Berati përcjell me nderime pesë viktimat e Farkës
Qyteti i Beratit është zgjuar i vrenjtur dhe me shi ditën e djeshme. Të afërmit e familjes Hysa kanë përcjellë për në banesën e fundit njerëzit e tyre më të dashur. E gjithë lagjja "Vakëf" është tejmbushur me njerëz mëngjesin e djeshëm. Banesa e prindërve Hysa është mbushur jo vetëm me të afërm dhe miq, por dhe shumë qytetarë të Beratit, të cilët kanë dashur t‘i qëndrojnë pranë familjes në këto ditë të vështira. Pasi kanë kryer ngushëllimet në shtëpinë e prindërve Qamil e Refie Hysa, pjesëmarrësit kanë pritur të bëhen pjesë e kortezhit. Pak përpara nisjes së ceremonisë mortore, në familjen Hysa ka mbërritur edhe kryetari i PS-së, Edi Rama. I shoqëruar nga disa prej deputetëve të këtij qarku, kreu i PS-së u ka kërkuar familjarëve që të bëhen të fortë për të përballuar këtë dhimbje të madhe. Rama ka ngushëlluar familjarët, duke u shprehur se bashkohet në dhimbjen e tyre ashtu si çdo qytetar i Beratit dhe gjithë Shqipërisë.
Rreth orës 10:00, tre trupat e pajetë të Pëllumb, Majlinda e Alban Hysës kanë dalë nga banesa e familjes së prindërve. Dhimbja ka qenë tepër e madhe dhe familjarët nuk kanë mundur të përmbahen. Lot pa fund dhe lutje për shpirtrat e tre pjesëtarëve të familjes, kjo ka qenë panorama në shtëpinë që nxori dje nga dera tre trupa të pajetë. Kortezhit i janë bashkuar miq, të afërm dhe qindra qytetarë të këtij qyteti.
Në nisje të ceremonisë mortore, përfaqësuesi i prefekturës, Ali Qeseja, i shprehu ngushëllimet më të përzemërta familjes Hysa, duke mbajtur fjalën e rastit. Ai i ka kërkuar nënës së Pëllumbit, Refies, të jetë e fortë për të përballuar dhimbjen, ndërsa është shprehur se gjithë qyteti i Beratit është sot me Rominën, e cila është e vetmja e mbijetuar e familjes Hysa.
Më pas mes dhimbjesh e lotësh të afërmit u kanë dhënë lamtumirën e fundit tre pjesëtarëve të familjes, të cilët humbën jetën pas festimit të ditëlindjes së djalit të tyre në liqenin e Farkës, pranë Tiranës.
Romina Hysa, 17-vjeçarja që mbijetoi nga tragjedia, ndonëse që pas ngjarjes ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore, nuk ka pranuar të qëndrojë larg ceremonisë mortore, ndonëse nuk ka rezistuar deri në fund të saj. Ajo ka qëndruar e heshtur gjatë gjithë kohës, e rrethuar nga njerëzit e saj të afërm dhe psherëtirë mes dhimbjes dhe lotëve, duke u lutur që Zoti ta merrte dhe atë.
Dhimbja që ka pushtuar shpirtin e 17-vjeçares ka bërë që ajo të humbasë ndjenjat dhe të largohet ende pa përfunduar ceremonia mortore. Ajo është shoqëruar për në spitalin e qytetit të Beratit, ku ka marrë ndihmë mjekësore me medikamente dhe serume për qetësim dhe është shoqëruar më pas për në banesën e gjyshërve, ku do të qëndrojë pas humbjes së prindërve dhe vëllait të saj. Ndërkohë që familja Hysa kryente nderimet e fundit për familjarët e saj, edhe familja Blano në Berat përcolli për në banesën e fundit dy viktimat Pranvera e Erjon Blano. Nënë e bir janë përcjellë për në varrezat në dalje të qytetit të Beratit, ndërkohë dhe në këtë ceremoni varrimi kanë marrë pjesë qindra qytetarë. Gruaja së bashku me djalin e saj u nis për në Tiranë në festën e shokut të djalit të saj, por nuk mbërriti kurrë e gjallë. Edhe në familjen Blano, dhimbja ka qenë e madhe për humbjen e dy njerëzve të dashur. Në funeralin e Erjonit dhe nënës së tij shkuan dje edhe shokët nga Tirana. Lokali në rrugën "Sami Frashëri" në kryeqytet, ku Erjoni punonte si kamerier, ishte mbyllur dje.
Ceremonia
Funerali i pronarit të lokalit
Është përcjellë për në banesën e fundit, Afrim Dibra, pronari i varkës në të cilën ndodhi tragjedia e Farkës. 43-vjeçari, i cili kishte punuar disa vite emigrant në Gjermani kishte ngritur aktivitetin në një zonë piktoreske, pa e ditur se pikërisht ky vend do t‘i merrte jetën. Kryente për çdo ditë ritualin e transportimit të klientëve nga njëri breg në tjetrin, duke ndihmuar edhe biznesin e tij. Por gjithçka është prerë në mes dhe ëndrrat për shtimin e aktivitetit janë shuar, duke lënë pas vajzën dhe bashkëshorten.