E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush e vrau Benazir Bhutto-n? Të dyshuarit kryesorë

Të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Benazir Bhutto-s janë militantët islamikë pakistanezë dhe të huaj, që e shihnin atë si një heretike, vegël të amerikanëve dhe në vazhdimësi kanë kërcënuar me vdekje. Por, gishti mund të drejtohet edhe mbi shërbimet e zbulimit, që kanë lidhje të ngushta me islamikët që nga vitet ‘70 dhe që është përdorur nga liderë të shumtë pakistanezë për të shtypur kundërshtitë politike. Bhutto i shpëtoi një atentati në tetor, kur një kamikaz vrau rreth 140 persona në një miting në qytetin-port Karaçi. Më herët, atë muaj, dy liderë të grupeve militante në zonat veriperëndimore të Pakistanit, ku ligji nuk ka fuqi, në afërsi me kufirin me Afganistanin, kishin kërcënuar ta vrisnin nëse do të kthehej. Njëri ishte Baitullah Mehsud, një kryekomandant që lufton ushtrinë pakistaneze në rajonin trial të Vaziristanit jugor. Ai ka lidhje të ngushta me Al-Kaedën dhe talebanët afganë. Tjetri ishte Haxhi Omar, lideri i talebanëve pakistanezë, që është gjithashtu nga Vaziristani jugor dhe që ka luftuar kundër sovjetikëve me mixhahedinët në Afganistan. Pas atij sulmi, Bhutto bëri të ditur se kishte marrë një letër, të firmosur nga një person, që thoshte se ishte mik i Osama Bin Ladenit dhe që e kërcënonte se do t‘ia përdridhte qafën si të një dhie. Ajo akuzoi autoritetet pakistaneze se nuk e kishin mbrojtur siç duhej dhe kishte supozuar madje se ato mund të ishin palë në këtë komplot. Bashkëshorti i saj, drejtpërsëdrejti akuzoi shërbimin e zbulimit se ishte i përfshirë në atentatin kundër jetës së saj. Analistët thonë se vetë Presidenti Musharaf ka pak gjasa të ketë urdhëruar vrasjen e saj, por elementë të ushtrisë dhe shërbimeve të zbulimit mund të kenë menduar se do të humbitnin para dhe pushtet nëse ajo do të bëhej Kryeministre. Në shërbimin e zbulimit përfshihen edhe disa islamistë që janë radikalizuar, ndërsa kryesonin fushatën e financuar nga amerikanët kundër sovjetikëve në Afganistan dhe kanë mbetur parimisht kundërshtarë të ashpër të Bhutto-s. Arabia Saudite, që ka ndikim të madh në Pakistan, mendohet gjithashtu se ka pasur pakënaqësi me Bhutto-n, për vetë faktin se ajo ishte shumë laike dhe mbështetëse e Perëndimit, ndërsa mbështeste Navaz Sharifin, një tjetër ish-kryeministër i Pakistanit. Ndërkohë, disa agjenci ndërkombëtare lajmesh pohojnë se sulmi është marrë përsipër nga Al-Kaeda dhe citojnë një zëdhënës të organizatës terroriste, Sheikh Saeed, të ketë thënë se vrasja e Bhutto-s është porositur nga numri dy i rrjetit, Ajman Al Zavahiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›