Berisha: Do të shpërblejmë firmat që mbyllin punimet para afatit
Kryeministri Sali Berisha zbriti dje me helikopter qeveritar në Gjirokastër për të prerë shiritin e përurimit të fillimit të punimeve të një rruge të re, që do të lidhë aksin e rrugës nacionale Tepelenë - Gjirokastër me qytetin e Sarandës. Ndërtimi për herë të parë i kësaj rruge ishte një nga premtimet më të papritura dhe të bujshme elektorale të Berishës, të bërë gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në të dyja skajet e saj, në Sarandë e Delvinë dhe në Gjirokastër. Duke përshëndetur të pranishmit, Berisha theksoi se nga ndërtimi i kësaj rruge do të përfitojnë jo vetëm banorët e krahinave labe të Kardhiqit dhe Fushëvërrisë, por edhe pushuesit nga Tirana, Korça, Përmeti, Shkodra dhe të gjitha skajet e Shqipërisë, që do të dëshironin të kalonin pushimet në qytetin më të bukur të Shqipërisë, në Sarandë. "Kjo rrugë do të shkurtojë rrjet 30 km të rrugës Tiranë - Sarandë, duke e bërë më të afërt bregdetin piktoresk të Sarandës me gjithë vendin", tha mes të tjerash Kryeministri, para banorëve të Komunës së Cepos. Duke falënderuar kryetarin e Komunës së Cepos, Dragush Logli, për përfundimin në një kohë rekord të procesit të shpronësimit të sipërfaqeve nga do të kalojë kjo rrugë, Berisha përcolli tri mesazhe të qarta për strukturat e pushtetit vendor dhe firmat e kompanitë ndërtuese të rrugëve. "Së pari, kush pranon të shpronësohet kur shteti investon në projekte të tilla me interes për zhvillimin ekonomik të zonës, është përfituesi më i madh, pasi përmirësimi i infrastrukturës rrugore e shumëfishon vlerën e tokës. Së dyti, nëse tri firmat ndërtuese të kësaj rruge do të përfundojnë 4 muaj para parashikimit të projektit, ato do të përfitojnë bonuse nga qeveria, sepse qeveria i shpërblen ata që punojnë dhe së treti, zhvillimi infrastrukturor i rajonit jugor është një përparësi absolute e qeverisë që unë drejtoj", theksoi Berisha. Në vazhdim të investimeve në përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidhet me zhvillimin e turizmit në këtë rajon, Kryeministri përmendi financimin e projekteve për ndërtimin e rrugës për në Fushën e Çajupit, për në sitin arkeologjik të Antigonesë etj. Kryeministri pati një bisedë edhe me një përfaqësi të banorëve të Këlcyrës, të cilët e informuan për problemet lidhur me privatizimin e një sipërfaqeje toke në Grykën e Këlcyrës. Këlcyrjotët i thanë Kryeministrit se "abuzimet po bëhen duke përmendur edhe emrin tuaj", ndërkohë që Berisha u përgjigj se "unë do të mbështes çdokënd që bën investime, por nuk do të toleroj në asnjë mënyrë, që në emër të investimeve të shkelet e drejta e pronës".