Benazir Bhutto në celuloid
Një jetë në vijën e parë të frontit
Kafaz i artë
Liderja e opozitës dhe ish-kryeministrja e Pakistanit, Benazir Bhutto, dy herë radhazi u vu nën arrest shtëpie. U ndalua të dilte jashtë dhe të udhëhiqte mbështetësit në një marshim të gjatë "Për demokracinë", nga Lahorja në Islamabad, protestë kjo kundër gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga gjenerali Pervez Musharaf, situatë kjo që e lejonte atë të sundonte nëpërmjet dekreteve.
Me dorë të rëndë
Mijëra trupa policie u vendosën përreth shtëpisë së saj për të parandaluar marshimet e protestës së paralajmëruara më herët. Bhutto reagoi, duke i kërkuar Presidentit Musharaf të jepte dorëheqjen si President, por edhe si shef i ushtrisë, si edhe deklaroi se nuk do t‘i vazhdonte më negociatat për ndarjen e pushtetit me të.
Të bllokuar
50 persona kaluan natën në një shtëpi me Bhutto-n, disa prej tyre anëtarë të stafit të kateringut të hotel "Interkontinental". Mbështetës të saj, ish-zyrtarë dhe staf aktual i partisë së saj, fjetën nëpër divanet brenda shtëpisë.
Emergjencë
Një barrikadë policie jashtë shtëpisë ku Bhutto ishte izoluar. Gjenerali Musharaf kishte deklaruar ndërkohë se gjendja e jashtëzakonshme që ai kishte shpallur synonte të luftonte militantizmin në rritje të ekstremistëve islamikë, në mënyrë që zgjedhjet e shtyra për në janar të zhvilloheshin në kushte sigurie. Por, Bhutto tha se zgjedhjet nën gjendjen e jashtëzakonshme do të ishin të kota dhe premtoi se do t‘u bashkohej liderëve të tjerë të opozitës në bojkotin e zgjedhjeve, për sa kohë që gjendja e jashtëzakonshme do të mbetej në fuqi.
Lojë pushteti
Anëtarët e kompanisë private të sigurisë të pajtuar nga Bhutto qëndronin në gatishmëri përreth shtëpisë së saj. Në një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme, SHBA dërgoi zëvendëssekretarin e shtetit, Xhon Negroponte në Islamabad, për t‘u takuar me Musharafin. Një tjetër ish-kryeministër në azil, Navaz Sharif, shfaqet edhe një herë si një lojtar kryesor. Bhutto i bashkohet atij në një opozitë të bashkuar kundër Musharafit. Në fakt, Sharif u rrëzua nga Musharaf në 1999-ën, por ka qenë ndërkohë edhe një armik politik i Benazir Bhutto-s.
Pritje
Bhutto dhe ndihmësja e saj personale qëndrojnë ulur pranë telefonit
Në qendër të stuhisë
Bhutto lexon një gazetë lokale që detajon kalvarin e saj. Ajo u kthye në Pakistan nga azili më 18 tetor, pas bisedimeve të mbështetura nga SHBA-ja mes partisë së saj dhe gjeneralit Musharaf, që edhe i hapën udhë rrëzimit të akuzave për korrupsion kundër saj. Por, kthimi i saj u shoqërua edhe nga një sulm i ashpër terrorist, që u mori jetën rreth 200 mbështetësve të saj. SHBA-ja shpresonte se një marrëveshje mes Musharafit dhe Bhutto-s mund të rezultonte në një tranzicion të butë në sundim civil. Por, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e Musharafit dhe shkarkimi i gjyqtarëve që e kishin kundërshtuar atë, e bënë bashkëpunimin me Musharafin të pakapërdishëm për Bhutto-n duke e detyruar atë t‘i kërkojë dorëheqjen Presidentit.
Disa momente para se Benazir Bhutto të vritej, foli për ekzekutimin e babait dhe vdekjen e anëtarëve të tjerë të familjes së saj. Tani, edhe ajo vetë është një viktimë. Me vrasjen e saj, Pakistani ka hyrë në një fazë destabiliteti politik, pasi në këto momente Bhutto ishte figura më e fuqishme politike në vend. Reagimi i menjëhershëm në Pakistan, ndaj vrasjes, ishte një valë zemërimi kundër qeverisë, kundër agjencive të zbulimit, që nuk mundën ta mbronin atë, zemërim nga njerëzit e thjeshtë që e mbështesnin, që besonin se qeveria mund të ketë madje edhe dorë në vrasjen e saj.