Pranga vrasësit të biznesmenit Çapja
Kapet vrasësi me pagesë i biznesmenit Sokol Çapja, i cili u vra në dhjetor të vitit 2005. Armando Hasani është prangosur dje nga skuadra e vrasjeve, pasi nga provat e mbledhura dyshohet se është autori i ngjarjes së rëndë. Burimet policore bënë të ditur se skuadra e vrasjeve, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, kanë organizuar një operacion gjatë ditës së djeshme, duke vënë në pranga të kërkuarin për vrasjen e Sokol Çapjes, i cili u ekzekutua me kallashnikov dy vite më parë. Policia tha se 24-vjeçari Hasani fshihej në një banesë dhe prej disa ditësh mbahej nën vëzhgim, pasi konsiderohej person me rrezikshmëri. Në operacionin për kapjen e tij kanë marrë pjesë edhe forcat speciale të repartit RENEA, të cilët kanë mundësuar prangosjen e tij, pa krijuar dëme të tjera.
Ngjarja për të cilën akuzohet Hasani ka ndodhur pikërisht më 26 dhjetor të vitit 2005. Gjithçka ka ndodhur brenda disa çasteve, fare papritur. Policia tha se ngjarja ndodhi në orën 19 e 15 minuta, në rrugën "Rinia", që të çon në universitetin "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit. Çapja, një burrë i ri rreth të 35-ve, i pamartuar, ishte te bar-kafe "Acuaario", lokal në anë të rrugës, jo më tepër se 200 metra larg godinës universitare, me dy shoqe të tij. Në këto çaste, nga një makinë me targa të huaja kanë zbritur tre persona të maskuar dhe kanë qëlluar drejt tij, duke zbrazur të gjithë karikatorin e një automatiku "Skorpions" me silenciator. Policia, që është gjendur pas disa minutash në vendngjarje, ka mbledhur si prova materiale 25 gëzhoja fishekësh, por nuk ka mundur të identifikojë e ndalojë autorët, të cilët pas atentatit janë larguar me shpejtësi me makinën e tyre. Fillimisht policia e Elbasanit ka veçuar hakmarrjen si pistën kryesore që çoi në ekzekutimin e dhunshëm të Sokol Çapjas. Po sipas saj dyshohet se 35-vjeçari mund të ketë pasur gisht në një vrasje që ka ndodhur rreth 4 vjet më parë, afër postës së Elbasanit, ku u vra një djalë. Sipas uniformave blu, të njohur apo të afërm të viktimës së katër viteve më parë janë hakmarrë duke vrarë Sokol Çapjan. 35-vjeçari i vrarë barbarisht dy vite më parë, prej më se dhjetë vjetësh kishte një biznes privat. Ai kishte pronë të tijën një hotel në të dalë të qytetit të Elbasanit, duke shkuar drejt Librazhdit, me emrin "Univers", më i madhi në qytet. Ai frekuentohej jo vetëm nga shtresa dhe kategori të ndryshme qytetarësh, por edhe nga organizmat zyrtare lokale e shoqata të ndryshme joqeveritare. Vetëm pak kohë më parë, familjarët e tij ngritën dyshimet se të arrestuarit e vrasjes së biznesmenit nuk janë të vetmit përgjegjës. Madje, ata akuzuan se prokuroria po fshihte provat dhe nuk po i arrestonte të gjithë autorët. Por, përgjigjja duket se ka ardhur dje, kur grupi hetimor ka lëshuar urdhrin e arrestit për Armando Hasanin, i cili dyshohet se është vrasës me pagesë. Megjithatë, policia dyshon se vrasja e biznesmenit vazhdoi hakmarrjen mes fisit Çapja dhe Mema. Policia tha se vrasja e Sokol Çapjes u pasua me një atentat më 30 janar 2006 ndaj Fadil Memës, ish-efektiv i Policisë Rrugore në Elbasan. Fadil Mema mbeti i plagosur në njërën këmbë. Ai arrin të shpëtojë falë edhe ndihmës së dhënë nga kunati, Ardian Ibrahimi, i cili ka qëlluar me gurë në drejtim të atentatorëve. Për këtë ngjarje policia ndaloi Florenc Çapjen, nipin e viktimës, i cili doli i pafajshëm për mungesë provash. Më 28 maj ekzekutohet në lokalin "Mema" Ardian Ibrahimi, kunati i Fadil Memës. Policia ndaloi Florenc Çapjen, me banim në lagjen "Emin Matraxhiu" dhe Bledar Muçën, me banim në lagjen "Luigj Gurakuqi". Çështja është ende nën hetim.