E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet tavani i galerisë, dërrmohet minatori

Një aksident tragjik ka ndodhur dje në minierën e Kromit të Batër-Martaneshit, ku gjatë punës në galeritë e saj ka humbur jetën një minator. Dje, rreth orëve të mesditës, teksa po punonte në një nga galeritë e nxjerrjes së mineralit të kromit, në Thekën të Martaneshit, është aksidentuar me pasojë vdekjen e menjëhershme, 38-vjeçari Përparim Haslika, duke lënë katër fëmijë jetimë.

I ndjeri kishte dy vite që kishte filluar punë në sektorin e Theknës, ku çdo ditë vinte në punë nga fshati Gjon i Martaneshit, rreth 10 kilometra larg. Por edhe pse larg, ai ishte i kënaqur, pasi puna në minierë ishte e vetmja mundësi mbijetese, për të, me të cilën ai ushqente katër fëmijët dhe bashkëshorten.

Shokët e tij të punës tregojnë se si çdo ditë, ai hyri në galeri, duke kontrolluar me levë sigurinë e tavanit të saj. Mirëpo galeria tregohet e "pabesë" me të, pasi nga tavani i është shembur një masë e madhe minerali dhe guri steril, që e kanë mbuluar totalisht. Menjëherë shokët e tij të punës kanë vrapuar për ta nxjerrë nga mbulimi, por trupi i copëtuar nga shembja nuk ka dhënë asnjë shenjë jete.

Trupi i pajetë i minatorit është dërguar për ekspertizë në morgun e spitalit të Bulqizës, ku grupi i ekspertëve mjekoligjorë ka kryer veprimet e duhura procedurale.

Aktualisht në zonën krommbajtëse të pellgut të Batër-Martaneshit, operojnë 40 kompani private, kryesisht nga kjo zonë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre për nxjerrjen e këtij minerali. Duke marrë parasysh konjukturën mjaft të favorshme aktuale të shitjes së kromit, aktiviteti i këtyre firmave rezulton të jetë shumë fitimprurës.

Por baza materialo-teknike e këtyre kompanive, si dhe personeli inxhiniero-teknik, pothuajse mungojnë fare. Inxhinierët e minierave për shfrytëzimin e galerive janë virtualë, pasi ekzistojnë vetëm në letra. Po ashtu drejtuesit e tyre nuk i lidh asgjë me punën në minierë. Në të tilla kushte, as që mund të bëhet fjalë për plotësim të kushteve të sigurisë në punë, për minatorët e këtyre firmave.

Kështu, nëse në minierën e Bulqizës kërkohen investime për kushte më të mira pune dhe siguri gjatë punës për minatorët nga firma e huaj ruso-austriake, në Martanesh, kërkohet në radhë të parë personel inxhiniero-teknik, për të folur për siguri në punë të minatorëve.

Këto kompani, që vetëm emrin kanë të tillë, e që kanë rendur deri më tani vetëm pas shfrytëzimit të galerive të lëna të gatshme nga ish-miniera e Batër-Martaneshit, duket se tani u ka ardhur fundi, pasi asnjëra prej tyre nuk ka fuqi për të investuar si për bazë materialo-teknike, ashtu edhe për personel njerëzor inxhiniero-teknik.

Ky është aksidenti i parë i rëndë që ndodh në këtë zonë pas vitit 2000, ndërkohë që disa kilometra më larg, në minierën e Bulqizës, vetëm gjatë tri viteve të fundit kanë vdekur 8 minatorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›