LSI: Shpërndarje të drejtë të buxhetit të vendorëve
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje hartimin e një buxheti sa më të drejtë për pushtetin vendor. Sekretari për çështjet e brendshme, Sokol Dervishi, u shpreh se nëpërmjet të zgjedhurve të saj, LSI është e angazhuar që buxheti lokal të rrisë sa më shumë cilësinë e shërbimeve publike. "Duke filluar nga ato të gjendjes civile, e duke vazhduar me veprimtari të tjera mjaft të rëndësishme, sikurse janë niveli dhe mbledhja e taksa vendore", sqaroi Dervishi. Sipas tij, synohet edhe ofrimi i një shërbimi urban të përmirësuar, rritja e cilësisë së ambientit nëpërmjet një shërbimi më të kualifikuar të pastrimit dhe gjelbërimit, sistemi i ndriçimit, e mjaft të tjera. LSI gjithashtu kërkon që buxhetet vendore t‘u kushtojnë një vëmendje më të madhe investimeve në veprimtari sociale, sikurse janë ngritja e qendrave kulturore për të rinj, ambienteve çlodhëse dhe argëtuese. "LSI dhe të zgjedhurit e saj do t‘u kushtojnë gjithashtu një rëndësi prioritare investimeve në infrastrukturë, sikurse është ajo rrugore apo ajo shkollore e parashkollore", garantoi Dervishi.