E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Burgjeve, në gjykatë për pafajësinë

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, ka fituar zyrtarisht pafajësinë, pasi Gjykata e Apelit në kryeqytetit la dje në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Dibra nuk është paraqitur personalisht në gjykatë, por është përfaqësuar nga avokati i tij. Procesi nuk ka zgjatur shumë dhe vendimi i gjykatës gjithsesi nuk ka sjellë asnjë surprizë. Ashtu si edhe në Shkallën e Parë, për ish-drejtorin e Aviacionit Civil nuk u gjetën prova të mjaftueshme për ta fajësuar. Çështja penale ndaj tij ishte regjistruar në Gjykatën e Tiranës në 10 nëntor të vitit 2006. Ai akuzohej për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Pas 24 seancash gjyqësore, në datë 30.11.2007 gjykata e shpalli të pafajshëm për të dyja akuzat ish-zyrtarin që ishte regjistruar gjatë një bisede duke u bërë presion nipave të Presidentit të atëhershëm të Republikës. Gjykata nuk pranoi të administronte në cilësinë e provës materiale regjistrimin e bisedës, pasi ai nuk ishte realizuar nëpërmjet një urdhri të lëshuar nga prokuroria. Në këtë mënyrë, ish-drejtori i Aviacionit Civil arriti të dilte i pafajshëm. Por ende pa marrë vendimi formë të prerë, pasi prokuroria e apeloi çështjen, Kryeministri Berisha i besoi një tjetër detyrë po aq të rëndësishme Dibrës. Caktimi në krye të Drejtorisë së Burgjeve krijoi një precedent në historinë e administratës publike shqiptare, kur një i pandehur emërohet në një post të lartë publik, por njëkohësisht hodhi hije të forta dyshimi mbi Gjykatën e Apelit, duke parathënë vendimin që ajo do të merrte për pafajësinë e Dibrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›