E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, 15-vjeçarja qëllon me çifte fqinjën

Krimi ka tronditur sërish Rrethin e Beratit. Një grua 43-vjeçare ka mbetur e plagosur me armë, ndërkohë që protagoniste e krimit është një vajzë 15-vjeçare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në mesditë, në fshatin Osmënzezë të Beratit. Pas një grindjeje, 15-vjeçarja M.Mehmeti ka qëlluar me armë zjarri bashkëfshataren e saj, Xare Torra. Adoleshentja mësohet se ndodhej në arën e saj gjatë kohës që ka nisur të grindet me bashkëfshataren. Kjo e fundit mësohet se ka qenë duke kullotur bagëtinë dhe është hasur me akuzat e vajzës në lidhje me kullotjen e tyre. Burime nga vendi i ngjarjes saktësuan se vajza kishte parë së largu gruan që kulloste bagëtinë në tokat e saj. Ajo i ishte afruar dhe i ka kërkuar shpjegime gruas 43 vjeçe. Ky ishte shkaku i grindjes, që solli më pas përdorimin e armës. Vajza është larguar qetësisht drejt banesës së saj që ndodhej pranë tokës dhe është rishfaqur me një armë gjahu në dorë. Ajo ka shtënë njëherë në drejtim të Xare Torrës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. E plagosura ka mundur të transportohet në spital vetëm pas njoftimit të policisë. Ajo ka marrë ndihmën e parë shëndetësore dhe ndodhet në spitalin e Beratit. Një prej saçmave të çiftes mësohet t‘i ketë shkaktuar një plagë të thellë në krah, por sipas mjekëve, jeta e saj nuk është në rrezik. Policia e Beratit deklaroi pak orë më pas se mundësoi arrestimin e vajzës 15 vjeçe, e cila gjatë marrjes në pyetje ka pranuar krimin e kryer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›