E Diel, 1 Nëntor 2026

Kureshtja e tepërt i rrezikon jetën ushtarit

Kureshtja e tepërt për pak sa nuk i ka shkaktuar dëme të pariparueshme një ushtari. Në orën 22:00 të mbrëmjes së të martës, dy ushtarë në Repartin Ushtarak të Pashalimanit, gjatë shërbimit, i kanë hequr një fisheku automatiku plumbin dhe më pas e kanë mbushur kapsollën me barut dhe gurë të vegjël, duke i mbyllur dhe grykën. Njëri prej ushtarëve, 19-vjeçari Arjan Babi, nga Berati, i ka thënë shokut të shërbimit që ta fusnin kapsollën në folenë e automatikut dhe ta shkrepnin për të parë se çfarë do të ndodhte. Shoku ka futur kapsollën e mbushur me barut dhe gurë në automatik, e më pas ka bërë shkrepjen. Nga shpërthimi, baruti dhe gurët janë shpërndarë në një sipërfaqe të gjerë dhe një nga gurët e ka kapur Arjan Babin në mes të kurrizit, në afërsi të shtyllës kurrizore, duke iu futur disa centimetra në thellësi. Shumë shpejt, 19-vjeçari është transportuar në spitalin rajonal të Vlorës, ku i është dhënë ndihma mjekësore. Sipas mjekëve, guri është futur disa centimetra në trup, por fatmirësisht nuk ka prekur vertebrën, sepse mund t‘i kishte shkaktuar probleme serioze, deri dhe në paralizim të trupit. Ushtari kureshtar nuk ka probleme serioze dhe në orët e pasdites së djeshme ai ka dalë nga spitali për t‘u dërguar pranë familjes. Në mesnatë, ushtarit të plagosur i ka shkuar për vizitë edhe shoku që shkrepi armën, i cili i ka kërkuar falje. Gjithsesi, ushtari që kreu plagosjen e shokut është shoqëruar komisariat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›