Ndihmë financiare për familjet e viktimave
Çdo viktimë e tragjedisë së Farkës do të shpërblehet nga Ministria e Brendshme me nga pesë milionë lekë (të vjetra). Me urdhër të Këshillit të Ministrave, Drejtoria e Emergjencave Civile ka akorduar fondin prej 80 milionë lekësh (të vjetra). Propozimi është kryer nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili ka vënë dorën në zemër duke shpërblyer familjet e viktimave. "Me një urdhër drejtuar Drejtorisë së Emergjencave Civile, akordohet një fond prej 8 000 000 (tetë milionë) lekësh në ndihmë të familjeve të viktimave të mbytura në Liqenin e Farkës, Tiranë, në datën 6 mars 2008", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Sipas saj, urdhri mbështetet në vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr.224, datë 06.03.2008 ‘për shpallje ditë zie kombëtare‘. Sipas saj njoftimi, dorëzimi i ndihmës prej 500 000 (pesëqind mijë) lekësh, që do t‘u jepet familjeve për secilën nga viktimat, do të kryhet nga njësitë vendore ku ato banojnë. "Konkretisht, Bashkisë Berat i është akorduar shuma 2 500 000 (2 milion e pesëqind mijë) lekë për viktimat: Majlinda Hysa, Pëllumb Hysa, Alban Hysa, Pranvera Nova(Blana) dhe Erjon Blana" detajon Nishani. Sipas tij, njësisë bashkiake Nr.2, Tiranë, i është akorduar shuma prej 4 000 000 (katër milionë) lekë për viktimat: Halil Osmani, Hatixhe Osmani, Aurela Osmani, Elidona Osmani, Alket Osmani, Saikida Osmani, Eis Osmani dhe Rei Osmani. Ndërsa njësisë bashkiake Nr.5, Tiranë, i është akorduar shuma prej 1 000 000 (një milion) lekë për viktimat: Thëllënxa Spahiu dhe Arlind Spahiu. Është shpërblyer nga Ministria e Brendshme edhe familja e pronarit të varkës ku ndodhi ngjarja. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, Komunës Farkë i është akorduar shuma 500 000 (pesëqind mijë) lekë për viktimën Afrim Dibra. "Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme", përfundon ministria.
Dy ditë më parë, Nishani do të deklaronte se shteti do të gjendet pranë familjarëve për çdo nevojë të tyre. "Megjithëse kjo ngjarje është aksidentale, pavarësisht kësaj hetimet do të vazhdojnë", tha ministri i Brendshëm. Ai, gjatë vizitës së tij me familjarët në dyert e morgut, vijoi duke thënë se: "Është ngjarje shumë e rëndë. Tragjedi për çdo familje dhe u shpreh ngushëllimet dhe u gjendem pranë të gjitha këtyre familjeve. Ka qenë një ngjarje aksidentale, por organet përkatëse do të bëjnë hetimet e nevojshme deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Do ndihmojmë në anën organizative dhe ndihma të tjera që familjet do të kenë nevojë. Ngjarja është shumë e rëndë dhe po bëjmë gjithçka për t‘ua lehtësuar dhimbjen familjeve".
Lista
Të mbytur
Pranvera Blamo, 50 vjeçe, lindur e banuese në Berat
Erion Blamo, 20 vjeç, lindur e banues në Berat
Pëllumb Hysa, 53 vjeç, lindur e banues në Berat
Majlinda Hysa, 46 vjeçe, lindur e banuese në Berat
Alban Hysa, 21 vjeç, lindur e banues në Berat
Aurela Osmani, 30 vjeçe, banuese në Tiranë
Halil Osmani, 62 vjeç, banues në Tiranë
Hatixhe Osmani, 56 vjeçe, banuese në Tiranë
Eliona Osmani, 47 vjeçe, banuese në Tiranë
Alket Osmani, 29 vjeç, banues në Tiranë
Saikida Osmani, 25 vjeçe, banuese në Tiranë
Ejsi Osmani, 3 vjeç, fëmija i Alket e Saikida Osmanit
Rei Osmani, 3 vjeç, fëmija i Alket e Saikida Osmanit
Thëllëza Spahiu, 46 vjeçe, Tiranë
Arlind Spahiu, 20 vjeç, Tiranë
Afrim Dibra, 43 vjeç, Tiranë
Të mbijetuar
Beqir Sinani, 28 vjeç, lindur e banues në Elbasan
Luena Behar Spahiu, 20 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë
Romina Pëllumb Hysa, 17 vjeç, lindur e banuese në Berat
Festa
Viktimat, festë në lokalin në Farkë
Zemërimi i liqenit u merr jetën 16 njerëzve, duke mos kursyer as burra, as gra e as fëmijë. 16 "fatkeqë" kanë provuar vdekjen më të tmerrshme mesnatën e djeshme, natë e cila nuk do të dalë lehtë nga kujtesa e të gjithëve. Kjo tragjedi e rëndë ka mbuluar pesë familje me të zeza, e bashkë me ta gjithë Shqipërinë. Ata ishin nisur për të festuar... Ditëlindje, fejesë, gëzim familjar, të gjitha bashkë, por për ta ka qenë darka e fundit. Xhaxhai kishte marrë dy varëse floriri në xhepin e xhupit për dy nipërit binjakë, ndërsa dhëndri i ri mbante nusen në krahë për ta mbrojtur nga i ftohti i lig i liqenit. E ashtu, të gjithë bashkë, si një familje e madhe, 19 persona kanë hipur në varkën e vdekjes, që me të, të kalonin anën tjetër të liqenit. Ata po ktheheshin, do iknin nën shtëpi, pas një darke që kishin organizuar në një restorant në anë të liqenit të Farkës, fshat në periferi të Tiranës.
Ngjarja
Mbipesha solli përmbysjen e varkës
Varka ka nisur të fusë ujë, qëkur anëtarët e pesë familjeve janë nisur nga një breg i liqenit për të kaluar në bregun tjetër. Varkëtari ka ndezur motorin dhe është nisur për të kaluar në anën tjetër, por varka sërish fuste ujë. 19 të pranishmit në bord kanë filluar të ndiejnë frikë, ndërsa fëmijët e vegjël kanë nisur të qajnë. Por, pas disa minutash lundrim, për shkak të mbingarkesës, motobarka është përmbysur dhe të gjithë personat kanë rënë në ujë. Në atë kohë, një klithmë ka zgjuar qetësinë që kishte pllakosur liqenin. "Ndihmë"! Një zë ka dalë nga sipërfaqja e liqenit dhe ka kërkuar ndihmë. Sapo tingulli ka mbërritur në breg, drejt varkës së përmbytur është nisur një varkë tjetër. Varkat, sa më shumë afroheshin, aq më shumë dëgjoheshin zërat e tmerruar të njerëzve. Në atë kohë ka rënë edhe telefoni i policisë, ku një zë gruaje ka treguar se një varkë e mbushur me rreth njëzet persona po mbytej në liqenin e Farkës.