Portokalli turistik buzë detit për të dhënë informacion mbi plazhin
Buzë shëtitores në Sarandë një pasarel ka nisur të konturojë objektin më të ri turistik, që është një zyrë e informacionit turistik. Një zyrë që do të ngrihet mbi det. Projekti i saj paraqet imazhin e një portokalli, i cili do të përdorë gjerësisht xhamin. Në ditët e para të 2008-ës është hedhur platforma e betonit dhe elementët e parë të zyrës së nesërme turistike. Ccdo kalimtar dhe vizitor i kësaj stine dimri ndal hapin përpara saj, duke menduar gabimisht se ndoshta mbushja e detit vazhdon si një e keqe e pandalshme për ngritjen e ndonjë objekti privat. Por çdo hamendjeje i ve kryq tabela prezantuese e objektit. Ministria e turizmit, kulturës, rinisë dhe sporteve, duke patur partnere bashkinë e Sarandës, investojnë për këtë objekt të 2008-ës, sa funksionale aq edhe strukturë moderne e infrastrukturës turistike që i duhet Sarandës. 6.5 milionë lekë arrin vlera e objektit në strukturim e sipër, që ka qenë edhe pjesë e kartolinës që bashkia u ka dërguar miqve dhe partnerëve të vet në këtë vit të ri 2008.
Do të mjaftojnë vetëm 75 ditë që të ndërtohet portokalli prej xhami buzë detit. Kështu që i bie që sezoni i ri turistik i 2008-ës ta ketë të përfunduar dhe në funksion të shpërndarjes së informacionit të nevojshëm turistik për turistët vendas e të huaj, që adhurojnë dhe preferojnë Sarandën.
"Me të Saranda bëhet qyteti me një performance të re, funksionale dhe komplementare"-thotë për "Shqip" kryebashkiuaku Edmond Gjoka-duke veçuar atë që është karakateristike- paraprirja e zhvillimit me studime e projekte për fushat më prioritare të zhvillimit, në krye të të cilave qëndron turizmi.