Ekzekutuesit me te medhenj ne bote
Kritikët e saj e quajnë praktikën si barbare. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë për ta shpallur të jashtëligjshme. Megjithatë, një vështrim më nga afër i dënimit me vdekje - dhe vendeve që vazhdojnë ta përdorin - zbulon se është shumë herët për të "dënuar me vdekje" dënimin kapital
KINA
Numri i ekzekutimeve: Zyrtarisht, të paktën 1010 njerëz janë ekzekutuar në vitin 2006, por disa vlerësime bëjnë të ditur se kjo shifër është deri në 15.000. Krime kapitale: Pothuajse 70 shkelje të ligjit në Kinë kualifikohen për dënimin me vdekje. Ekzekutohesh nëse kryen vrasje, por po kështu edhe në raste krimesh ekonomike, si evazion fiskal, kontrabandë dhe korrupsion - për të mos përmendur veprimtarinë e disidentëve të ndryshëm politikë dhe fetarë që dënohet me vdekje. Në provincën Guangdong, kohët e fundit edhe vjedhja e çantave nga motoristë është futur në listën për dënime me vdekje dhe në korrik, ish-kreu i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve në Kinë u ekzekutua për marrje ryshfeti. Mundësia e heqjes: Shumë e vogël. Vitin e kaluar, Kryeministri Wen Jiabao tha se Kina nuk ka plane të heqë dënimin me vdekje, duke përmendur mbështetjen e gjerë që kjo praktikë ka në publik. Kina zuri 60% të të gjitha ekzekutimeve të raportuara zyrtarisht në të gjithë botën gjatë vitit 2006. Megjithatë, 40% më pak njerëz janë ekzekutuar që kur Pekini fitoi të drejtën për të organizuar Lojërat Olimpike, një rënie kjo që pa asnjë dyshim lidhet me përpjekjet e Kinës për të pastruar imazhin e saj global. Megjithatë, rënia e numrit të ekzekutimeve ka shkaktuar një problem të papritur: mangësi veshkash në Korenë e Jugut.
IRANI
Numri i ekzekutimeve: 177 në vitin 2006, por shifra për 2007-wn pritet të jetë 250. Krime kapitale: Shkeljet përfshijnë kontrabandën e drogës, vjedhjen me armë, vrasje, shkelje seksuale (duke përfshirë tradhtinë, homoseksualizëm dhe prostitucion), blasfemi dhe dhunë politike. Mundësitë për heqje: Gjithnjë e më të vogla. Në tetor të vitit 2007, Parlamenti Evropian shprehu alarmin për numrin dramatikisht në rritje të ekzekutimeve në vend. Liderët e Iranit nuk pranojnë ta heqin madje as në rastet e fëmijëve. Irani ka ekzekutuar më shumë fëmijë shkelës të ligjit që nga viti 1990, se çdo vend tjetër dhe vazhdon të ekzekutojë të burgosur me gurë. Dhe ndonëse Presidenti Mahmud Ahmadinejad mohon ekzistencën e homoseksualëve në Iran, ky mohim nuk ka ndaluar vendin e tij që t‘i ekzekutojë, shpesh me varje në publik.
PAKISTANI
Numri i ekzekutimeve: 82 në vitin 2006. Krime kapitale: Shkeljet përfshijnë vrasjen, vjedhjen, rrëmbimin, tregtinë e armëve, kontrabandë dhe trafik droge, përdhunim, trafik fëmijësh, blasfemi dhe marrëdhënie seksuale mes partnerëve të pamartuar. Mundësitë për heqjen: Të pakta. Pakistani ka më shumë njerëz që presin të ekzekutohen se çdo shtet tjetër: pothuajse një e treta e 24000 të dënuarve me vdekje në botë janë në Pakistan, shpeshherë të mbajtur në kushte shumë të vështira. Së bashku me Iranin, Pakistani është një nga të paktat shtete që lejojnë ende që të miturit të dënohen me vdekje. Ndonëse Presidenti Musharaf nxori një dekret në vitin 2001, me të cilin konvertonte gjithë dënimet me vdekje të të miturve në dënime me burgim të përjetshëm, ekzekutimet e të rinjve ende nuk janë eliminuar plotësisht. Pakistani nuk ka ndërmend të heqë dënimin me vdekje për të rriturit. Në fillim të këtij viti, ministri i Brendshëm i Pakistanit, Aftab Sherpao, hodhi poshtë thirrjet për heqjen e dënimit kapital në vendin e tij, duke argumentuar: "Ne kemi ligjet tona, të trashëguara që nga koha e britanikëve dhe ato zbatohen në mënyrë shumë ligjore. Ne mendojmë se dënimi me vdekje shërben si pengues, pa të ndoshta do të kishim shumë më tepër raste krimesh të rënda si vrasjet".
IRAKU
Numri i ekzekutimeve: Të paktën 65 në vitin 2006, duke përfshirë Sadam Huseinin. Krime kapitale: Shkeljet përfshijnë vrasjen, rrëmbimin, përdhunimin, kontrabandë e trafik droge, kërcënime ndaj sigurisë kombëtare, duke përfshirë "nxitjen" e terrorizmit. Mundësitë për heqjen: E mundur, por nuk ka shumë gjasa. Presidenti Talabani është kundër dënimit me vdekje, por ai dhe aleatët e tij janë vetëm një pakicë. Qeveria e përkohshme e Irakut rishpalli dënimin kapital më 2004, pas një pezullimi të shkurtër të vendosur nga Autoriteti Provizor i Koalicionit. Që atëherë, të paktën 270 veta janë dënuar me vdekje dhe më shumë se 100 janë varur. Liderët e Irakut janë ende duke debatuar për ekzekutimin e tre ish-liderëve të regjimit të Sadamit, duke përfshirë Ali Kimikun, të cilët janë dënuar me vdekje për rolin e tyre në vrasjen e afro 180 mijë kurdëve në vitin 1988. Kryeministri Nuri al-Maliki ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se e kanë "ngadalësuar procesin", por zyrtarë të SHBA-së thanë se po presin që udhëheqja irakiane të bjerë dakord, përpara se të dorëzojë këta persona.
SHBA
Numri i ekzekutimeve: 53 veta në vitin 2006 dhe 42 veta në vitin 2007. Krime kapitale: Shtetet e Bashkuara janë një prej dy vendeve të zhvilluara (tjetri është Japonia) që ende kryejnë ekzekutime. Në SHBA, zakonisht dënimet me vdekje jepen vetëm në raste vrasjesh, ndonëse në disa shtete përfshihet përdhunimi i një fëmije, tradhtia etj. Mundësitë për heqjen: Më të mëdha se më parë. New-Jersey sapo ka votuar për ta hequr dënimin kapital, i pari shtet që e bën këtë pas 40 vitesh, por prapë me pak gjasa. Ekzekutimi i fundit në SHBA ndodhi më 25 shtator të këtij viti. Që atëherë, në fuqi është një pezullim i ekzekutimeve deri kur Gjykata e Lartë të vendosë për çështjen "Bazë kundër Reeds", një çështje që ka të bëjë me dënimin me vdekje dhe që në janar do të vendoset në lidhje me kushtetutshmërinë e "koktejit me tri ilaçe", që përdoret zakonisht në injeksionet vdekjeprurëse. 35 nga 36 shtetet ku lejohet dënimi me vdekje përdorin këtë metodë. Por problemet në rritje me injeksionin vdekjeprurës - duke përfshirë një ekzekutim vitin e kaluar, kur të dënuarit iu deshën 34 minuta që të vdesë, dhe një tjetër, ku i dënuari ishte në gjendje të thotë "nuk po funksionon" - kanë bërë Gjykatën e Lartë të shqyrtojë nëse ky është një ndëshkim mizor dhe i pazakontë.