E Diel, 1 Nëntor 2026

"Killeri" Paja, kapo i një grupi kriminal në veprim

Agjenti i policisë kriminale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, i cili u plagos mesditën e së enjtes gjatë një operacioni, vazhdon të luftojë me jetën. Nëninspektori Blendi Haxhimihali do të transportohej në një spital më të specializuar në Greqi, por mjekët kanë këshilluar që ai të mos lëvizë për shkak të gjendjes së rënduar. Udhëtimi i tij me helikopter nuk është këshilluar, kështu që agjenti do të vazhdojë të jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ministria e Brendshme ka ofruar ndihmën financiare dhe shpenzimet për dhënien e ndihmës mjekësore. Ndërkohë që është marrë në ruajtje edhe familja e agjentit të plagosur, pasi 35-vjeçari, i cili e plagosi Ilir Paja nga Berati, mendohet se ka një rrjet kriminal, i cili është ende në aktivitet. Paja, edhe ai në gjendje të rëndë shëndetësore, pritet të merret në pyetje jo vetëm nga policia shqiptare, por edhe nga ajo italiane e gjermane, vende në të cilat kërkohej.

Gjendja shëndetësore

Dy "protagonistët" e përplasjes, Haxhimihali dhe Paja, ndodhen të shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku po luftojnë me jetën. Mjekët deklarojnë se agjenti i policisë ndodhet në repartin e reanimacionit me disa plagë të rënda në kokë, mushkri dhe shpatulla, ndërsa ka gërvishtje në të gjithë trupin. Gjendja është serioze dhe nuk këshillohet transportimi i tij në spitale të specializuar jashtë vendit. Për shkak të vendosjes në të njëjtin spital, Policia e Shtetit ka marrë në mbrojtje familjen e tij, pasi dyshohet se anëtarë të bandës së Pajës mund t‘i kryejnë ndonjë atentat të mundshëm familjes së agjentit të plagosur. Ndërkohë, dhjetëra metra larg Haxhimihalit ndodhet i shtruar Ilir Paja. Mjekët deklarojnë se gjendja, në krahasim me agjentin, është relativisht e mirë dhe ka një goditje me armë zjarri në pjesën e shpatullës. Autoritetet e spitalit deklarojnë se disa inspektorë të policisë së Tiranës po ruajnë 24 orë të plagosurin, i cili akuzohet për vrasje, trafik droge dhe prostitucioni.

Prokuroria nis hetimet

Plagosja e agjentit të policisë ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës, e cila ka ngritur një grup hetimor për këtë ngjarje, ndërsa janë marrë edhe provat nga vendngjarje. Hetues të çështjes kanë tentuar të marrin në pyetje të plagosurin Ilir Paja, por nuk kanë mundur, pasi gjendja e tij është relativisht e rëndë. Krahas hetuesit të Prokurorisë së Tiranës, Paja pritet të japë shpjegime edhe për hetuesit e Krimeve të Rënda, pasi në këtë prokurori është person nën hetim për trafik prostitucioni. Në lidhje me ngjarjen, prokuroria deklaron se ka marrë dëshmi nga kolegë të Haxhimihalit, të cilët kanë qëlluar ndaj Pajës, ndërsa kanë parë të gjithë ngjarjen.

Policia

Arratisjet dhe akuzat

në Itali e Gjermani

Ilir Paja është person në kërkim ndërkombëtar, sepse ndaj tij është dhënë dënimi për një vrasje të kryer në Gjermani. Paja është arrestuar dhe pas disa muajsh dënim ka mundur të arratiset nga burgu, duke përdorur çarçafët si litar. Është ndaluar disa muaj më vonë në Itali dhe ndaj tij është shtuar edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen. Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur. Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›