, i cili kur pret
pacientin, kur e përshëndet, e mirëpret dhe e
sheh si një person, por kur e ul në karrigen ku
bëhet vizita nuk e sheh më si një person, por si
një organizëm. Mjeku zhduket pas objektivitetit
të metodës së tij dhe pacienti shpersonalizohet.
Pikërisht për këtë shpersonalizim reagojnë
ata që i drejtohen mjekësisë alternative, që nga
ato orientale tek ato homeopatike, nga ato psikoterapike
deri tek ato të pelegrinazheve në
vende kulti, ku ndonjëherë ndodhin mrekulli.
Shkenca mjekësore, që duke filluar nga
Kartezio e ka studiuar trupin tonë në fillim në
profilin fizik dhe pastaj kimik, nga ajo biokimike
tek ajo gjenetike. Ajo nuk mund të bëjë
më shumë, veçse të largohet akoma nga bota
jetike ku jetojnë trupat tanë dhe perceptohen
si subjekte ekzistence dhe jo si objekte vëzhgimi
dhe për sa i përket kësaj çështjeje, distanca
ndërmjet trupit të objektivizuar me shkencën
që ofrohet të studiojë mbi anatominë dhe fiziologjinë
do të jetë gjithmonë radikale. Kjo
diferencë, në fakt, është strukturore, edhe pse
mund të zvogëlohet sadopak nga vetë mjeku,
i cili nuk shef vetëm pajisjet ose rezultatin e
analizave, por e sheh edhe klientin në "fytyrë",
jo vetëm për të kryer "shikimin klinik",
por gjithashtu për të "ngushëlluar" e këshilluar
atë që me ankth pret përgjigjen, e cila lidhet
drejtpërdrejtë me pasigurinë e jetës dhe frikën
e vdekjes. Por, nuk mund të presim nga mjeku
një sjellje "njerëzore", po aq sa nuk presim nga
punëtori i postës ose i bankës, nga polici rrugor
ose ai i rendit, deri te shitësja e supermarketit,
ose operatorja e shërbimeve telefonike, edhe
pse thuhet se i njëjti ilaç i dhënë nga një mjek
tek i cili beson në mënyrë të padiskutueshme e
rrit efikasitetin e tij deri në tridhjetë për qind.
Dhe ndoshta është për këtë tridhjetë përqindësh
efikasiteti, që lidhet me besimin te mjeku,
tek i cili je ndjerë i mirëpritur dhe i perceptuar
si një person, që i drejtohesh mjekësisë alternative,
e cila, ndryshe nga ajo shkencore, nuk
e fokuson sëmundjen, por individin dhe stilin
e jetesës, duke u nisur nga çfarë ai individ, me
një biografi të caktuar dhe në cilat rrethana të
caktuara është sëmurur. Përmirësimet? Këtu
shkenca me hapin e ngadaltë të kërkimeve të
saj dhe feja meqë ndonjëherë zhvendos malet,
i ndajnë pacientët: ata që besojnë në diturinë
hipotetike të shkencës, në gjendje të
paraqesë në mënyrë statistike çfarë është më
mirë dhe çfarë është më keq në bazë të protokolleve
që duhet të adoptojë dhe efikasitetin e
tyre dhe ata që besojnë në individualizimin e
kurës, pas njohjes së subjektivitetit të tyre dhe
themelimit të një raporti besimi që e çon trupin
drejt një mënyre më të favorshme dhe të
shëndetshme jetese.