Jemi bij te nje gruaje afrikane?
E kemi prejardhjen nga e njëjta grua: një afrikane. Ngjyra e lëkurës përcaktohet nga ambienti, ndërsa historia e evolucionit nuk ndjek asnjëherë të njëjtën skemë. Pionieri i antropologjisë gjenetike shpjegon origjinën tonë dhe rrëfen për themelin e zbulimit të tij
Emri i Luka Cavali Sforcas, profesor i Universitetit të Standfordit, që prej gjysmëshekulli është i lidhur me një fushë kërkimesh shkencore që mund të përcaktohej "arkeologjia ose antropologjia gjenetike", sepse synon që të rindërtojë historinë e njerëzimit dhe të migrimeve të saj shekullore duke nisur nga analiza e variabilitetit gjenetik të popullsisë. Profesori i sipërpërmendur i ka paraqitur rezultatet e punës së tij të një jete të tërë në një libër "Gjenet, popujt dhe gjuhët". Në intervistën e mëposhtme shpjegon, edhe njëherë, se nuk ekzistojnë raca njerëzore dhe se të gjithë ne e kemi prejardhjen nga një nënë e përbashkët, afrikane.
Ju thoni shpesh se të gjithë ne jemi afrikanë?
Fillesat e species sonë janë në Afrikën Lindore. Për shumë kohë jemi riprodhuar në mënyrë të ngadalshme për shkak të pamjaftueshmërisë së ushqimit. Ishim njëherazi gjuetarë dhe mbledhës ushqimesh. Nuk dihet me saktësi se sa ishim në zanafillë, por ndoshta 100 mijë, apo 1 milion. Para rreth 10 mijë vitesh ishin rreth 5 milionë individë të species sonë. Pikërisht në këtë moment në të gjitha zonat ku kishte përqendrime njerëzish, nisi lindja dhe zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë, me pak fjalë prodhimi i ushqimit.
Thoni se e kemi prejardhjen nga e njëjta nënë...?
Të gjithë ne kemi në qelizat tona mitokondri, (organe që kryejnë funksionin e ajrosjes në qeliza) të cilat transmetohen nga brezi në brez vetëm përmes nënës. Me kalimin e kohës mitokondritë e grave që nuk kanë fëmijë zhduken. Duke ecur shumë pas në kohë, pas seleksionimesh të shumta mbërrihet në atë që mund të konsiderohet si paraardhësi ynë i parë: një grua nga e cila e kanë prejardhjen të gjitha mitokondritë e kohëve të sotme. Kjo grua është me pak fjalë Eva afrikane. Në atë kohë kishte shumë gra të tjera, por mitokondritë e tyre janë zhdukur me kalimin e kohës.
Po a ka ndonjë Adam?
Po. Edhe ai përkufizohet në të njëjtën mënyrë si gruaja e parë, duke parë kromozomin Y që transmetohet nga babai te bijtë meshkuj.
A është ai bashkëkohës i Evës?
Jo. Eva mund të kishte sot një moshë 200-mijëvjeçare, ndërsa Adami 100 mijë. Arsyeja është se burrat kanë më shumë pasardhës, sepse janë më poligami se gratë. Martohen më vonë, por vdesin në përqindje më të lartë se gratë: në lindje meshkujt janë 5% më shumë, në moshën 20-vjeçare janë të barabartë me femrat, ndërsa po të shohim te personat 100-vjeçarë, vetëm 20% e tyre janë meshkuj.
Gjenetika e popullsisë koincidon edhe me historinë e gjuhëve?
Nuk mund të presësh ndonjë përshkueshmëri perfekte, sepse gjuhët mund të zhduken. Kështu, mjaftuan 150 luftëtarë spanjollë për të pushtuar Amerikën e për të imponuar gjuhën dhe kulturën e tyre në kontinentin e ri. Gjithsesi, kur mblodhëm të dhënat për librin vumë re se pema gjenetike ngjante me atë gjuhësore: grupet gjenetikisht të ngjashme u përkisnin të njëjtave familje gjuhësh. Ne menduam një shpjegim të thjeshtë për këtë që mbështetet në një fjalë kyç: ne nuk e dimë se si transmetohen gjuhët, por gjithmonë flasim për "gjuhën mëmë". Nga kjo del se gjuhët transmetohen nga prindërit te fëmijët sikurse edhe trashëgimitë e tjera gjenetike.
Ju jeni mjek. Përse kaluat në fushën e gjenetikës?
Për këtë më bindi profesori im i gjenetikës i universitetit me të cilin kam ruajtur lidhje shumë të mira. Sipas tij, gjenetika është çelësi i të gjitha shkencave të tjera.
A e konsideroni studimin e matematikës shumë të rëndësishëm?
Po. Sigurisht që matematika më ka shërbyer dhe më shërben në fushën time të kërkimeve. Kërkimin tim e kam nisur me gjenetikën e baktereve. Për vite me radhë gjenet janë studiuar, por edhe pse janë bërë zbulime shumë të mëdha, misteri mbetet përpara nesh dhe ende ka shumë gjëra për t‘u zbuluar. Në thelb ajo çka është arritur nuk ka të bëjë shumë me gjenin në vetvete sesa me historinë e tij. Interesant është fakti se disa lloje gjenesh ndodhen te primatët e ngjashëm me ne dhe disa të tjerë jo.
Pikërisht kjo është arsyeja që bën dallimin e njeriut me majmunin?
Sigurisht. Historia gjenetike e majmunëve është shumë e njohur tashmë. Ka dy mënyra procedimi. Njëra është studimi i proteinave, që janë produkte të gjeneve dhe pikërisht këtë po e bëjmë që nga viti 1980: fillimisht me grupet sanguinë, më pas me proteinat e tjera dhe kemi mbledhur një numër të madh të dhënash. Që nga viti 1982 kemi rifilluar gjithçka nga e para duke parë ndryshimet në ADN. Dhe jo vetëm që kemi konfirmuar gjithçka që kishim zbuluar në lidhje me proteinat, por kemi bërë shumë më përpara.
Me fjalë të tjera, te speciet i jepet më shumë dorë e lirë rastësisë dhe nuk ka planifikim të mirëfilltë?
Për sa i përket çështjes së seleksionimit, ai shërben vetëm për të shpjeguar adoptimet selektive që varen nga ambienti dhe jo nga historia. Për shembull, ngjyra e lëkurës që ndryshon me pozicionin gjeografik: në Ekuador janë të zinjtë dhe më pas ngjyra çelet pak nga pak. Ose marrim përmasat e trupit që varen shumë nga klima: në vendet shumë të ftohta njerëzit janë të shkurtër e të mbledhur, pasi kështu mund ta përballojnë më mirë klimën e ashpër. Në vendet e nxehta, gjymtyrët e njerëzve janë të gjata e të holla.
Po si studiohen ndikimet e historisë?
Natyra i bën gjërat në mënyrën e saj. Kështu, ajo gjeneron shumë mutacione të rastësishme, një pjesë e vogël e të cilave shkakton avantazhe evolutive. Ndërsa pjesa më e madhe e mutacioneve nuk shërben për ndonjë gjë, mbetet "sterile", por janë pikërisht mutacionet neutrale nga pikëpamja selektive, ato që na japin mundësinë e studimit të historisë së popullsive, përmes metodave statistikore të fenomeneve rastësore. Pikërisht ky është thelbi i studimit tim që e kam nisur në Itali në vitin 1950.
Për se bëhet fjalë?
Në atë kohë kisha një student prift që i njihte më së miri të gjithë banorët e bashkësisë së tij. Ai u shpjegoi të gjithëve se cili ishte qëllimi i marrjes së gjakut të tyre. Bëhet fjalë për eksperimentin tim të zanafillës. Po ky person më dha mundësinë që të lëvroja një numër të madh librash në bibliotekën e kishës libra që u takonin 50 viteve të shkuara dhe në të cilat gjeta një informacion shumë të bollshëm për të gjitha ato që doja të studioja. Mbi të gjitha në bibliotekë kishte edhe informacione në lidhje me pemët familjare të të gjithë banorëve, kishte lista të hollësishme të gjenealogjisë së tyre dhe të prejardhjes. Në këtë mënyrë, munda të rindërtoja gjenealogjinë e popullsisë së zonës dhe të studioja efektin e "rastit" te kjo popullsi që në zona të izoluara e fshatra të vegjël është shumë më i dukshëm e më i fortë. Kështu analizova dallimet mes grupeve sanguinë të zonës në të gjitha përmasat e dimensionet e mundshme: të vegjël, të mëdhenj, të malit, fushës etj.
Dhe cili ishte rezultati i kërkimit tuaj?
Që të dhënat reale nuk përputheshin me atë çka pritej teorikisht. Të dhënat u përftuan përmes një simulimi që u bë në fshatra shumë të ngjashëm dhe që ishin lënë në "mëshirë" të mutacioneve të ndryshme historike dhe ambientale për një periudhë kohore 400-500-vjeçare. Ky studim i parë më dha një motiv për të besuar që mund të filloja e të futesha thellë në kohë përgjatë linjave evolutive 5 mijë, ose 50 mijë vjet më parë, duke u bazuar në faktin se edhe në rastet kur bëhet fjalë për një sasi kaq të madhe vitesh mund të përdorej e njëjta mënyrë hulumtimi dhe kërkimi.
Cilat ishin rezultatet?
Nja dhjetë vjet pas eksperimentit të sipërpërmendur Universiteti i Pavias bleu llogaritësin e parë dhe së bashku me një studentin tim ndërtuam një pemë gjenealogjike duke u nisur nga të dhënat paraprake që kishim marrë nga 15 popullsi të ndryshme të botës: tre për secilin kontinent dhe të gjitha larg njëra nga tjetra. Në pemën që ne ndërtuam, Afrika ishte në njërën anë, ndërsa Evropa ishte në anën tjetër. Popullsitë e të njëjtit kontinent ishin bashkë, ndërsa vetë kontinentet ishin të ndarë në bazë të migracionit, në të njëjtën mënyrë që janë vendosur edhe në hartën gjeografike. Kjo ishte puna jonë e parë e publikuar në vitin 1963.
Po cili ishte rezultati?
U përcaktua në mënyrë gjenetike historia që njeriu modern u shfaq për herë të parë në Afrikë dhe arriti në Mesdhe 100 mijë vjet më parë. Më pas zhduket që andej 80 mijë vjet të shkuara, deri kur mbërrin neandertali, që ishte në Evropë dhe emigroi më poshtë për shkak të ndryshimeve të ashpra klimatike, të ftohtit të madh. 40 mijë vjet më parë neandertali u zhduk dhe rishfaqet rreth 25 mijë vjet më parë për t‘u pasuar me sa duket nga ne.
A janë bërë analiza mbi neandertalin?
Po dhe pikërisht një ADN mitokondriale, që është copëza e vetme e kromozomit që mund të analizohet në fosile, të cilat janë shumë të vjetra. Janë studiuar tre ekzemplarë, të tre shumë të ndryshëm nga njeriu modern, por deri 100 mijë vjet më parë neandertalët dhe sapiensët përdornin të njëjtat vegla pune. Ndërsa 50 mijë vjet më parë, kur nisën të emigrojnë nga Afrika dhe të pushtonin kështu pjesën tjetër të botës, sapiensët kishin tashmë veglat më të mira të punës. Dhe një nga këto mjete ishte pikërisht gjuha.
Zbulimi i një origjine të përbashkët afrikane të njerëzimit a nuk do ta kthente racizmin në një argument qesharak dhe mbi të gjitha inekzistent?
Absolutisht. Unë i përçmoj gjithë idetë fundamentaliste dhe ndërkohë impenjimi im social ka të bëjë pikërisht me çështjen e racizmit. Studimi im nxjerr një gjë në dritë, që të gjithë kemi të njëjtën prejardhje, pra vijmë nga e njëjta racë e pastër.