E Diel, 1 Nëntor 2026

Kisinger për Putinin: "Ai mendon se është një reformator"

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Kisinger, është shumë i informuar në lidhje me Presidentin e Rusisë, duke pasur edhe njohje personale me të. Në një intervistë të fundit ai jep mendimin e tij në lidhje me lëvizjet e fundit politike të Putinit, trashëgiminë e tij dhe qëndrimin që duhet të mbajnë Shtetet e Bashkuara ndaj një Rusie në zhvillim e sipër

Pasardhësi i zgjedhur i Vladimir Putinit, Dimitri Medvedev, deklaroi se dëshira e tij është që Putin të vazhdojë të qëndrojë në pushtet në postin e Kryeministrit. Kjo nuk tingëllon shumë si demokraci, apo jo?

Një gjë është e qartë, që Putin është figura dominuese në Rusinë e sotme. Fitorja e fundit në zgjedhjet parlamentare, në të cilat partia e tij, Rusia e Bashkuar, mori 64% të vendeve të Parlamentit rus, Dumës, i ka dhënë një fuqi të madhe. Nga ana tjetër, unë personalisht nuk e konsideroj Rusinë si një shtet diktatorial. Përqindja e lartë e partisë së Putinit tregon se ka gjithashtu edhe një pjesë të madhe të popullsisë që nuk ia dha votën e saj Putinit. Pozicioni i Kryeministrit ka një bazë kushtetuese të ndryshme nga ai i Presidentit. Kësisoj ka hapësirë të madhe për evolucion. Për sa i përket Amerikës, ajo duhet t‘i qartësojë prioritetet e veta. Ristrukturimi i situatës së brendshme të Rusisë nuk mund të bëhet sipas modelit amerikan e për më tepër brenda një kohe të shkurtër. Rusia është një vend shumë i madh sikurse Kina, bota islamike dhe Evropa. Marrëdhëniet e bashkëpunimit me të janë të rëndësishme për paqen në botë. Sigurisht që ne si amerikanë kemi preferencat tona, si dhe simpatitë dhe antipatitë, por njëherazi duhet të kemi marrëdhënie të mira me qeverinë ruse. Duhet të tregojmë mirëkuptim për zhvillimet që ndodhin në një vend në periudhë tranzicioni.

Si e shpjegoni ju hendekun që ndan mënyrën me të cilën Perëndimi percepton Putinin - agresiv, autoritar, antidemokratik - dhe mbështetjen e madhe që ai gëzon në vendin e tij?

Në Rusi ai është popullor, sepse u bë President historik, të cilin rusët e konsiderojnë si një ndër më negativët e historisë së tyre të re. Ai erdhi në krye të Kremlinit në periudhën e shpërbërjes së Perandorisë Sovjetike. Kjo ishte njëherazi edhe shpërbërje e historisë së 300 viteve të fundit. Rubla ruse pësoi kolaps. Rusët e vlerësojnë Putinin pas një krahasimi të thjeshtë që bëjnë me standardet e jetesës së tyre aktualisht dhe standardeve të periudhës kur ai erdhi në fuqi. Ata e vlerësojnë edhe për vendin që i dha Rusisë në mendjet e tyre dhe mbi të gjitha vendin e respektuar në arenën ndërkombëtar. Një pjesë e madhe e rusëve e ndjen që sistemi politik aktual është shumë më i ndjeshëm ndaj tyre se ai i mëparshmi, edhe pse Perëndimi nuk e konsideron regjimin si një demokraci, sipas standardeve të tij.

Ju e keni takuar Putinin shumë shpesh. Si është ai si person?

Është jashtëzakonisht inteligjent, shumë i përqendruar në bisedë, si dhe ka një njohje të gjerë të çështjeve ndërkombëtare. Ai nuk përpiqet që të bëjë për vete bashkëbiseduesin duke përdorur karizmin e tij personale. Putin është një kombinim inteligjence, karizme dhe nacionalizmi rus.

Cila është marrëdhënia që do të donte ai të kishte mes Rusisë dhe Perëndimit?

Nuk mendoj se ai e konsideron Perëndimin si një bllok të unifikuar. Duke qenë se e drejton politikën e jashtme të vendit duke pasur parasysh interesat kombëtare, nuk mënon të verë re

dhe shfrytëzojë kontradiktat që kanë perëndimorët me njëri-tjetrin, gjithmonë në të mirë të forcimit të pozicionit të Rusisë. Ideja e bashkimit të Rusisë me komunitetin e vendeve

të konsideruara si demokratike nuk është motivacioni kryesor i Presidentit. Ajo çka ai kërkon mbi të gjitha është respekti për një Rusi që po përpiqet të përcaktojë identitetin e saj. Sipas mendimit tim, Putin do të vlerësonte shumë marrëdhëniet miqësore dhe ato të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vetëm në dritën e perceptimit dypalësh të respektimit të interesave reciproke kombëtare.

Si do ta vlerësonit marrëdhënien mes Moskës dhe Uashingtonit?

Marrëdhënia personale e Putinit me Bushin është shumë e mirë. Kur Bush pas takimit të tyre të parë tha se duke parë Putinin në sy kishte perceptuar shpirtin e veçantë që ndodhej brenda tij, Presidenti amerikan u tall nga shtypi vendas. Por për vetë Presidentin Putin, ajo deklaratë ishte një ftesë për marrëdhënie partneriteti mbi bazën e respektit reciprok. Putin e respekton Bushin edhe sepse ky i fundit ////nuk i mban leksione demokracie kur takohen. Sigurisht që Putini e ka të qartë që Bushi nuk të fal kur bëhet fjalë për interesat kombëtare amerikane, sepse në fund të fundit kjo është detyra e çdo shtetari. Ndërsa për sa u përket niveleve të tjera të marrëdhënies së Rusisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sigurisht që ka pasur probleme. Të dyja palët parimisht duan që të bashkëpunojnë, por kjo nuk është shumë e lehtë, sepse të dyja palët kryejnë veprime që acarojnë njëra-tjetrën. Kështu, Rusisë nuk i vjen mirë kur Uashingtoni i bën leksione demokracie, ose e konsideron një vend ku nuk respektohen plotësisht standardet demokratike. Rusia acarohet, gjithashtu, edhe kur shtetarët amerikanë vijnë për vizitë dhe ndër të tjera organizojnë takime me kundërshtarët e regjimit të Kremlinit, duke u ofruar atyre mbështetje. Ose kemi rastin e shtrirjes së NATO-s në afërsi të kufijve rusë. Nga ana tjetër ne jemi të inatosur kur rusët i trajtojnë fqinjët e tyre sikur këta të mos ishin shtete tërësisht të pavarura. Ka shumë amerikanë që kanë pikëpamje shumë të ndryshme për mënyrën e qeverisjes së Rusisë. Kështu, kemi disa lloj marrëdhëniesh mes të dyja palëve, disa prej të cilave kanë një histori shumë më të gjatë se vetë historia e miqësisë personale mes Putinit dhe Bushit.

Nga ana tjetër lind nevoja e një bashkëpunimi mes të dyja vendeve, një bashkëpunimi real dhe konstruktiv. Ekziston një tendencë, e cila e konsideron Rusinë si një rrezik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rusia ka vetë shumë probleme personale për të zgjidhur: jo ka një vijë kufitare shumë të madhe dhe shumë problematike e të brishtë; ka një shkallë vdekshmërie të frikshme dhe një popullsi që sa vjen e po pakësohet në numër, kësisoj Rusia nuk mund të konsiderohet as si rrezik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as si rrezik global. Ajo çka Rusia kërkon është respekti i vendeve të tjera. Jo do që të shihet si një vend me një identitet të caktuar dhe të respektohet siç mund të respektohet një vend që ka një forcë dhe një rol të konsiderueshëm në arenën ndërkombëtare. Çështja është a mundemi ne të ndërtojmë një marrëdhënie konstruktive me një vend i cili mund të na ndihmojë shumë në zgjidhjen e çështjeve të Iranit, Irakut dhe Lindjes së Mesme? Rusia është gjithashtu një partner shumë i rëndësishëm për çështjet e energjisë dhe mjedisit, të cilat duhet të zgjidhen vetëm në bazë globale bashkëpunimi e jo në linja konfrontimi e konkurrence.

Përmendët Iranin. A mendoni se raporti i fundit i agjencive amerikane të inteligjencës- sipas së cilit Irani e ka të ndaluar procesin e pasurimit të uraniumit që në vitin 2003 -do t‘ua vështirësojë punën amerikanëve që të bindin rusët për bashkëpunim, për të pasur një front të përbashkët kundër programit bërthamor të Iranit?

Pikëpamja ime është se vlerësimi strategjik i problemit bërthamor të Iranit nga ana e rusëve është thuajse i njëjtë me atë amerikan. Por konkluzionet taktike që ata nxorën për të ardhmen e afërt janë të ndryshme. Rusët nuk mendojnë se Irani përbën një kërcënim të afërt strategjik. Nëse rusët do të ndryshonin qëndrim, atëherë qëndrimet tona do të njehsoheshin. Çështja është kur do të ndodhë ky njehsim?

Folëm shkurtimisht për situatën e brendshme të Rusisë. A ka interesa Amerika që të flasë hapur në lidhje me çështje të tilla si: pakësimi i lirive të shprehjes, lirive politike dhe atyre civile në Rusi?

Është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë përfaqëson Putini në vendin e tij. Putin nuk është një Stalin që e ndjen për vokacion dhe për detyrë të shkatërrojë cilindo që mund të përbëjë një kërcënim potencial për t‘i zënë postin. Putin është një person i cili do pushtet për të vënë në jetë detyrat që i ka vënë vetes si lider i Rusisë. Në këtë pikëpamje, unë nuk shoh ndonjë cenim të jashtëzakonshëm e të përmasave të mëdha të të drejtave e lirive të njeriut në Rusi. Ajo çka shohim është "ngrirja" e grupimeve të lirive civile, të cilat në këndvështrimin e Putinit përbëjnë një kërcënim për regjimin.

Si Putin, ashtu edhe Bush ndodhet në vitin e fundit presidencial. Ju keni lidhje e marrëdhënie personale me të dy. Si mendoni, çfarë mund të arrijnë ata së bashku, para se të largohen nga pushteti?

Putin nuk do të shohë një Amerikë hegjemoniste. Kësisoj, aty ku mundet, ai kërkon që të balancojë pushtetin dhe fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, domethënë të mos na kthejë pas, por as të mos na lejojë të avancojmë më tutje. Njëherazi, sipas pikëpamjes së Putinit, Amerika do të ishte një partner i mirë për Rusinë. Ne nuk ndodhemi në kufijtë e Rusisë dhe nuk synojmë asnjë pjesë të territorit rus. Nuk kemi në historinë tonë asnjë moment gjatë të cilit të kemi synuar toka ruse dhe jemi njëherazi shumë të fuqishëm. Ne mundemi të bashkëpunojmë së bashku për çështjen e sigurisë globale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›