E Diel, 1 Nëntor 2026

Tropojë, asgjë e re nga kërkimet në Jezercë

Sa më shumë kalojnë orët, aq më tepër krijohet bindja se alarmi për një avion apo helikopter të rrëzuar në Alpet e Shqipërisë, nuk qëndron. Pas kërkimeve intensive gjatë gjithë ditës së martë me mjete ajrore dhe tokësore në një terren tepër të vështirë, pothuajse të gjithë kanë hequr dorë. Megjithatë një skuadër e Komisariatit të Policisë së Tropojës ka vazhduar edhe dje kërkimet, pasi nuk kishte një konfirmim zyrtar se lajmi ishte një gabim. Drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Muharrem Furriku, tha për gazetën "Shqip" se "sido që të jetë, një skuadër e jona vazhdon të kërkojë me këmbë". Një natë më parë, një funksionar i Prefekturës në Tropojë, në përgjigje të interesimit tonë në se kishin gjetur ndonjë gjurmë avioni të rrëzuar, tha se "atë le ta gjejë media, sepse ajo e bëri alarmin", duke nënkuptuar se ishte një kamuflim mbi ndonjë të dhënë të pasaktë apo të keqkuptuar. Një banor i Luginës së Valbonës, i pyetur dje tha vetëm kaq: "Kemi qenë edhe ne të angazhuar, por nuk po di a ishte e vërtetë, apo ishte rrenë". Deri në orët e mbrëmjes së ditës djeshme nuk ka pasur asnjë denoncim për humbje avioni apo ekuipazhi, çka hedh hije dyshimi se alarmi do të ketë qenë një keqkuptim.

Dy ditë më parë, vetë salla operative e Ministrisë së Brendshme kërkoi nga Policia e Shkodrës dhe Kukësit të nisnin kërkimet për ndonjë mjet fluturues të rrëzuar pranë malit Jezercë. Edhe Ministria e Mbrojtjes njoftoi zyrtarisht se kishte marrë një njoftim nga Italia, për një objekt që ishte zhdukur nga radarët në orët e para të mëngjesit të së martës, në koordinatat që përkojnë me vendndodhjen e malit më të lartë të Alpeve të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›